Edhe Dortmund kërkon largimin e Blater

22 Korrik 2012, 15:38Sport TEMA

Presidenti i Borusia Dortmund, Hans Joakim Uatzke, ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Sep Blater nga posti i tij si president i FIFA-s.

Akuzat e freskëta për korrupsion brenda organizatës që drejton futbollin botëror kanë dalë në skenë gjatë kohëve të fundit, ndërsa si ish-presidenti Zhoao Havelanzh, ashtu edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Rikardo Tekseira, akuzohen se kanë përfituar shuma të mëdha si ryshfet nga një ish-kompani marketingu që ishte partnere me FIFA-n.

Blater iu përgjigj akuzave duke thënë se ai nuk kishte fuqi juridike që të ndëshkonte këtë dyshe zyrtarësh, gjë që solli reagimin e menjëhershëm të presidentit të Ligës Gjermane të Futbollit, Reinhard Rauball dhe presidentit të Bajern Mynih, Uli Hënes, të cilët kërkuan menjëherë dorëheqjen e tij.

“Unë do t’i bashkohem thirrjes së Rauball”, tha Uatzke. “Presidenti i Ligës Gjermane kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Blater. Ai ose largohet në mënyrë vullnetare, ose Komiteti Ekzekutiv duhet të shprehë hapur mosbesimin ndaj tij. Nuk duhet harruar se sa shtrenjtë i ka kushtuar Blater FIFA-s”.

“Mendoj se FIFA e ka kuptuar se nuk mund të vazhdojë më kështu. Dëmi që i bëhet imazhit të saj është i jashtëzakonshëm”, konfirmoi Uatzke.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje