INTERVISTA/ Halimi: Heqja e imunitetit do të pakësojë shpifësit

23 Korrik 2012, 18:34Politika TEMA

Intervistë për JAVA me Ministrin e Drejtësisë, z.Eduart Halimi. Si e shikon ai problemin e heqjes së imunitetit, reformën në drejtësi, marrëdhëniet e kryeministrit me presidentin Topin dhe e vërteta për 21 Janarin. “Çështjet e transferimit dhe promovimit të gjyqtarëve janë kthyer në barsoleta mes tyre. Aq sa dhe unë nganjëherë nuk i besoj, derisa ndonjëri prej tyre fillon dhe më tregon sms-të e shkëmbyera. Sigurisht që nuk janë prej z. Topi, por unë nuk kam mundësi të besoj se gjithçka ndodhte ishte jashtë dijenisë së tij. Nuk dua të vazhdoj me këtë histori sepse Presidenti Topi është në fund të mandatit të tij dhe është më mirë të flasim për të ardhmen.

Unë jam njeri optimist nga natyra, dhe kam besim të plotë që Presidenti i ri, me integritetin dhe përgjegjshmërinë e lartë që e karakterizon, do të bëjë ndryshimin e madh që gjithë shqiptarët presin në këtë proces të rëndësishëm në të cilën ndodhet vendi”.

 

Nga Ben Andoni

 

Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, e justifikon gjithçka. Por është i ndërgjegjshëm që sistemi i drejtësisë ka probleme. Nuk lë në asnjë moment, pa e ngacmuar disi Opozitën, një fakt, që është i zakonshëm nga krerët e dikastereve tona. Pastaj: Reforma në drejtësi po realizohet dhe ajo e ka bërë lidere Shqipërinë në rajon. Kurse, sa i përket plagës reale, sistemit të drejtësisë, përgjigja është direkte: problem ka përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien dhe jo pavarësinë. Nuk përgjigjet direkt për 21 Janarin, por për emërimet e Topit tregon se kanë qenë gati groteske. Imuniteti? Duhet që të marrin fund shpifësit dhe përbaltësit, shpjegon…

 

Juve jeni shprehur se forca politike që përfaqësoni është gati të mirëpresë, të gjitha dispozitat e propozuara nga Opozita në lidhje me Imunitetin. Çfarë e step, sipas jush, Opozitën që të ndërmarrë një hap të tillë? (Edhe pse Opozita është shprehur pro heqjes!)

“Imuniteti nuk është një mbrojtje personale e deputetit apo e zyrtarit ashtu siç shpesh kuptohet nga publiku. Në të vërtetë, imuniteti është mbrojtje që i jepet institucionit, në mënyrë që të ruhet funksioni normal i institucionit. Ky është parimi themelor mbi të cilën ngrihet. Është një lloj kostumi që zyrtarit ia japin sapo fut këmbët në një institucion, parlament, qeveri apo gjyqësor.

Por nga tjetër është tendencë edhe e zyrtarëve ta kuptojnë këtë, si një kostum personal, si koracë, ndaj ndjekjes penale.

Qëndrimi i opozitës në këtë pikë është gati alogjik dhe duket se ka rënë vetë në një kurth të pakuptueshëm, kurth të cilin e ka ngritur po vetë. Unë gjykoj se veprimi më normal që duhet të bëjë çdo opozitë është që të kërkojë heqjen e imunitetit për ti lënë zyrtarët, përgjithësisht mazhorancën qeverisëse, në dorë të lirë të prokurorisë.

Këtë kemi bërë dhe më 2003 kur e kemi kërkuar. E kuptoj qëndrimin e atëhershëm të Partisë Socialiste pse e refuzoi heqjen e imunitetit pasi ishte në qeveri. Sot, është ndryshe tërësisht. Partia Socialiste është në Opozitë, kërkoi që heqja e imunitetit të bëhej në Kushtetutë, e kërkoi me ngulm këtë në publik, pastaj ra përsëri brenda vetë, kur të gjithë i thanë:  Dakord, do bëjmë ashtu si ti kërkon.

Pas kësaj, tha se duheshin 8 pika dhe se kjo nuk bëhet derisa jemi para zgjedhjeve! Sigurisht që publiku nuk është naiv dhe e kupton se dy janë arsyet në lidhje me këtë. E para opozita si gjithmonë kërkon të nxjerrë pengesa për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin nëntor dhe të vazhdojë sërish rolin e saj bllokues. Ky kurth që u mundua të ngrejë për kundërshtarin politik, si shkaktar për mosintegrimin, po i  kthehet sërish asaj, sepse nuk po pranon versionin e heqjes së imunitetit e kërkuar nga vetë ajo, dhe të certifikuar nga ekspertët më të mirë të KiE dhe BE. E dyta është pengesa që Ramës ia kërkojnë njerëz të lidhur me të, zyrtarë, të cilët e shohin korracën e imunitetit si koracë për t’i shpëtuar dorës së drejtësisë. Dhe Rama e di që kjo është e vërtetë”.

 

A duket se heqja e imunitetit do të ndikojë që ta dobësojë dhe më tej denoncimin në parlament të rasteve të shumta korruptive në vend, duke llogaritur vetëfrenimin që mund të kenë deputetët për të bërë kritika dhe hedhur akuza konkrete?

“Unë mendoj të kundërtën. Ka një pjesë deputetësh në parlament që protagonizmin e tyre e mbështetin vetëm në një veprimtari: atë të përbaltjes së kundërshtarit. E kanë kthyer portretin e tyre, si personifikim të denoncuesit, kur në të vërtetë shpesh janë vetëm përbaltës, dhe asgjë më tepër. Vetë ata, e dinë se hetimi pa asnjë letër, pa asnjë fakt apo provë nuk të çon askund dhe ecin me teorinë shpif-shpif se diçka do ngelet. Nëse vërtet hetimi do të çojë në zbulimin e së vërtetës dhe dënimin e korrupsionit,  kjo do të çojë në inkurajimin e të gjithë denoncuesve realë, se kallëzimi i tyre i shërbeu publikut, por nga ana tjetër do të sillte dhe reduktimin e shpifësve dhe përbaltësve.

Dhe, unë gjykoj se kjo është më e mira që qytetaret duan. Ata duan të shohin se kur dikush ngre një akuzë në parlament, duan të dinë sa më shpejt të vërtetën në dritë të diellit”.

 

Sistemi ynë i drejtësisë, megjithë reformat, duket se nuk funksionon si duhet. E dëshmojnë këtë dhjetëra raporte ndërkombëtare të prodhuara ndër vite, ku sistemi i drejtësisë cilësohet si njëri ndër segmentet më problematike të shtetit. A është e saktë të thuhet se drejtësia është njëri ndër dështimet e mëdha të dy dekadave tranzicion? Në këtë aspekt, çfarë do të duhet të përmbante, shkurtimisht, një reformë e madhe e sistemit të drejtësisë, që do të shëronte plagët e tij tradicionale?

“Sistemi i drejtësisë ka probleme dhe sigurisht që askush nuk i mohon ato. Sistemi i drejtësisë nuk janë vetëm gjykatat dhe prokuroria. Sistemi i drejtësisë përfshin edhe një numër të madh aktorësh. Nga avokatia, noteria, përmbarimi, regjistrimi i pasurive, sistemi i burgjeve. Reformat që janë bërë në noteri, sistemin e regjistrimit të pasurive, janë reforma historike.

Ato janë reforma që me krenari mund të them se e kanë kthyer Shqipërinë lidere në rajon. Po kështu dhe reforma në përmbarim apo reforma në ekzekutimin e dënimeve nëpërmjet monitorimit elektronik të të dënuarve, po e kthejnë Shqipërinë sërish lider në rajon, për reformimin e thellë të drejtësisë. Ndaj padyshim që janë reforma që të bëjnë shumë optimist për të ardhmen. Reformimi i tyre varet tërësisht tek vizioni dhe vullneti i qeverisë. Dhe qytetarët e shohin çdo ditë se vullneti i qeverisë është i hekurt në këtë drejtim.

Por sigurisht që qytetarët i kthejnë sytë shpesh te prokuroria dhe gjykatat. Reformimi i tyre është më i vështirë sepse reformimi i tyre ka nevojë për një vizion të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës. Por dhe këtu ka progres në këto 20 vjet. Një sistem gjyqësor brenda standardeve evropiane është një sistem që mbështetet në dy shtyllat fondamentale kushtetuese: Pavarësinë dhe Përgjegjshmërinë apo llogaridhënien. Këtu buron dhe parimi check & balance. Ajo që unë gjykoj është se sistemi i drejtësisë në Shqipëri problem të tij të madh ka përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien dhe jo pavarësinë.

Të gjithë ata që kanë pasur rastin të shkojnë në gjykata apo dhe vetë gjyqtarët që më dëgjojnë tani, besoj se më kuptojnë fare mirë se gjyqtarëve apo prokurorëve devijantë, nuk u bëhet shumë vonë për politikën apo pushtetin politik sesa e kanë mendjen tek vektorët e tjerë, përgjithësisht ekonomikë.

Unë nuk do thosha se është dështim. JO aspak. Gjatë këtyre 20 vjetëve, drejtësia ia ka dalë të plotësojë ngadalë-ngadalë çështjen e pavarësisë. Ia doli që të ketë një platformë ligjore për një prokurori të pavarur, që nuk ka pikë lidhje me qeverinë dhe politikën.

Nuk ka standard të tillë siç e kemi ne, ku prokurori ka pavarësi të plotë nga ekzekutivi. Në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së, Francë, Gjermani etj., Prokurori është pjesë e Ekzekutivit. Por ne kemi vendosur një model, dhe besoj se do vazhdojë gjatë kështu. Ju e keni parë se ka vite, të paktën prej 2005 qe prokuroria nuk ka ngritur kurrë një akuzë ndaj partisë socialiste qoftë në pushtet qendror, qoftë lokal. Asnjë. Ndërkohë që i rri me shpatë në dorë mazhorancës, çdo ditë. Kjo është evidente, dhe krijon vërtet imazhin e një prokurorie të pavarur.

Gjyqësori ia ka dalë të largojë njëherë e mirë militantët nga gjykatat e shkallës së parë dhe Apelit. Për t’u futur në gjyqësor duhet të kalosh vetëm nga magjistratura, dhe kjo është arritje në depolitizimin e sistemit. Kjo u realizua në 2008 me shumë përpjekje, të njëjtën gjë po bëjmë dhe për gjykatën e lartë, dhe unë e kuptoj rezistencën e opozitës sepse nuk e lenë njerëzit e saj që flenë natën dhe gdhihen në mëngjes me ëndrrat për të qenë anëtarë të gjykatës së lartë. E kanë bërë këtë për 8 vjet kur ishin në pushtet, pasi 30% e anëtarëve të gjykatës së lartë ishin ish-deputetë të PS-së, dhe po kështu edhe drejtuesit e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese ishin drejtues të lartë të PS. Ndaj dhe sot ka progres në lidhje me çështjen e depolitizimit dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Por problem vazhdon të ngelet çështja e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies. Por dhe këtu ka progres.

Po ecet drejt dixhitalizimit të sistemit. Pas pak ditësh, do inaugurojmë një portal të rëndësishëm: Portalin e sistemit gjyqësor. Të gjithë gjykatat do të jenë në një portal të vetëm, duke bërë transparent për publikun dhe duke nxjerrë në dritë të diellit gjithçka që ndodh në gjykata. Po drejtojmë projektorët e publikut drejt gjyqësorit duke e bërë atë më transparent. Qytetarët, por dhe inspektorët e KLD apo Ministrisë, do kenë mundësi monitorimi online të procesit, të shohin me zë e figurë çfarë ndodh në sistem. Dhe kjo nuk është absolutisht pak. JO. Transparenca dhe monitorimi janë te elementët më të rëndësishëm të luftës ndaj korrupsionit në drejtësi. Sepse nëpërmjet transparencës ndizen llambat e alarmit për gjyqtarët devijantë dhe të korruptuar, rritet përgjegjshmëria ndaj ligjit dhe skanimi i performancës së çdo gjyqtari. Kush duhet të ecë në karrierë dhe kush duhet të largohet nga sistemi. Ndaj dhe këtu padyshim ka progres. A janë mjaftueshëm? Jo nuk janë. Është e nevojshme dhe reforma legjislative, në mënyrë që promovimi, transferimi i gjyqtarëve të bëhet në bazë të meritokracisë dhe llogaridhënia të japë efektet e duhura. Po kështu dhe rritja e performancës së sistemit gjyqësor nëpërmjet profilizimit të gjyqtarëve dhe gjykatave, janë elementë të rëndësishme.  Këto të fundit, kanë nevojë për paketa ligjore, të cilat janë hartuar dhe disa janë miratuar kurse disa presin të marrin dhe pëlqimin e opozitës”.

 

A duhet të ketë një cak imuniteti i gjyqtareve?

“Padyshim që po. E thashë dhe më lart, se çështja e imunitetit është një mur që duhet të bjerë. Duhet të bjerë për zyrtaret ashtu si dhe duhet të bjerë edhe për gjyqtarët. Çështja e llogaridhënies sigurisht që ka lidhje me imunitetin dhe ndjekjen penale. Por nuk jam utopik e të them se po u hoq imuniteti, korrupsioni ikën  si me magji. Jo aspak. Korrupsioni është një sëmundje e rëndë në gjyqësor dhe ka nevojë për një mjekim të fortë dhe një terapi të fortë. Ndaj janë të nevojshme të gjitha ato reforma që thashë më lart. Transparencë e lartë për të identifikuar gjendjen dhe luftë pa kompromis ndaj gjetjeve të korrupsionit në drejtësi”.

 

Përplasjet e derimëtashme të Kreut të shtetit, Topi me kryeministrin Berisha kanë sjellë shumë probleme në Sistemin e Drejtësisë, lidhur me kryeprokuroren, por edhe me çështje të tjera. A mendoni se ardhja e presidentit të ri, do t’i fashisë këto?

“Unë nuk e shoh aspak kështu. Nëse ka pasur përplasje me Presidentin për çështjet e sistemit të drejtësisë, gjykoj se ato nuk e kanë dëmtuar aspak drejtësinë. Debatet kanë pasur të bëjnë me përzgjedhjet e z. Topi për gjyqtarët, promovimet dhe transferimet. Dhe këto nuk janë gjetje të Kryeministrit dhe as të Partisë Demokratike. Janë gjetje të ekspertëve të BE-së, të cilat kanë deklaruar kohë më parë, dhe jo vetëm, se ky proces është aspak transparent dhe i dyshimtë. Dhe në fakt me këtë konkluzion janë pajtuar dhe vetë gjyqtarët. Çështjet e transferimit dhe promovimit të gjyqtarëve janë kthyer në barsoleta mes tyre. Aq sa dhe unë nganjëherë nuk i besoj, derisa ndonjëri prej tyre fillon dhe më tregon sms-të e shkëmbyera. Sigurisht që nuk janë prej z. Topi, por unë nuk kam mundësi të besoj se gjithçka ndodhte ishte jashtë dijenisë së tij. Nuk dua të vazhdoj me këtë histori sepse Presidenti Topi është në fund të mandatit të tij dhe është më mirë të flasim për të ardhmen.

Unë jam njeri optimist nga natyra, dhe kam besim të plotë që Presidenti i ri, me integritetin dhe përgjegjshmërinë e lartë që e karakterizon, do të bëjë ndryshimin e madh që gjithë shqiptarët presin në këtë proces të rëndësishëm në të cilën ndodhet vendi”.

 

Keni qenë kryetar i komisionit parlamentar që heton ngjarjen e 21 janarit. A mendoni edhe sot, një vit e gjysmë pas ngjarjes në fjalë, se atë ditë pati një grusht shteti në Tiranë?

“Koha është faktori më i mirë për të bërë analizat e historisë. Para se të përgjigjem unë sot për këtë pyetje, kanë ndodhur shumë ngjarje dhe kanë folur edhe shumë personalitete të tjera. Kanë folur ambasadorë të cilët janë shprehur kritikë të fortë me veprimet dhe mosveprimet e Institucioneve, të Presidentit dhe institucioneve të tjera. Çdo qytetar sot ka mundësi të bëjë analizën e asaj dite dhe të shohë se cilat ishin veprimet e secilit institucion, në kohë e në hapësirë, gjatë natës, të nesërmen, pas një jave, pas një muaji dhe sot 1 vit e gjysmë më vonë.

A ishin në sinkron me njëri –tjetrin apo veprimet ishin të pavullnetshme dhe rastësore. Prokuroria që kërkonte të arrestonte gjysmën e gardës brenda pak minutash, dhe kur vetë i bëri të gjitha hetimet provoi se ishte tërësisht e pavend ky vendim i asaj dite.   E kam të vështirë të besoj të kundërtën, dhe besoj jo vetëm unë. Megjithatë, unë kam rreth një vit që jam larguar nga ai komision dhe i përket kolegëve të japin vendimin e tyre në lidhje me këtë çështje, bazuar në monitorimin që ata i kanë bërë ngjarjeve dhe institucioneve”.

 

Opozita akuzon se një institucion në varësinë tuaj, shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve (SHKBB), ka marrë kompetenca që mbivendosen me ato të SHISH, për sa i përket mënyrës së mbledhjes së informacionit. Cila është përgjigja juaj?

“Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë këtë pretendim dhe nuk besoj se ka ndonjë të vërtetë në këtë gjë. SHISH dhe SHKB e burgjeve kanë një bashkëpunim të përditshëm, prej shumë vitesh, për të cilin unë jam vazhdimisht i informuar, por nuk di të ketë një shqetësim të tillë”.

 

LSI vendosi të ndryshojë një pjesë të ministrave të saj brenda një harku të shkurtër kohor. A nuk krijon kjo një përshtypje se qeveria funksionon me segmente të ndara, ku secila forcë politike bën atë që dëshiron?

“Në çdo qeveri të ndërtuar në bazë koalicioni, në çdo vend demokratik, ngjarje të tilla janë krejt normale. E njëjta gjë ka ndodhur në Gjermani kur qeveria ishte një koalicion i gjerë mes të majtës dhe të djathtës, e njëjta gjë ka ndodhur dhe në Itali, dhe është një zhvillim normal me qëllim rritjen e performancës së përfaqësimit të partisë përkatëse në qeveri. Në një koalicion sigurisht që kompromisi, hapësira e duhur dhe fryma e besimit janë elementët me fondamentalë të ekzistencës”.

16 komente në “INTERVISTA/ Halimi: Heqja e imunitetit do të pakësojë shpifësit”

  1. Vlora says:

    ha ha ha,,, e nxoren koken me ne fund……

    duan te vjedhin e te vrasin ne qetesi dhe njeri te mos i ngacmoje.

    1. laberisht says:

      Po nxirre koken o liliput.
      Ja ku na qendron kerkesa Berisha.
      Njerezit ta qepin gojen edhe kur
      akti i koripsionit ja bene Mu-Muuuu.
      A sa dobica qe jeni ju argatet e Berishistanit.
      Turp! nje miljon here turp.
      O Qeveri e mbyllur me Kyc sekret

  2. amerika says:

    E ka pare zote kete debil prandaj dhe eshte vetem 3 feet i gjate sorry I meant to say 1 meter i gjate. Cfare budalli. Kam nje pyetje
    A e kuptojme debile si ky cfare thone apo thjesht lexojne gjepurat e Sales me shoke cfare fatkeqesie per shqiperi qe ka rene ne duar te ketij modeli, vertet fatkeqesi.
    Te sugjeroj ore shoku Hale(im) qe shkosh ne djall ti Sala dhe sistemi tend i “drejtesis”. Turp

  3. Vlora1912 says:

    Bravo Halim!!!!

    Bravo qe je kaq trim dhe i ndershem, i thua gjerat troç pa ta ndjer fare per te gjallet e tjere…

    Pra qellimi i Jueeeej, per kete fushat heqje imuniteti, eshte te rrallohen “Shpifjet” dhe jo korrupsioni!!!!!!!!

    Kuptohet qe me “shpifje” klani i Barbaris tuaj nenkupton denoncimin e korrupsionit…

    Edhe njehere Bravo o trim, qe u pasurove kaq shpejt dhe s’te hyri gjemb ne kemb…Dhe ka shance ti gezosh!!!!!!!!( Megjithse kjo s’eshte kurrë e sigurt)

    1. hasan says:

      Zoti Vlora.Jo,jo une te drejtohem ty.Ta dish mire ti.Se shpifje nuk te
      lejoj une ty qe te besh.Jo ,jo ta dish mire ti.Iku ajo kohe kur benit si ju donte qefi.Shpifnit sa te donit.Nuk ka me te filmoni duke shpifur me zyrtare e qeveritare.Njehere ndodhi ajo e Ilir Metes.Jo,jo nuk ka per te bere me vaki te shpifni fakte juve.Ju njoh mire une .Je dhe nga Vlora ti.Po,po ne Tirane do ta festojme njeqind vjetorin.Faktet kurre nuk do tja u leme ti shpifni.Do te perballeni me forcen e ligjit po shpifet me fakte.Shikoni me pare familjen e Edvin Kristaq Rames,qe torturon nenen e vet.Ate shikoni ju,se si shpif ai per nenen e vet.ligji,ligji dhe vetem ligji per shpifesit.Kaq te them une ty zoti Vlora.Ta tregoj une ty.

  4. xhemal says:

    epoara gazetaret jane te paret qe bien ne gracken e pushtetit ne shqiperi pse gjithmone per mua te merej ne intervist nje profesor universiteti apo nje ish anetar i gjykates kushtetuese nje anetar i gjykates larete nje tjeter intelektual jashte politikes per ti kuptuar mire gjerat se politikanet pergjithesisht genjejne ,ne shqiperi ,apo shprehin idene e patise se tyre

  5. mira says:

    Aty fle lepuri mor fshatar-lepur-frikacak. Ti mbyllesh gojen opozites dhe kujdo qe flet kunder serbitshpellar, prandaj ju zu goja lesh per imunitetin. Mos ki merak se per lesh do ikni te gjithe!!!

  6. Sinani says:

    Sipas Halimit, shpifesit me te medhenj jane brenda rradheve te atyre qe kane imunitet. Bravo Halim!Shume mire! Sigurisht ti ke parasysh Saliun, burimin e te gjitha shpifjeve!

  7. Eni says:

    Po mire mo Edi, po z. Kryeminister nuk perbalt, kur shan me nena e me motra, apo vec familjaret e tij kane nder? Ketu o zoti Halimi ka dy standarte ne drejtesi, e kane thene dhe te gjithe raportet nderkombetare qe citon ti per transferimet e dyshimta. Nje standart qe pranon si deklarata politike te gjitha ndyresite qe dalin nga halja e shefit tat,nje standart qe kur i permenden familjaret atij, duhesh denuar, dhe mire madje.

  8. trimimire says:

    Me ne fund miu i gjirizit nuk duroi dot dhe e tha pse ju duhet heqja e imunitetit. Qellimi i tyre sikurse deklaron edhe ky kokeshtypur, eshte qe ti mbyll gojen opozites, se po denoncoi kush nga ata ndonje afere koruptive te berishes e familjes se tij dhe ministrave, te arrestohet e te shkoje ne burg. Edi Rama ka pergjegjesi te madhe per kete ceshtje, si para partise se tij ashtu edhe popullit, qe te mos bjere me ne kurthet e ketij kryeministri dallkauk,

  9. Treviso says:

    O minister idjot,se te jeni ju kafshet ne pushtet, Shqiperia do jete gjithmone lider ne te gjitha fushat.

  10. tekniku says:

    Ja ku na qenka halli me ne fund.Ligji per agjitacion e propogande kunder Partise dhe udheheqjes duhet rivendosur.Ngrehu Enver nga varri se nuk kane lene gje pa pervetsuar e zbatuar nga mesimet e tua.

  11. NAVE NA says:

    kjo a demokraci,jo llafe!
    nje debil behet minister! rrofsh o popull!

  12. Kol Stojani says:

    I gjithe halli i ketij plehres qe eshte bere Minister Muti se drejtesi nuk ka ne ate vend eshte qe te mos flase njeri per vjedhjen edhe korupsionin e madhe qe ka pllakosur nga pashallaret blu te Saliut Opoziten se ka degjuar njeri dhe deri tani jane ngjeshur me milionat e gjobave qe u kane vendosur ushtaret me fustanella te cdrejtesise Tani e tutje do ti fusin ne burg MJere ai vend qe nuk beri shtet asnjehere por gjithmon ngeli me Parti shtet Vafshi ne djall te gjithe o kelyshet e Enverit.

  13. Idriz Tafa says:

    Heqja e imunitetit rikthen nenin 55 per agjitacion-propagande, pasi do te jete PD-ja (domethene z. Sali Berisha) qe do te vendose nese nje deputet shpif apo thote te verteten per nje rast korrupsioni.
    Tani opozita ndodhet para dilemes se vitit 1946 kur opozita u eleminua me “grupin e deputeteve”.
    Kete gje paralajmeroi dhe kryetarja e Parlamentit znj. Jozefina Topalli.
    Nderkombetaret heshtin per kercenimet e pushtetit dhe bejne namin kur flet e ndrojtur opozita.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje