Grabitet gruaja e Kavanit

25 Korrik 2012, 11:36Sport TEMA

Keqbërësit kanë vënë përsëri në shënjestër sulmuesin e Napolit, Edinson Kavani. Nëse disa muaj më parë hajdutët vendosën t’i vidhnin shtëpinë në këtë qytet, dje radhën e kishte një grabitje më “personale”, pasi disa persona të paidentifikuar kanë pritur gruan e futbollistit që po dilte nga spitali pas një vizite mjekësore, duke i marrë me dhunë një orë dore luksoze.

Maria Soledad ka mbetur e tronditur nga kjo ngjarje, ashtu si edhe vetë futbollisti që aktualisht gjendet në Londër për të marrë pjesë në Olimpiadë me kombëtaren e vendit të tij.

Vitin e kaluar, pas grabitjes që i bënë shtëpisë së tij hajdutët kur ai ishte përsëri i grumbulluar me kombëtaren e Uruguait, Kavani vendosi të ndryshonte zonën e banimit në qytet. Ai aktualisht banon në një zonë rezidencash të mbrojtur me roje private që patrullojnë 24 orë në ditë.

Ndërsa në vitin 2011, ishte menaxheri i tij që përfundoi në duart e keqbërësve të cilët i vodhën portofolin dhe orën e dorës pasi për ta kërcënuar i vunë pistoletën në bark gruas së tij shtatzënë.

Në këtë situatë, tifozët e Napolit por edhe drejtuesit skuadrës kanë filluar të shqetësohen seriozisht për të ardhmen e lojtarit i cili ka bërë të qartë se nuk dëshiron të rrezikojë jetën për të luajtur futboll në këtë qytet. Sulmet personale të keqbërësve ndaj tij mund të afrojnë largimin e sulmuesit që kërkohet nga ekipet më në zë të futbollit evropian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje