DOSJA/ Vrasës në drejtim të paditur

8 Gusht 2012, 10:00Politika TEMA

Janë ekzekutuar me plumb e eksploziv, kanë humbur jetën në vende publike, por autorët e krimeve vazhdojnë të jenë të lirë. Një serial vrasjesh që kanë mbetur mister dhe kanë tronditur opinionin në vendin e dytë në Evropë me nivelin më të lartë të vrasjeve, me katër-pesë të tilla për 100 mijë banorë. Një dosje me ekzekutimet më të rënda me viktima që nga njerëzit e politikës, tek të skeduarit nga policia e deri tek qytetarët e pafajshëm. Një dosje për krimet e rënda të vetëm tre vjetëve të fundit, një dosje e pambyllur që fatkeqësisht vijon

 

Nga Lorenc Vangjeli

 

“Nuk ka asnjë centimetër (katror) të territorit të Republikës së Shqipërisë që nuk është i policuar dhe i sigurt. Ka lagje në Paris dhe në Bruksel që policia nuk i ka 100 për qind nën kontroll”. Njeriu që flet kështu është ministri i ri i brendshëm shqiptar, Flamur Noka. Nëse Noka e ka sinqerisht dhe e beson këtë që thotë, ky do të ishte një lajm i mirë, por realiteti në vend ngjan shumë më i zymtë. Edhe nga interpretimi i statistikave, me rreth 4.5 vrasje për 100 mijë banorë, edhe me zona të tëra të vendit jashtë kontrollit të policisë. Në rastin e parë, Shqipëria lë pas nga niveli i vrasjeve vetëm republikën ish-sovjetike të Lituanisë, në rastin e dytë, Lazarati apo zona të tjera të thella të vendit, e shohin praninë e policisë vetëm kur ndodhin krime të rënda apo në aksione tip fushate antidrogë. Por nuk është ky problemi më i madh. Policia ka “sukses” në zbulimin e autorëve të vrasjeve kryesisht në krimin ordiner brenda familjes; atëherë vrasësi identifikohet lehtë. E njëjta gjë edhe në rastet e vrasjeve për gjakmarrje, në të cilat shpesh autori e quan pjesë të veprës kriminale edhe autoidentifikimin. Zbulueshmëria është mjaft problematike në vrasje të tjera që kanë tronditur opinionin publik, motivet e të cilave mbeten mister dhe po mister mbeten dhe autorët e pandëshkuar.

Revista Java liston një numër krimesh të rënda. Më “i vjetri” i tyre ka ndodhur vetëm tre vjet më parë. Shumë më shumë se kjo listë, janë të tjera krime vrasjeje të cilat kanë mbetur prej vitesh pa autor. Ekzekutime të frikshme me eksloziv, me zjarr dhe breshëri automatikësh të cilat kanë mbetur ende në dosjet e policisë nën shënimin: për hetime të mëtejshme.

 

Fatmir Xhindi, deputeti socialist

Në 3 maj 2009, Fatmir Xhindi, deputet i Partisë Socialiste qëllohet me kallashnikov në mbrëmje, në oborrin e banesës së tij në Roskovec, Fier. 49 vjeçari kishte mundur të mbijetojë deri në spital, por aty e humbi betejën për jetën. Partia Socialiste e konsideroi vrasje politike aktin kriminal, ndërsa policia premtoi se do të përfshinte në hetim specialistët e saj më të mirë për zbardhjen e krimit. Edhe pse u shoqëruan dhjetra të dyshuar, edhe pse u dhanë afate pas afatesh për zbulimin e autorit të mundshëm, tre vjet më pas, nuk është bërë asnjë hap për një gjë të tillë. Madje, nuk janë saktësuar as pistat e mundshme të krimit.

 

Skerdilajd Konomi, gjykatës,

Kanë qenë fatale vetëm disa qindra metra udhëtim me mjetin e tij për Skerdilajd Konomin, gjykatës në gjykatën e rrethit të Vlorës. Në paraditen e 9 shtatorit 2011, në bulevardin e Skelës të qytetit të Vlorës, makina e 33 vjeçarit u hodh në erë nga një shpërthim i fuqishëm eksplozivi. Dhe çfarë nisi eksplozivi, e përfundoi zjarri që shpërtheu në makinë që i morri jetën në mënyrë të tmerrshme gjykatësit të ri. Pista kryesore e hetimit ishin çështje të diskutueshme pronësie. Edhe pse policia mëse njëherë pretendoi se ishte pranë zbardhjes së autorëve të krimit të rëndë dhe të konsideruar atentat mafioz nga mënyra e ekzekutimit, ata kanë mbetur ende të panjohur.

 

Remzi Veseli, kryekomunar

Në 25 tetor 2010, ishte radha e një tjetër viktime të lidhur me politikën. Remzi Veseli, kryetar i komunës Tërthore në Kukës, është qëlluar në automjetin e tij me armë zjarri ndërsa po kthehej në shtëpi. U ndaluan dhjetra persona për t’u marrë në pyetje, por askush nga ta nuk u arrestua. Sipas policisë që afroi dhe një shpërblim prej 50 mijë dollarësh për informacionet që do të sillnin arrestimin e vrasësit, askush nga të shoqëruarit, nuk provohej se kishte qëlluar mbi Veselin. Dosja e tij ndodhet sërish në polici për t’u hetuar dhe vrasja ka mbetur pa autor.

 

Aleks Keka, veprimtari i PDK-së

Më pak se dy javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009, në datën 19, në mesditë, automjeti i Aleks Kekës, kryetar i degës lokale për Malësinë e Madhe të PDK-së, u hodh në erë nga një sasi eksplozivi C4. Ngarkesa e vdekjes u vu në funksionim nëpërmjet celularit. Policia nënvizoi se viktima kishte pasur precedentë penalë, të njëjtën linjë ndoqi dhe politika zyrtare e djathtë, çka shkaktoi shkëmbim të nxehtë replikash me demokristianët. Edhe kjo vrasje vazhdon të klasifikohet pa autor në dosjet e policisë.

 

Eleni Basho, laborante dentare

Po kthehej në shtëpi në një mbrëmje me shi kur e qëllojnë me pistoletë pas shpine. Eleni Basho, nënë e dy fëmijëve të mitur u qëllua për vdekje në 2 shkurt 2012 dhe nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra. Ditë më pas, policia pretendoi se krimi ishte porositur nga bashkëshorti i saj, i cili u arrestua, edhe pse kishte një alibi të provuar që e mbante atë larg nga vendi i krimit. Motivi: një lidhje jashtëmartesore e tij e zbuluar nga viktima. Por vetëm pak muaj më pas, vetë policia tërhiqet nga akuzat e saj sepse nuk mundi ta vërtetojë atë dhe burri i dyshuar rifitoi lirinë.

 

Megi Jokiçi, farmaciste

Po atë ditë, në 2 shkurt 2012, vetëm një orë mbas vrasjes së parë në periferi të Tiranës në Shkozë, Megi Jokiçi qëllohet ndërsa qëndronte në automjetin e saj në fillim të rrugës Komuna e Parisit. Plumbat e nisur për një tjetër shënjestër i morrën jetën farmacistes së re. Edhe pse në një zonë mjaft të populluar, edhe pse dëshmitarë okularë kishin mundur të dallonin vrasësin që kishte mundur të largohej më këmbë nga vendi i krimit, ai ende ka mbetur pa emër për policinë dhe pa ndëshkim nga drejtësia.

 

Isa Çoba, punonjës i SHISH

Mister ka mbetur edhe ekzekutimi në stil mafioz i punonjësit të SHISH Isa Çoba në 25 tetor 2011. Çoba u gjet i djegur brenda automjetit të tij në mesnatë në zonën e Currilave në Durrës. Fillimisht u dyshua për vetëvrasje, por më pas, ekspertiza dëshmoi se viktima ishte qëlluar më parë për vdekje dhe më pas ishte djegur me benzinë. Edhe pse për zbardhjen e krimit u angazhuan specialistët më të mirë të antikrimit, sërish ai ka mbetur në terr pa autorë dhe pa motive të qarta.

 

Anwar Rizik, palestinez

Një bombë e telekomanduar i mori jetën në derën e shtëpisë punonjësit të fabrikës së çimentos në Fushë Krujë, Anwar Rizik. Rizik po dilte nga shtëpia e tij me gjithë djalin e mitur në 9 maj 2012, kur shpërthimi i fuqishëm nuk i dha asnjë shans për mbijetesë, por duke kursyer për mrekulli të birin. Policia shoqëroi me dhjetëra të dyshuar, kryesisht nga zona e Fushë Krujës, por nuk mundi të vërtetojë autorësinë e krimit për anjë prej tyre. Edhe kjo dosje ka mbetur pa autor.

 

Arian Selimi, në arrest shtëpie

Kishte mundur të rifitonte lirinë e përkohshme duke u kthyer në arrest shtëpie, meqenëse procesi i tij për trafik droge ende nuk e kishte shpallur fajtor dhe ishin tejkaluar afatet ligjore të hetimit gjyqësor. Selimi, një emër i njohur në Tiranë, u qëllua në 26 shtator 2011 në afërsi të banesës së tij nga breshëri të gjata automatiku. Atentati, gjatë të cilit u plagos dhe një i ri tjetër, ka mbetur pa autor, ndërsa për motivet e vërteta të tij, ndonëse policia pretendon se bëhet fjalë për hakmarrje, vetëm mund të hamendësohet.

 

Sokol Doçi, avokat

Vetëm 33 vjeç, avokati Doçi është ekzekutuar me armë automatike mbas mesnatës së datës 28 korrik 2011. Pjesëtar në disa procese të bujshme gjyqësore dhe mbrojtës legal i emrave të njohur dhe me lidhje politike, Doçi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të shumta që kishte marrë. Pistat që ngriti policia kishin të bënin me aktivitetin e viktimës, por nuk mundi t’i gjejë një emër autorit të vrasjes.

 

Franc Konomi, i njohuri i 90-ës

Një nga emrat më të njohur të Tiranës së viteve 90’, Franc Konomi, u ekzekutua nga dy persona që ndodh­eshin  në bordin e një motori të fuqishëm në qendër të Tiranës. Ai u që­llua në sheshin Avni Rustemi në 8 korrik 2010, vetëm tre ditë pasi ishte kthyer në Shqipëri nga Gjermania ku jetonte prej shumë vitesh. Policia e lidhi atentatin me të shkuarën e viktimës, por edhe pse pati dyshime konkrete për persona konkretë që mund të kishin kryer vrasjen, ende nuk është arrestuar askush.

 

Aleksandër Koliçi ose Aleksandër Gremi

Njihej me dy mbiemra. Kishte blerë ushqime dhe po shkonte në drejtim të shtëpisë, në datën 15 korrik 2011, kur e qëlluan me pistoletë me silenciator. Edhe në këtë rast, pavarësisht se krimi ndodhi në një zonë mjaft të populluar, pranë rrethrrotullimit të Tiranës së Re, autori u largua në drejtim të panjohur duke mbetur edhe sot e kësaj dite, i panjohur për policinë.

 

Arlind Fuga, Pipja

Persona ende të panjohur për policinë ekzekutuan Arlind Fugën fare pranë qendrës së Tiranës. Viktima, prind i dy fëmijëve të mitur u qëllua në momentin kur 34 vjeçari po shkonte në shtëpinë e tij. Policia beson se krimi ka ndodhur për hakmarrje, por nuk ka asnjë ide se kush mund të ketë marrë hak mbi viktimën që u qëllua në 20 mars 2012.

 

Bledar Balliu, i njëjti fat

Me një tjetër viktimë, Koliçin, Balliu kishte ndarë të njëjtën akuzë, për të njëjtin grup kriminal dhe të njëjtin dënim me 12 vjet heqje lirie. Plot një vit mbas ekzekutimit të Koliçit, ata ndanë të njëjtin fund, në të njëjtin vend. Balliu, i akuzuar për vrasjen e shokut të tij, por i liruar nga akuza për mungesë provash, qëllohet për vdekje në 27 qershor 2012 në zonën e Tiranës së Re. Ashtu si në rastin e Koliçit dhe si në shumë krime të tjera të rënda, edhe vrasësit e tij vazhdojnë të jenë pa identitet nga policia.

12 komente në “DOSJA/ Vrasës në drejtim të paditur”

  1. coku says:

    keta jane te vrare diten ose naten ne mes te qytetit, mendoj se ka me shume qe jane zhdukur dhe nuk dihet se ku jane. tamam rendi nen kontroll. policia jone tani qe eshte vape ri ne hije, ne dimer ri ne diell te ngrohet dhe populli vritet.

  2. Te gjallet says:

    Ke haruar te ndjerin Trebicka!
    Terrori eshte nenshtrim dhe frike.

  3. xoxo says:

    policat kane frike per vete se aty eshte mafje e gjalle,plus rrogat i kane te ulta dhe kriminelet nuk pyesin as per polica as per ligje se pagujn e dalin prap,eshte fatkeqsi te jetosh ne shqiperi njerezit jane mesuar te thone vetem:” ashtu e pati kismet”

  4. SHABA says:

    Kto vrasje nuk do zbardhen asnjeher, perderisa shteti SHqiptar te drejtohet nga rrugaç e gangsterra,nje vend ku askerkush nuk kerkon hesap per çfar ndodh dhe askush nuk jep hesap per funksionin qe ka ne shpinen e vet,PSH siç esht rasti ministrit te brençem,postet ne shtetin ton te dashur jepen vetem ne saj te merites per vjedhje votash dhe çfrytezohen per perfitime personale,kjo esht dhe arsyeja qe nuk do te di askush nga pushtetaret se çfar detyre ka mbi shpin,kur kishim shtet, po keta ishim ne dhe athere, perse nuk ndodhte asnje vrasje,por edhe nje vrasje qe ndodhi ne vor me kujtohet qe vrasesi u fshe nje jav dhe u dorzua vet ne komisariat,dhe e dini pse se kishte shtet, duam apo nuk duam ne ta pranojm mbushuni me ment o SHqiptar, kishte shtet dhe shteti nuk drejtohej nga hajdut dhe rrugaç por nga njerez me dinjitet,qe per nje vrasje çohej shteti ne kemb dhe jepte llogari direkt ministri i brençem,pra ketu qendron e keqja dhe nuk duet ta kerkojm gjetiu,or SHqiptar po nuk u mesuam ti themi te zezez te zez dhe te bardhes te bardh,keshtu do te jetojm gjithmon qi qent e rrugve ku per ne nuk do ket kurr vler jeta njeriut.

  5. Tarrasi says:

    Harruat Florian Vilen apo nga qe ate supozohet ta kene hequr qafe qarku i politikaneve te opozites? !

    Po Remzi Hoxhen?

    Po Azem Hajdarin?

    Kosta Trebicka?

    …. ehu lista ska te mbaruar … por po na mbarojne njerzit

    1. AHA says:

      TREBICKA ESHTE VRARE NE MES TE TIRANES…!

      1. ciu says:

        Ju lutem na thuaj dicka me shume per kosten

    2. Juli says:

      Dhe amerika e ndihmon.

  6. Emigranti_UK says:

    Sali Sllobodan Berisha ka urdheruar

  7. JC says:

    Duhet ndryshuar ligji menjehere qe populli te mbaje arme per vetmbrojtje. Vetem me kete menyre mund te minimizohet ky fenomen qe favorizon kriminelin dhe denon te drejtin.

    1. Tarrasi says:

      tebehej keshtu sic thua ti do kishim shpetuar nga Salo Serbomadhi me kompany

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje