“Letërsia në rrezik” e Tzetan Todorov-it dhe rreziku i studimeve të sotme letrare

21 Qershor 2012, 10:08Blog TEMA

Nga Namir Lapardhaja

 

Tzvetan Todorov-i ka lindur më 1939 në Sofje të Bullgarisë. Është eseist, historian, filozof dhe teoricien i letërsisë. “Poetika e prozës” është vepra më e njohur e këtij autori për lexuesin shqiptar.

Hapat e parë të rrugëtimit të tij Todorov-i ia dedikon dy emrave mjaft të njohur, Gerard Genett-it dhe Roland Barthes-it. Doktoraturën e ka kryer nën udhëheqjen e Barthes-it, ndërsa për dhjetë vjet radhazi ka drejtuar së bashku me G. Genette revistën “POETIKA”.

“Letërsia në rrezik” është vepra e fundit e këtij autori e sjellë për lexuesin shqiptar nga Ndërmarrja Botuese “Gjon Buzuku” – Kosovë, në vitin 2007, vetëm pak muaj pas botimit të kësaj vepre në Francë. Vepër për nga vëllimi modest, por me një rëndësi dhe domethënie mjaft të madhe përsa i përket përmbajtjes, tematikës dhe ideve që hidhen në të.

Autori ngre një problematikë mjaft të rëndësishme për studimin e letërsisë në shkollat e mesme, po ashtu, edhe në nivelet universitare në Francë. Problematikë që mund të haset lehtësisht edhe në programet dhe kurrikulat e lëndës së letërsisë në shkollën shqiptare.

Tendencën e orientimit të letërsisë jo nga të menduarit për gjendjen njerëzore, individin apo shoqërinë, dashurinë apo urrejtjen, gëzimin apo dëshpërimin, por mbi nocione kritike, tradicionale e moderne, Todorov-i e sheh si të dëmshme dhe jashtë objektivave të studimit të kësaj lënde në nivele të tilla arsimore.

Problemi i teorizimit të tejskajshëm të letërsisë bën atë që të mos merremi me veprën konkrete të autorit, por të fillojmë e të diskutojmë për koncepte abstrakte e të sajuara nga analiza letrare. “Mund edhe të vëmë bast, – shkruan Todorov-i, – se Russeau, Stendhal dhe Proust do të mbeten të afërt për lexuesit edhe për një kohë të gjatë pas momentit të harrimit të emrave të teoricienëve aktualë ose të ndërtimeve të tyre konceptuale, duke dëshmuar kështu një farë mungese të përulësisë me ligjërimin e teorive tona në raport me veprat, në vend që ta bëjmë atë me vetë veprat. Ne – specialistë, kritikë letrarë, profesorë, – në të shumtën e kohës nuk jemi gjë tjetër përveç se xhuxhë të strukur nën sqetullën e viganëve.”

Problemin e reduktimi të letërsisë në absurd, ai e sheh tek strukturalizmi, pa i mohuar kësaj shkolle vlerat dhe risitë që ajo sjellë në studimet teoriko-letrar të letërsisë. Ai e sheh strukturalizmin si çështje mode, ashtu si dikur historicizmi apo si nesër një shkollë tjetër, duke këshilluar ruajtjen e funksionit të mjetit të studimit të letërsisë e jo kthimit në qëllim në vetvete.

E thënë ndryshe, një vepër e caktuar letrare nuk duhet studiuar vetëm e parë së brendshmi, por duhet ndërthurur edhe me elementë të jashtëm, në një kontekst të caktuar dhe në dialog me receptuesin e kohës.

Pra, duhet të kemi një harmonizim të qasjes së brendshme (studimit të marrëdhënieve në mes të elementeve të një vepre) me qasjen e jashtme (studimi i kontekstit historik, ideologjik, estetik). Një plotësim i këtyre dy raporteve do të bënte që studimi i një vepre të caktuar letrare të ishte më i saktë dhe më i kompletuar.

Problemi që trajtohet është mjaft aktual edhe për kontekstin tonë shqiptar, ku për një periudhë të gjatë kohore në studimin e letërsisë shqipe ka mbizotëruar vetëm metoda e realizmit socialist, një “mutacion” ideologjik-filozofik-letrar; për të mbizotëruar pas viteve ’90 e në vijim, përgjithësisht, një qasje strukturaliste në studimet letrare.

Mirëpo, sipas Todorov-it, teza sipas së cilës letërsia  nuk hyn në lidhje kuptimplotë me botën dhe si rrjedhim vlerësimit të saj nuk i mbetet të ketë kujdes se për çfarë flet, nuk është një shpikje e ditëve të sotme e as nje kontribut i strukturalistëve, por është një prurje e njëkohshme e modernitetit. Është pikërisht moderniteti ai që çshenjtëroi hyjnoren dhe bëri njëkohësisht shenjtërimin e artit. Këtë e bëri, së pari, duke e krahasuar artistin-krijues me Zotin dhe, së dyti, duke theksuar se qëllimi i poezisë nuk është as të imitojë natyrën, as të edukojë e as të kënaqë, por të prodhojë bukuri. E gjithë kjo e thënë nëpërmjet një formule tjetër “arti për vetveten” ose “arti për artin”.

Gjithsesi, që nga antikiteti e në vijim tek Romantizmi, arti mbetet një njohje e botës. Sipas tij, “letërsia mund të bëjë shumë gjë. Ajo mund të na shtrijë dorën atëherë kur jemi thellësisht të dëshpëruar, të na drejtojë nga qeniet e tjera njerëzore përreth nesh, të na bëjë të kuptojmë edhe më mirë botën dhe të na ndihmojë të jetojmë”.

Tzvetan Todorov-i është sot një prej personaliteteve më autoritativ në fushën e studimeve letrare, i cili edhe në këtë broshurë tërheq vëmendjen e kthimit tek shpirti i artit, tek shpirti i letërsisë, tek aftësia e saj për të ndryshuar gjendjen dhe shpirtin njerëzor. Ai është për një komunikim të pashtershëm të letërsisë, për futjen e veprës letrare në të vërtetat e përbashkëta; të thënit të së vërtetës, sipas tij, është kërkesa e vetme legjitime që mund t’ia adresojmë tekstit, edhe pse kjo e vërtetë është në një masë të lidhur me edukatën tonë morale.

Kjo vepër duhet t’i shërbejë, pikë së pari, lexuesit shqiptar, por edhe për një pjese të studiuesve, të cilët, të ndikuar nga moda aktuale ose nga shkolla në të cilën janë formuar dhe kanë studiuar, mundohen t’i orientojnë studimet e sotme letrare në një kah dhe vetëm nën një optikë, duke mohuar qasjet e tjera.

“Përse e dua letërsinë? – pyet Todorovi në fillim të librit. -“Sepse ajo më ndihmon të jetoj…. Larg të qenit një argëtim, një dëfrim i rezervuar vetëm për personat e edukuar, ajo i mundëson secilit që t’i përgjigjet më mirë prirjes personale të të qenit njeri.”

Ndaj, sot ajo që kërkohet më shumë prej të gjithëve është pikërisht kjo “të qenit njeri”.

E letërsia mund t’i ndihmojë njerëzit për t’u bërë NJERËZ.

2 komente në ““Letërsia në rrezik” e Tzetan Todorov-it dhe rreziku i studimeve të sotme letrare”

  1. Oketo says:

    Z.Lapardhaja,
    Ai brez te cilin mund ta ndihmonte ky botim i Todorovit ka “vdekur” ose “eshte duke vdekur”,cdo gje ka ndryshuar duke perfshire edhe vlerat.

  2. tomori i beratit says:

    Ku te vete mendja o NAMIR.Kesaj i thone -Fshati digjet e Kurva krihet-Na ngaterove qe u befsh lemsh u befsh or namir.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje