Kryetari i Partisë Demokratike dhe ish -president i Serbisë, Boris Tadiç ka thënë se Serbia në njëfarë kuptimi e ka konfirmuar realitetin se Kosova është e pavarur, madje edhe gjatë negociatave nuk ka pasur qëllim që të zhbëjë pavarësinë e Kosovës, por ka dashur të përcaktojë kornizën juridike të kësaj mëvetësie.
Sipas tij, Serbia nuk ka më kurrfarë institucionesh apo instrumentesh me të cilat do ta drejtonte çfarëdo procesi në Kosovë. Ai ka theksuar se Kosova dhe aleatët e saj kanë strategjinë e hapave të ngadalshëm drejt pavarësisë së plotë.
Tadiç për revistën “Globus”, ka thënë se ky interes me të cilin do të përmbushej objektivi i shqiptarëve në Kosovë është legjitim dhe askush nuk mund ta mohojë.
“Por Serbia ka interesat e veta në Kosovë ku kemi qytetarët tanë, përmendoret tona kulturore dhe integritetin tonë shtetëror. Këtë nuk guxojnë ta harrojnë as shtetet tjera të rajonit, sepse nëse pranohet demontimi i integritetit të Serbisë atëherë herët a vonë mund të demontohet i tërë rajoni”, ka kërcënuar Tadiç.
Pyetjes nëse e konsideron politikën e vet të dështuar sepse Serbia tani nuk e ka as Kosovën as BE, Tadiç ka shfaqur bindjen se Serbia mund ta ketë edhe njërën edhe tjetrën, por për asnjë çast nuk ka menduar se Serbia do ta integrojë hapësirën e Kosovës sipas mënyrës siç ka qenë në kohën e Millosheviçit.
Tadiç nuk është i sigurt se koalicioni i cili tash po e përgatit formimin e qeverisë së re të Serbisë do të arrijë marrëveshje rreth çështjeve ekonomike e bashkëpunimit rajonal të Kosovës.
“Nuk mund të arrihet konsensusi kombëtar rreth Kosovës sepse Nikoliç e Daçiç i takojnë politikës së njëjtë, e konsensusi arrihet midis dy poleve të ndryshme politike”, ka theksuar ai.
“Konsideroj se në dialogun demokratik duhet gjetur zgjidhje e cila do të merr parasysh interesat e të dy palëve. Edhe më tutje besoj se Kosovës nuk duhet qasur sipas logjikës së fituesit dhe humbësit”, ka përfunduar ish presidenti serb Tadiç për revistën “Globus” të Zagrebit./EXPRESS