Dita pushim e Turit të Francës ka qenë më e ethshme se kurrë pas lajmit se edhe në këtë edicion është shfaqur një rast dopingu. Çiklisti francez i skuadrës së “Cofidis”, Remi Di Gregorio, është arrestuar nga policia franceze për akuzën e përdorimit të substancave të palejuara.
Më përpara, policia kishte bërë një kontroll surprizë të hotelit të kësaj skuadre, ndërsa janë transferuar në burgun e Marsejës edhe dy persona të tjerë.
“Cofidis” ka bërë të ditur se ka pezulluar automatikisht Di Gregorio. “Sapo kemi mësuar se një prej çiklistëve tanë që merr pjesë në Turin e Francës, ka tentuar të përdorë substanca dopuese për të përmirësuar paraqitjet. Aktualisht dimë shumë pak rreth ngjarjes, por dyshimet rreth Remi Di Gregorio nuk na lënë rrugë tjetër përveç asaj të pezullimit të menjëhershëm të çiklistit, në pritje të detajeve të menjëhershme. Nëse dyshimet konfirmohen, Di Gregorio do të pushohet menjëherë nga puna, sipas asaj që parashikon kontrata e tij në lidhje me etikën e skuadrës”.
Hetimi rreth çiklistit francez duket se ka filluar që në vitin e kaluar, kur ai ishte pjesë e skuadrës së “Astana”./lajmeshqip