Mediat spanjolle kanë publikuar sot lajmin se Federata Braziliane e Futbollit ka filluar kontaktet më përfaqësuesit e Pep Guardiolës, duke kërkuar që të emërojnë në kreun e përfaqësueses trajnerin katalanas për Botërorin që organizojnë në fushën e tyre në vitin 2014.
Shkak për këtë vendim është bërë disfata e Brazilit në finalen e Londër 2012 përballë Meksikës, ku skuadra e përzgjedhur nga Menezes nuk tregoi se ishte në gjendje të përmbyste rezultatin përballë kundërshtarit të parë që i vuri në vështirësi reale.
Ndonëse publikisht presidenti i Federatës Braziliane, Hose Maria Marin, ka deklaruar se Menzes është i paprekshëm, mediat braziliane kanë qenë të parat që kanë treguar se po punohet në të gjitha mënyrat për të gjetur sa më parë një zëvendëses për trajnerin aktual. Konfirmim tjetër ka ardhur edhe nga ish-futbollisti Romario, i cili ka bërë të qartë se trajneri nuk e kishte të gjatë që para Londër 2012 dhe dështimi thjesht i ka vënë vulën largimit të tij, të vendosur që në momentin kur ai kishte hartuar një listë të diskutueshme lojtarësh.
Faqja sportive lancenet.com.br ka filluar prej disa muajsh një fushatë të mirëfilltë pro afrimit të Guardiolës në kreun e përfaqësueses braziliane, ndërsa emri i tij është kthyer në më të klikuarit në internet në Brazil që në momentin kur kombëtarja u mund nga Meksika duke humbur për të disatën herë mundësinë e një medalje të artë në një turne ku ishte favorite absolute.
I vetmi dyshim vjen nga fakti se përfaqësuesja braziliane nuk ka fituar asnjëherë kur është drejtuar nga trajnerë të huaj dhe të 5 titujt Kampion Bote i ka marrë në drejtimin e trajnerëve vendas.