Djemtë Plangprishës

23 Gusht 2012, 20:47Blog TEMA

Nga Evis Plaku

Metafora të tilla si ajo e “djalit plangprishës” janë të fuqishme, pikërisht sepse jetëzohen në kohë, situata e njerëz të ndryshëm. Parabola na thotë se ai e nisi udhëtimin e tij duke i kërkuar babait gjysmën e pasurisë. E kërkoi pjesën e vet të trashëgimisë në një kohë kur i ati ishte ende gjallë, duke dëshiruar kështu vdekjen e tij. A nuk veprojnë njësoj soji ynë i politikanëve (me përjashtime të ralla) me at-dheun e tyre?

A nuk u shfaqen ata, pas fitimit të zgjedhjeve, si ngadhnjimtarë, duke i dhënë vetes të drejtën që Shqipërinë, atdheun tonë të përbashkët, ta trajtojnë si një plaçkë lufte? Me një logjikë barbare sipas të cilës, mëqënëse fituam, mund të bëjmë me këto pasuri publike, çfarë të duam. Prandaj vitet në pushtet nuk konsiderohen si një mundësi e mirë për të qeverisur, e për të zgjidhur problemet e vendit, duke rritur mirëqënien e gjithësecilit, por si një kohë për të plaçkitur me grykësi e babëzi, pa pasur frikë, as nga njerëzit, e as nga Zoti. Ndaj shohim militantë të aftë e të paaftë të turren nëpër zyrat e shtetit a thua se po shkojnë në dhoma thesaresh të fshehur ku mund të marrin ç’të duan. E për rrjedhim, njerëzit, në vend që t’u shërbëhet, përplasen si top ping-pongu nga një zyrë në tjetrën, duke trokitur në dyer që nuk hapen, por vetëm gllabërojnë para të pista rryshfetesh.

Më thoni nëse e kam gabim e nëse këta djem planprishës nuk po e shndërrojnë pronën tonë të përbashkët në një shtëpi publike, të ndyrë?

Ndaluni për një çast dhe hidhini sytë përreth. Kudoqoftë. Pamja është e njëjtë. Po ia rrjepin lëkurën Shqipërisë. Politikanë që kurrë nuk u skuqën prej turpit, po ia nxijnë çdo ditë e më shumë faqen këtij vendi. Ia kanë kafshuar mushkritë njësoj siç po zvogëlojnë mushkritë e qyteteve të tërë nga zjarre papërgjegjshmërish, moskokëçarjesh e paaftësish. Po ia vjedhin pasuritë e po e shndërrojnë vendin në një gërmadhë të madhe, tamam si një kazan gjigand plehrash, larg të cilit jemi vetëm një vendim qeverie që bën tik-tak si bombë më sahat. E kanë shurdhuar me propogandën tru-shplarëse të televizioneve e gazetave, duke mos lejuar të dëgjohet zëri i njerëzve, të cilët janë të vetmit që kanë diçka për të thënë. E kanë gjymtuar më keq se sa invalidët, të cilët nuk i ndihmuan e respektuan kurrë. E kanë lënë të pashpresë, njëlloj si studentët me diploma papunësie në duar. E kanë lënë të dergjet e sëmurë, më keq se sa pensionistët që duhet të zgjedhin mes ushqimit dhe ilaçeve, sepse nuk kanë para për të dyja. E kanë verbuar sa me shkëlqimin e makinave të tyre luksoze, po aq edhe me miopinë e tyre për të parë më larg, e për t’u ngritur mbi interesat e ngushta personale.

Në këtë katrahurë që po bëhet rregull, vlerat dhe parimet morale po e humbin fuqinë e tyre. Sepse këtu, anormalja po kthehet në normë. Gënjeshtari betohet për të vërtetën. Imorali jep leksione morali. Hajduti na mëson mbi vlerën e ndershmërisë. Vrasësi trumbeton vlerën e jetës. Të gjitha këto vese të ndyra njerëzore janë bërë marka e “suksesit” të djemve plangprishës, duke vështirësuar tej mase të tashmen e duke tronditur gjer në themel të ardhmen.

Si qershia mbi tortë, shumëçka mbështillet në petkun e hipokrizisë.

Veçanërisht në periudha si kjo e tanishmja kur jemi në pritje të marrjes ose refuzimit të statusit të vendit kandidat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Në këto kohë, qeveritarët tanë plangprishës do përpiqen ta mbeshtjellin Shqipërinë me ndonjë pëlhurë magjike që të fshehë gjithçka ndodh këtu. Do t’i veshin asaj fustane firmato të blerë me para korrupsioni. Do t’i veshin këpucë të shndritshme që janë shumë të vogla për të mbajtur këmbët e pista e të shqyera të Shqipërisë. Tradhëtarët e kombit do t’i vënë asaj në duar unaza besnikërie. Do ta stolisin, sa për sy e faqe, me fjalë të bukura si: integrim,

zhvillim, e ardhme europiane e të tjerë margaritarë të çmuar që këta derra të politikës kurrë nuk ditën t’i vlerësojnë.

E pastaj, pasi të kenë stampuar në fytyrat e tyre buzëqeshje hipokrite, të gjithë njëzëri, do t’i thonë: Nusëro tani!

Po ç’të nusërojë një vend që, dikur virgjereshë, tashmë është shndërruar në një prostitutë që mban mbi vete mëkatet e babëzinë e djemve plangprishës?

Shëmbëlltura e djalit plangprishës na mëson se ishte mjerimi ekonomik e shpirtëror, ai që, ndërsa flinte me derrat e hante nga mbetjet e ushqimit të tyre, rizgjuan tek ai një ndjenjë të madhe pendese e dëshirë për t’u kthyer nga rrugët e mbrapshta që kishte ndjekur deri në atë çast.

Shpresa, ashtu si të gjitha gjërat e mira nuk vdes kurrë. As në mes të këtij mjerimi. Shpresa se varfëria ekonomike dhe shpirtërore e një kombi që i ka shkuar thika gjer në eshtër, a ndoshta me thellë, do ta rizgjojnë atë, si pas një këmbane alarmi, është e madhe. Në mënyrë të tillë që të mos ecim më me rrahjen e tamburit të status-quo-s, por t’u tregojmë vendin djemve plangprishës. Sepse Shqipëria nuk është plaçka e luftës së politikanëve, por toka jonë e premtuar.

Ndaj le t’i kthejmë sytë nga njeri-tjetri e drejt Zotit, me shpresën se historia jonë, do të mbyllet njësoj si shëmbëlltyra e djalit plangprishës, i cili pasi kthehet me pendesë tek ati i vet, ky i fundit thotë fjalët e përjetshme: “Le të gëzohemi, sepse ai kishte humbur dhe u gjet përsëri”. Le ta rigjejmë përsëri Shqipërinë, që fjalët e Pashko Vasës “Ti ke pas qenë një zojë e randë / Burrat e dheut të thirrshin nanë” të mos i kujtojmë si nostalgji të së shkuarës, por si realitet i së tashmes, e si shpresë për të ardhmen.

8 komente në “Djemtë Plangprishës”

  1. L&M says:

    Jemi me pushime. Dyqani eshte mbyllur. Kthehemi ne shtator. Pagesat nendore bejini si zakonisht prane seksereve te miratuar nga LSI SHPK
    Ikni pirdhuni, kokpalare!
    LSI SHPK
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/08/lalzit-bay.html

  2. Eri says:

    Keta djemte u bene burra, po kurre nuk u penduan

    1. Reformer says:

      Ne pritje te ringjalljes morale dhe shpirterore te popullit shqiptar, i bej thirrje ketij populli te mos votoje me per ata tek te cilet nuk ka besim.

      Kjo do te mjaftonte me shume se te gjitha revolucionet morale, shpirterore dhe politike, qe disa i shpallin me fraza pompoze.

      Demokracia ka voten si baze te zgjidhjeve dhe mbrojtjen e saj si garanci te drejtesise se sistemit.

  3. bjondi says:

    nje fotografi qe flet shume ilir koklopa me sali psikopatin,keta te dy e kane vene nen kembe dhe po e shqyejn si ata ujqerit e uritur ket vend, per keta shqiperia nuk quhet atdhe, po nje mall qe duhet te ndajn midis tyre, se u duket sikur jua kane lene trashegim rama nga vicidoli, dhe atij koklopes babai nga skrapari.

  4. popull idiot says:

    Popull qe duron plera te tilla te peshtira, eshte popull idiot

  5. MARKO says:

    Keta te dy jane vetem lango. Don Berisha dhe Kumbari Ilir META.

  6. sizmografi says:

    Z.Evis Plaku ka te drejte.

  7. Tani says:

    shkrim i shkelqyer

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje