Mançini parashikon lavdi me Tevez

13 Gusht 2012, 12:25Sport TEMA

Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, mbështet idenë se Karlos Tevez do të luajë një rol qendror për kampionët në fuqi të Anglisë, pasi ai ishte protagonist kryesor në suksesin 3-2 të kësaj skuadre përballë Çelsit në Superkupën e Anglisë.

Sulmuesi kaloi në avantazh skuadrën e tij kur rezultati ishte 1-1 me një gjuajtje spektakolare dhe mori të gjitha vlerësimet e trajnerit italian.

“Jam shumë i lumtur. Karlos ka punuar shumë mirë. Forma e tij është shumë më e mirë se ajo e vitit të kaluar dhe ai dëshiron të luajë futboll. Me lojtarët e huaj është disi e vështirë. Ai nuk luajti 6 muaj gjatë sezonit të kaluar. Nëse dëshiron të luajë, duhet të jetë gjithmonë në maksimumin e tij”.

“Ishte e rëndësishme të kishim Karlos me ne në 10 ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar. Por ai tani është në 100% të formës së tij e kjo është hera e parë në katër vite që e shoh atë në formën më të mirë”.

Më pas, trajneri italian ka konfirmuar blerjen e mesfushorit Xhek Roduell nga Evertoni, ndërsa la të kuptohej se do të kishte afrime të tjera gjatë ditëve në vazhdim.

“Çdo trajner do të ishte i pakënaqur nëse një javë para fillimit të sezonit nuk do të kishim afruar lojtarë të rinj. Por shpresoj që po punojmë për të ndryshuar këtë situatë dhe pres që në 10 ditët e ardhshme, skuadrës t’u shtohen futbollistë të tjerë”, tha trajneri italian. /lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje