Misioni EURALIUS propozon ndryshime thelbësore në legjislacionin për Gjykatën e Krimeve të Rënda, mes të cilave edhe kompetenca e kësaj gjykate për gjykimin e veprës së pastrimit të parave, si dhe të korrupsionit në rastet kur dyshohet e bashkëlidhur me këtë vepër.
Eksperti i EURALIUS, Pietro Spera, theksoi se pastrimi i parave mund të ndahet në dy kategori, ajo e pastrimit të parave në rrethana lehtësuese dhe rënduese, dhe nuk mund të hetohet nga një prokurori e zakonshme, por nga Krimet e Rënda.
“Do të doja të bëja një propozim të thjeshtë, nëse ju mund të futni në rastin e pastrimit të parave edhe korrupsionin në kompetencën e krimeve të rënda. Sepse në mjaft raste rezulton se korrupsioni favorizon pastrimin e parave, ne nuk mund të mendojmë një lufte efikase nëse në këtë fushë nuk bashkangjitet edhe korrupsioni, pra edhe njëherë korrupsioni për veprën e pastrimit të parave së bashku me të duhet të përfshihet tek Gjykata e Krimeve të Rënda. Në këtë pike mbase do ishte e mundur të përfshihen disa nene dhe nëse kjo ka lidhje me vullnetin politik, atëherë të shikohen format më të rënda të korrupsionit”, tha Pietro Spera, ekspert i EURALIUS.
Në lidhje me ndryshimet që duhen bërë për kompetencat e Gjykatave të Krimeve të Rënda, kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela deklaroi se fillimisht duhet nisur nga emri i kësaj gjykate.
“Unë kam qenë i mendimit që emri i kësaj gjykate duhej të ndryshojë, duhet të ishte një Gjykatë për Krimin e Organizuar, sepse në fund të fundit, ky ka qenë profili që ka pasur për 8 vitet e fundit. Krimi i organizuar vazhdon të jetë një problem për shoqërinë shqiptare dhe do të jetë në vazhdim problem për shoqërinë tonë, si për çdo shoqëri tjetër në botë. Janë probleme të zhvillimit, janë probleme që vijnë prej shumë arsyesh dhe si i tillë krimi i organizuar kërkon një vëmendje dhe përkushtim maksimal, kërkon njerëz të specializuar, kërkon shumë mjete në dispozicion”, tha Çela.
“Ne duhet t’u japim emërtimin strukturave, institucioneve të formës që kanë vërtetë. Sot Gjykata për Krime të Rënda dhe Prokuroria për Krime të Rënda janë të angazhuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe nuk ka asgjë të keqe që të ketë pikërisht këtë lloj emërtimi. Në pamje të parë duket sikur nuk ndryshon asgjë, në fakt nuk është vetëm kaq sepse nga kjo rrjedhin edhe shumë detyra dhe angazhime të tjera, mund të lindin edhe shumë rikonceptime të mënyrës së bashkëpunimit”, tha Edmond Rizai, drejtor të Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar.
Në lidhje me trafikun e marijuanës për herë të parë gjyqtari Luan Hasneziri deklaroi se duhet parashikuar në legjislacion edhe çështja e sasisë së hashashit të bllokuar, e në varësi të saj të ketë një prag të dhënies së dënimit./TCH