Lionel Mesi është dëmtuar lehtë në stërvitje dhe do të mungojë në ndeshjet e para përgatitore të Barcelonës. Lajmi nuk shqetëson trajnerin e Barcelonës, Tito Vilanova, por drejtuesit e klubit katalanas që kanë parë t’i ikin nga duart gjysmë milioni euro vetëm për shkak të dëmtimit të futbollistit argjentinas.
Barcelona ka planifikuar sot një miqësore kundër Hamburg, e para për katalanasit në këtë sezon dhe organizatorët e ndeshjes në Gjermani i i kanë premtuar 1.2 milionë euro për këtë ndeshje si shpërblim për pjesëmarrjen.
Por në kontratën e nënshkruar mes palëve është e parashikuar specifikisht që pjesëmarrja e Lionel Mesit në këtë takim kushton rreth 500 mijë euro, diçka më shumë se 30% e fitimeve nga kjo sfidë. Kjo për faktin e thjeshtë se shumëkush shkon në stadium vetëm për të parë duke luajtur talentin e Barçës dhe jo për të ndjekur një ndeshje pa pikën e rëndësisë në aspektin sportiv.
Aq e rëndësishme ishte prania e Mesit, sa organizatorët e takimit që zhvillohet për 125 vjetorin e themelimit të klubit të Hamburgut, nuk kanë përfshirë në klauzolë lojtarët e Spanjës që vazhdojnë të jenë me pushime pas pjesëmarrjes në Euro 2012 ku u shpallën fitues.