Ferguson konfirmon: Dua Van Persin

21 Korrik 2012, 12:42Sport TEMA

Aleks Ferguson ka konfirmuar se Mançester Junajtid është i interesuar për të blerë Robin Van Persi nga Arsenali, por është i shqetësuar pasi “ankandi” i hapur për futbollistin mund të çojë vlerën e tij mbi 30 milion paund.

Trajneri i “djajve te kuq” konfirmoi se ka bërë një ofertë për futbollistin holandez, por nuk shihet si një nga të favorizuarit për të siguruar shërbimet e lojtarit, edhe për shkak të historisë aspak të qetë mes tij dhe Arsen Venger, i cili do të ketë fjalën e fundit në këtë çështje.

“Kuptohet që Arsenali ka zbuluar se ne kemi bërë një ofertë për futbollistin. Ne mundohemi zakonisht të mbajmë gjithçka të fshehtë deri në momentin kur sigurojmë transferimin. Nuk kemi treguar asgjë pasi nuk ka asnjë rëndësi të flasësh për një gjë që mund të mos ndodhë. Ka edhe klube të tjera që interesohen për futbollistin. Kemi bërë një ofertë dhe kjo është pika në të cilën gjendemi aktualisht”, tha ai.

Me sa është mësuar nga “Daily Mail”, Arsenali ka marrë tre oferta gjatë kësaj jave nga tre skuadrat e interesuara për shërbimet e futbollistit. Mançester Junajtid ka ofruar 8 milion paund, Juventus 10 milion paund dhe Mançester Siti rreth 12 milion paund, po asnjë nga këto shifra nuk ka kënaqur drejtuesit e Arsenalit që i kanë refuzuar menjëherë ato.

Gazeta britanike bën të ditur se Junajtid nuk ka ndër mend të kalojë shifrën e 15 milion paund për futbollistin, ndonëse Ferguson ka pranuar se shifra e tij mund të arrijë 30 milion paund për shkak të konkurrencës me dy ekipet e tjera. Por “djajtë e kuq” nuk kanë ndër mend të shpenzojnë një shumë të tillë, për shkak të moshës së lojtarit dhe problemeve të vazhdueshme me dëmtimet që ka kaluar ai në vitet e fundit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje