Totenhem kërkon 35 milion paund për Modriç

19 Korrik 2012, 12:07Sport TEMA

Trajneri i Totenhem, Andre Vijas Boas, i ka bërë të qartë kroatit Luka Modriç se nuk do të lejohet të largohet nga kjo skuadër derisa dikush të ofrojë 35 milion paund për blerjen e tij.

Modriç është një objektiv i merkatos si për Real Madrid, ashtu edhe për Mançester Junajtid, ndaj Totenhemi e di që do të jetë e vështirë të mbajë yllin e mesfushës së saj. Por anglezët e dinë vlerën e futbollistit dhe nuk duan ta lënë t’i ikë nga duart mundësia për të përfituar sa më shumë ekonomikisht nga kjo çështje.

“Ka patur interesim të vazhdueshëm për Modriç nga tre klube të ndryshme. Por është e rëndësishme që Totenhem të ketë mundësinë të thotë fjalën e vet në këtë çështje”, deklaroi Vijas Boas.

“Situata e tij do të vazhdojë ashtu siç është derisa të na ofrohet një shifër e përshtatshme. Luka është një person inteligjent dhe e di që klubi duhet të mbrojë vlerën e tij, të drejtat që ka dhe interesin. Oferta nuk përputhet me atë që kërkon bordi drejtues i klubit. Nëse do të përputhet në të ardhmen, atëherë nuk do të ketë asnjë lloj problemi”, tha portugezi.

Modriç e ka shprehur publikisht dëshirën për të ndërruar skuadër pasi dëshiron të luajë në Ligën e Kampioneve, një mundësi që ia ofrojnë si te Mançester Junajtid, ashtu edhe te Real Madrid.

Futbollisti, që iu bashkua klubit anglez nga radhët e Dinamos së Zagrebi katër vite më parë, është në kontratë me klubin deri në vitin 2016.

1 komente në “Totenhem kërkon 35 milion paund për Modriç”

  1. madrid says:

    nqs reali e do vertet atehere kjo pune eshte e perfunduar.nuk ka ekip ti bej ball florentino perez ne markato.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje