Alesandro Matri është shumë pranë kthimit të klubi nga akademia e të cilit doli disa vite më parë, Milani. Sulmuesi duket se do të kërkojë përfundimisht transferimin nga Juventus, ku ka humbur pozicione në hierarkinë e ndërtuar nga Antonio Konte dhe kërkon një skuadër ku mund të luajë me rregullsi.
Për momentin, Milan është alternativa më e mirë e mundshme pasi aty ka një vend të lirë në repartin e avancuar, pas largimit të Ibrahimoviç. Për më tepër, kuqezinjtë drejtohen nga Masimiliano Alegri, trajner në drejtimin e të cilit ai shpërtheu në futbollin e rëndësishëm me fanellën e Kaljarit.
Në fund të ndeshjes së trofeut TIM mes Juventus dhe Milan, një episod i kapur nga kamerat televizive kanë treguar qartë që marrëveshja është drejt mbylljes dhe shumë shpejt pritet firma. Mbrojtësi Bonera i është afruar dhe e ka pyetur: “Atëherë, do të vish te ne?”, ndërsa gjestet e sulmuesit lanë të kuptohet qartë për një përgjigje pozitive.
Tani mbetet për t’u përcaktuar modaliteti i transferimit, pasi Juventus kërkon menjëherë 12 milionë euro, ndërsa Milan pretendon ta marrë në formë huazimi me të drejtën e blerjes përfundimtare në fundin e sezonit të ardhshëm.