Kosova përgatitet për festime madhështore për fundin e pavarësisë së mbikëqyrur

10 Gusht 2012, 10:32Rajoni TEMA

Kur të vijë e hëna e dytë e shtatorit, në Prishtinë do të gjenden personalitete ndërkombëtare të shquara në diplomaci, për të marrë pjesë në një ngjarje me peshë në historinë e Kosovës. Është dita kur shtetit do t’i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare.

Heqja e mbikëqyrjes do të konfirmohet fiks pas një muaji nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues (GND), i cili do të mbajë një mbledhje në Prishtinë. Bazuar në një program preliminar për shënimin e kësaj ngjarjeje, Grupi do ta mbajë mbledhjen më 10 shtator në orën 13.00. Është paraparë që mbledhja të zgjasë diku një orë.

Në këtë takim, në nivel ministrash ose zëvendësministrash do të përfaqësohen Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika e Çekisë, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Polonia, Sllovenia, Zvicra, Suedia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjitha këto vende e përbëjnë GND-në, qëllimi parësor i së cilit ka qenë që të përkrahë implementimin e plotë të Planit të presidentit Martti Ahtisaari, mbi bazën e të cilit Kosova ka deklaruar pavarësinë më 17 shkurt të 2008-s.

Një burim ka thënë se “GND-ja do të nxjerrë konstatimin se Kosova i ka përmbushur kushtet e Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit” dhe se “do ta shpallë të përfunduar mandatin e Zyrës Civile Ndërkombëtare”./KD

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje