Emancipuesi

21 Gusht 2012, 16:23Blog TEMA
Emancipuesi

Nga Halil Matoshi

Arben Xhaferi duhet të kuptohet vetëm brenda suazave të kohës që e jetoj, brenda shtrëngesave dhe kërkesave të kohës së tij. Ai ka studjuar filozofinë dhe siç thotë miku i tij nder më të afërtit Shkëlzen Maliqi, Arbni e ka adhuruar Nietzschen, mirëpo ka vepruar brenda suazave të një ontologjie të aktualitetit duke e shmangur metafizikën. Para së gjithash Arbni është “culturman” e jo politikan par exellence, ndonëse edhe në politikë bëri gjëra të mira, të duhura, mirëpo kur e vëzhgojmë ftohtë dhe pa kaperdisje peizazhin politik të shqiptarëve në FYROM, Arbni del të ketë dështuar në projektin e tij emancipues, kulturor dhe politik ndër shqiptarët në hapësirat e tyre nën administrimin e kreaturës pa emër gjeneze ose ngjizjeje kombëtare përgjatë historisë. Kjo është kreatura shtetërore me një akronim në anglisht FYROM.

“Parkinsoni” e mundi Xhaferin dhe e la përgjysmë projektin e tij…

Tetova, përkatëisht hapësira gjeokulturore shqiptare në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë në vitet kur Arben Xhaferi “iu fal” kauzës emancipuese dhe çliruese ishte një hapësirë pothuajse sureale, njëjtë si në kohën e Sulltan Hamidit të II-të ose si në epokën e Xhemietit, në kohën e mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve (SKS.)

Mirëpo koha do të tregojë se Xhaferi i hyri më të madhit projekt emancipues në këto hapësira, si një ndodhi, ngjarje, që nuk ishte përjetuar më parë dhe druaj nuk do të përjetohet edhe një kohë të gjatë…

Nacionalisti modern – “I mençur dhe i rrezikshëm” (kështu përceptohej nga strukturat shtetërore të maqedonasve sllavë profili i tij, sipas Veton Surroit, te “Libri i fluturave”) që megjithatë me urtinë dhe mprehtësinë e mendjes e arriti paqen me po këta maqedonas që e cilësonin si të rrezikshëm.

Kjo ndodhi në Prizren, në një furrë që gatuante bukë për trupat gjermane të KFOR-it dhe i hapi rrugë projektit më të madh paqësor në Ballkan pas Daytonit dhe çlirimit të Kosovës, pra “Marëveshjes Kornizë të Ohrit.”

Sidoqoftë figura e Xhaferit nuk duhet të mistifikohet as të heroizohet pa kandar, siç ndodh rëndom me njerëzit tanë të vdekur tashmë.

Por ai ashiqare mbetët politikani më vizionar dhe më mbresëlënës ndër shqiptarët e atyre hapësirave etnike.

Ai vërtet politikën e nxori nga burektoret dhe ëmbëltoret e Tetovës duke i dhënë shtysë njëherësh edhe emncipimit kulturor, arsimor dhe qytetar…

I burgosur në Tetovë më 1968 si organizator i demonstratave për flamurin kuq-zi ai do të lirohej nga arresti dhe do t’i vijonte studimet për filozofi në Beograd.

siç thotë miku i tij nder më të afërtit Shkëlzen Maliqi, Arbni e ka adhuruar Nietzschen, mirëpo ka vepruar brenda suazave të një ontologjie të aktualitetit duke e shmangur metafizikën.

Arben Xhaferi do të kthehej nga Beogradi në Prishtinë para diplomimit për të punuar në RTP në Redaksinë e kulturës.

U njohëm gjatë përpjekjeve të viteve ’90 për ta mbajtur gjallë frymën e lirisë dhe jetën kulturore dhe politike autentike në Kosovë, tek pehatej e s’binte ende komunizmi jugosllav.

Arbi shoqërohej fillimisht me Shkëlzenin dhe Ali Podrimjën (e kishte edhe baxhanak dhe për koinçidencë vajtën pothuajse njëkohëshëm të dytë në amshim) e më vonë edhe me Veton Surroin, por edhe me të tjerë, intelektualë të asaj kohe, artistë dhe gazetarë.

Disa herë na kishte ftuar që me miqtë e tij më të afërt të shkonim në shtëpinë e tij prej guri në Hajvali, të cilën e kishte konceptuar si studio por që mbeti vetëm shtëpi, e sëfundi restaurant.

Natyrisht se preokupimi kryesor ishte politika, një politikë në zgrip, çfarë të bënim?

Si të silleshim?, – kur hegjemonizmi serb po rritej marramendthi dhe po i kanoste të gjithë popujt joserbë në shtetin federal, e posaçërisht shqiptarët.

Në anën tjetër klasa politike, komunistët kosovarë ishin të paaftë, të thyer dhe të përçarë, jo vetëm etnikisht por edhe ideologjikisht e moralisht.

Arbni pastaj iu bashkua Shkëlzen Maliqit në partinë Socialdemokrate të Kosovës.

Ishte i heshtur, kryesisht dëgjonte të tjerët se ç’flisnin por kur fliste të impononte një qetësi rrezatuese si një “mandarin” tibetian.

Më 1993 nën influencën e Shkëlzen Maliqit, Veton Surroit dhe miqve të tjerë të tij, ai mori vendimin jetësor të kthehej në Tetovë dhe të merrte drejtimin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).

Nuk e ndërroi botën, madje as këtë parti që i afrohej spektrit të partive popullore (populliste) sepse as partia qe Xhaferi e la si trashëgimi nuk mbeti imune ndaj bashkëpunimit me krimin e organizuar, pra Arbni e la prapa një parti të korruptuar dhe një skenë politike të hallakatur, joefikase, të përçarë…

Por Arbni e ndërroi imazhin jo vetëm të politikanit shqiptar të përbuzur në ish Jugosllavi dhe posaçërisht të politikanit shqiptar në Republikën e asokohëshme të Maqedonisë, por edhe i hyri projektit emencipues të qytetarëve shqiptarë për ta reformuar mendësinë dhe praktikat e të jetuemit në Tetovë dhe në tërë hapësirën shqiptare nën FYROM.

Imazhi i shqiptarit tetovar dhe përgjithësisht të shqiptarit në këtë republikë ish jugosllave deri në epokën kur në Tetovë “zbarkoi” Arben Xhaferi perceptohej si burekxhi, bakllavaxhi, faraxhi…

Arbni ishte i emancipuar qytetarisht dhe në aspektin atdhetar, madje së voni ai e krijoi aureolin e tij prej nacionalisti, por ishte një nacionalist modern, ndonëse vështirë të shkëputej nga nacionalizmi romantik, veçanërisht për sa i përket bashkimit kombëtar si prononcim politik sipas koncepteve të tij albanocentriste, pastaj ai e konsideronte Tiranën zyrtare si piemont të shqiptarizmës, poashtu kishte një qëndrim rigjid për sa i përket shqipes standarde sipas Kongresit të vitit 1972, ngase kërkonte të mbrohej ky standard me forcën e ligjit, madje kërkonte që të ngritej “një polici gjuhësore” për ndëshkimin e atyre veriorëve gegë, që nuk e respektonin këtë standard të cilësuar si politik dhe të imponuar nga diktatura e PPSH dhe Enver Hoxha, pa debat, pa marrëveshje, e gjuha në rend të parë është marrëveshje e heshtur mes folësve.

Asokohe, vitet 2007 pata polemizuar më të pikërisht rreth gjuhës, por ‘polemosi’ nuk shkaktoi çarje fatale ndërmjet nesh.

Nuk e kam takuar asnjëherë për sa kohë ishte në politikën aktive, ndoshta e kam një prirje që të mos jem i afërt me politikanët që janë në pushtet, por gjithnjë para ose pas pushtetit, ia qojmë me ta për mrekulli.

Pushteti i zmbraps miqtë më të mirë, i largon ata sëpaku për një kohë, pastaj ia beh një farë nostalgjie, gjithnjë për kohët e arta, të vjetra, edhe pse s’ka kohëra të tilla…

Për të mbramën herë u takova vitin e kaluar në promovimin e librit të tij, “Bashkëbisedim me Enver Robellin: Në Tetovë në kërkim të kuptimit”, një titull mjaft sinjifikant, por që dita e varrimit të Arbnit në Tetovë sikur do përmbysë vetë titullin e librit të tij…

Ia shtriva dorën dhe e urova për librin. Sëmundja e kishte rrënuar pothuajse tërësisht.

Sidoqoftë, ky libër i Robellit dhe ai i Veton Surroit “Libri i fluturave” janë dy monumentet e ngritura nga letra dhe germat për figurën emblematike të Arbnit.

Arbni ishte tolerant megjithëse e shquanin tezat pak a shumë më të forta etnonacionaliste.

Ai si mendimtar i mprehtë, sado që nacionalist, pati influencë të konsiderueshme dhe tek një pjesë e të rinjve kosovarë sidomos të atyre që më vonë iu bashkuan Lëvizjes Vetëvendosje.

Madje në disa raste Arbni e mbrojti kauzën e tyre hapur.

Nacionalizmi i tij ishte modern, sepse thjeshtë Xhaferi nuk shtirej si i tillë por e mendonte nacionalizmin, e racionalizonte atë.

Etnonacionalizmi i tij ishte koherent dhe shumë i kuptueshëm për kushtet e hapësirës gjeopolitike në të cilën veproi, sepse nacionalizmi arkaik i mbetjeve që vetën e quanin si maqedonas të rinj, po shënonte rritje me prirje fashiste dhe gjithqysh antishqiptare.

Mirëpo ky etnonacionalizëm i tij nuk duhet të keqpërdoret si parullë politike dhe mall propagande jo veçanërisht në Kosovë ku ka tendenca që të përdoret albanocentrizmi për ta kapur pushttein politik dhe ku bashkimi kombëtar përdoret si prononcim politik për t’i ngrohë zemrat e shqiptarëve. Kjo mbase e plogështon trupin politik dhe e cenon funksionalitetin e shtetit të pavarur kosovar.

Ishtë në një farë dore mentor i Hashim Thaçit në muajt e parë të çlirimit, “përpiqej që me këshillën e vet ta nxirrte strukturën e UÇK-së prej lëvozhgës së konspiracionit” (Surroi, Po aty.), por këtij bashkëpunimi do t’i vinte fundi shpejt, befasisht…

Xhaferi do të largohej me rezignim nga njerëzit me prirje autoritariste, që ulin truprojat e tyre në tavolinat e bisedimeve politike dhe që ia bëjnë ndërkohë njëri-tjetrit me sy… Kinse po e shpotisin deri në tallje bashkëbiseduesin, dinakërisht, qoftë ai edhe një Arben Xhafer!?

Ndonëse Xhaferi moderoi raportet e PDSH-së (që ishte në bashkëqeverisje me maqedonasit) me guerilen UÇK të prirë nga “Abazi” (Ali Ahmeti) dhe e shihte luftën të pashmangshme, të imponuar pra domosdoshmëri…

E ndihmoi luftën dhe paqen.

Pra u shndërrua në shtetar të FYROMIT, por s’arrij të kuptoj pse patronatin mbi varrimin e tij nuk e mori shteti!?

Por shumë shpejt do të ndahej edhe nga përqafimi i ish LPK-istëve konspirativë, që pas luftës në FYROM vendosen për një bashkëqeverisje me maqeodnasit, duke mbajtur një pushtet kleptokratik, pra duke rrënuar çfarëdo etike pushteti, të cilën Xhaferi po përpiqej ta instalonte ndër partitë shqiptare atje.

Xhaferi që dhjetë vjetë i ishte dorëzuar sëmundjës, dhimbjes.

Nuk të trishton vdekja e tij, që është akt solemn i qetimit të dhimbjes, por të trishton fakti se ai, ylli i tij prej meteori u shua shpejt, kur ishte thuaja në gjysmë të rrugës së realizimit të projektit të tij të madh emancipues ndër shqiptarët etnikë në FYROM, kur po e bënte politikën shqiptare të dinjitetshme, përmes filozofisë jo si metafizikë por ontologji e aktualitetit (Giani Vattimo) duke i “pensionuar” politikanët naivë dhe lehtë të mashtrueshëm shqiptarë, të cilët po t’i pyesje dikur për fatin e shqiptarëve, të rinjve që vriteshin në demonstrata duke kërkuar liri, barazi, shkollë e flamur…, nga shteti i maqedonasve sllavë, ata s’e kishin asnjë përgjigje por me celularin e dytë pyesnin zyrtarët e doganave se a u kishte kaluar në kufi “shleperi” me mallra të kontrabanduar…

Tragjike për të qeshur.

Prandaj Xhaferit shpejt iu mek ajo buzëqeshja që e shquante në vitet ’90 tek pinim expresso te “Elida” dhe bisedonim gjatë, si në një ‘kruzhok’ që ka një kauzë…

Por ishin vite iluzionesh, luhatjesh mes prirjeve humaniste dhe dhunës. E mendonim lirinë pa siguri, demokracinë pa shtet…

Prandaj deziluzionizmi pothuajse të gjithë brezin e intelektualëve të ’90-ave pos Rugovës dhe Xhaferit, e në një shkallë edhe të Blrim Shalës, i “qiti prej loje.”

Që të dytë, Ibrahim Rugova e Arben Xhaferi mbijetuan edhe si intelektualë edhe si politikanë vizionarë, ndonëse me figurën e Rugovës lidhet projekti i pavarësimit të Kosovës i cili rezultoi i suksesëshëm, ndërkaq që në Tetovë, pasuesit e mendimit të Xhaferit duhet t’i japin kuptim, sepse Tetova dhe tërë hapësira shqiptare atje të vetmin borxh ndaj Xhaferit e kanë vazhdimësinë e projektit të tij emancipues…

Projekt i ndërprerë dhunshëm nga sëmundja (dhembja) e Arbnit.

FYROM dhe elitat politike maqedonase ose do ta de-etnozojnë shtetin duke lidhur një marrëveshje, një kontratë të re shoqërore me shqiptarët për një shtet unik qytetar ose do të federalizohet, do të ndahet krejt… Kështu foli Xhaferi!

dhe sa më shumë që po kalon koha, sa më shumë që po rritën kthetrat e nacionalizmit kulturor por shumë agresiv të maqedoansve, aq më afër vizioneve të Arbnit po shkon ky vend, i pamundshëm, sëpaku jo në këso konditash kur dy popuj luftojnë pandalshëm të parët për dominimin e shtetit (maqedonët) e të dytët për barazi të plotë në shtet (shqiptarët.)

Njerëz, kjo është federatë, ani se e pashpallur…

FYROM është Belgjika e re në Ballkan, fat tjetër s’ka!

Edhe ky ishte projekti emancipues i Arbnit.

Por dhembja e plogështoi…

Pse sëmundja, pse dhimbja?

Duke qenë se njeriu është qenie-për-vdekjen (Heidegger) vdekja nuk duhet të na trishtojë, por ne njohim dhembjen, dhembjen e tjetrit, mikut dhe kjo na bën ndijor, të trishtuar…

Nisur nga proverbi popullot “miqtë njihen në dhimbje”, filozofi italian Giani Vattimo tek flet për dhimbjen thotë se gjitmonë vuajmë nga dhe për vdekjen: Edhe e keqja fizike është një shenjë, një pasojë, një simptomë e vdekshmërisë…

Arbi në dhjetë vjetët e fundit e pati shenjën… Sepse thjeshtë “kështu është dashur”, kjo ishte përgjigja që Jezusi i dha të verbrit: “nuk është as faji yt, as i prindërve…”

Sipas Vattimos, dhembja nuk ka dinjitet, ajo nuk meriton respekt si e tillë, është pikërisht ajo çka ngjet, pra një ngjarje që nuk e dëshirojmë, ajo është rasti i kulluar, është ndodhia e mirëfilltë.

“E vetmja dhembje, e denjë për respekt, është dhembja e tjetrit, dhe po ashtu vdekja e tjetrit.”

Sepse duhet… me u sëmurë, me vdekë… Njeriu ështëi qenie-në-botë, ku lindet dhe vdiset dhe për këtë, thotë Vattimo – jemi.

Kur vrojtuesi i ftohtë sheh peizazhin, skenografinë dhe mënyrën tepër arkaike të përcjelljes për në botën tjetër apo në hiçgjë të një burrështeti si Xhaferi, s’ke çare pa u zemëruar. Pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar në aspektin gjeokulturor në këtë ambient, që vazhdon të mbetët sureal; me të njëjtat “terlme” e qallma (një mori kapuçash për të cilëet shkrimtari austriak Peter Handke e ka një tregim fantastik), por të madhësive e ngjyrave të ndryshme (të zez, të bardhë, jeshile, fesa të kuq dhe ndonjë plis i rralë shqiptar), që secili turist mund t’i sheh që nga Kazakistani, përmes Afganistanit, Irak dhe Iran e deri në Mekë!

E kapuçi, sipas Xhaferit e përcakton ekstremisht saktë identitetin. Po ta vënte një serb i Kosovës plisin e bardhë shqiptar atë do ta përceptonin si shqiptar dhe anasjelltas, po të hidhte kresë shqiptari një shajkaqe serbe, ai do të ishte shkja…

Kështu foli Arbni!

Koha Ditore

4 komente në “Emancipuesi”

  1. Selim Mangaj says:

    Nderim dhe respekt per Arber Xhaferrin, qe vetem dy tre here e kam degjuar neper intervista televizive!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/08/arben-xhaferri.html

  2. Eva says:

    Se pari falenderoj per nje imazh te pergjithshem qe mora per kete figure te shquar pikerisht ne kete shkrim. Por nderkoh do te kisha nje lutje, biles nje kerkese me sakt shum te fuqishme ndaj te gjith shkronjesve politikaneve ketej andej kufijve per termat qe perdorin kur vjen fjala per ate cka sot quhet Maqedoni:
    – Po si ka mundesi qe te gjith juve perdorni fjalen “maqedons” apo “shtet maqedonas” duke etiketuar si te tille pikerisht ata qe jan thjesht sllavo-bullgar dhe kete e beni ne emer te shqiptaris? Ku e gjeni te drejten ti beni kete dhurat juve, politikan apo gazetar, atyre qe punojn pikerisht kundra maqedosve te vertet dhe qe sot njihen me emrin shqiptar. A e dini juve se kush ka qen Maqedonia, kush ishin maqedonasit dhe cfar i kan dhen ata botes, e sidomos kesaj qe quhet sot Europe? Po kaq pak ditkeni vertet per lashtesin e ketij gadishulli dikur me emertes Ilirik dhe sot ballkan, qe ta shisni kaq ne menyr naive nje term qe sinjifikon ate moment historik te mesdheut (me krijimin e Perandoris Maqedonase) te hedhjes se brazdave te integrimit njerzor panglobal. Kaq pak vertet?

    Ju lutem zoti Matoshi, e admiroj penen tuaj rebele, po kujdes me termat pasi ato transmetojn me shum se nje politik te tere. Po i keni then juve te paret sllaveve “maqedonas”, ju keni ber punen e tyre kunder shqiptarve dhjet fish me shume.

    Kjo do te thot qe emancipimi- projekt i zotit Xhaferi ( te cilin ne fakt nuk e njoh), duhet te filloj nga emancipimi i atyre qe ndermarin sipermarrje te tilla. fakti qe ne politiken e ketij vendi apo nga gazetar dhe shkrimtar perdoret rendom termi “maqedonas” per sllavo-bullgaret, tregon minimin e kesaj sipermarrjeje nga fillimi. Pra gjithkush se pari te emancipohet vet-(dhe kjo ka vler edhe per te ndjerin zoti Xhaferi), per ne shqiptaret ky term nuk ka te bej aspak me marrje idesh nga fillozof te vdekur te botes te pertejme (matan kufijve tan desha te them) por thjesht ti drejtohemi vetes ne te gjith thellsin qe bart etnosi yn themelformus, per te gjetur te gjitha arsyet dhe pergjigjet qe na duhen per cdo rast. Neve, per fatin ton te mire na mjafton vetvetja per ti treguar kujdo se sa gabim e kan kur dhunojn, vjedhin apo plackisin vlerat e te tjerve pa mirenjohje, pasi mungesa e kesaj te fundit eshte vetem burim mekati qe ska Kish qe ta lan. Pikerisht kjo eshte duke ndodhur ne kete gadishull kaq problematik per europianet e shek XX-XXI. Emancipimi i vertet duhet te jet nje proces gjithperfshires ne kete trev, jo vetem per shqiptaret por per te gjith aktoret e fenomenit ekonomiko-politiko-kulturor pa perjashtim, sllav-polak, francez, shqiptar etj, duhet te emancipohen me ndjesin e “MIRNJOHJES” ndaj “dijes-vleres”.

    Ndersa neve na takon ne kete proces ta nxjerrim ne pah, te tjereve ju takon ta mesojne kete vler tek origjina. I gjith ky proces qe ne fakt eshte destin do te ket pikerisht kete destin, apo me shqip drejtim. Ndaj mendoj, mendoj, mendoj se edhe zoti Xhaferi e ka pasur jo te sakt orjentimin e rrugzgjidhjes per procesin e “Emancipimit”.

    Me falni per zgjatjen por bej pjes tek njerzit qe ne nje pik, si kulm piramide, shohin gjith piramiden, ndaj tek ky term shoh gjith rrugen e gabuar apo te corientuar te ndjekur nder ne.
    Respekt.

  3. arbër shmili says:

    EVA e NDERUAR!

    Truri shqiptar (me pak përjashtime si ti e të rrallë) është kultivuar të parapëlqejë madhëritë boshe, ose kultin e individualitetit.
    A. Xhaferin e njoh personalisht, njeri i mirë, me kulturë relative të lartë kombëtare e të përgjithshme, por në ASPEKTIN POLITIK
    (do më shajnë të gjithë…) bëri një punë që 1000 armiq nuk mund të na i bënin, KATASTROFË.
    Nuk e zgjas këtu, ngaqë nuk kam kohë, por konstatimi yt është i SHKËLQYESHËM.
    Derisa ishte gjallë i ndjeri, merrej herë me një “zbulim” e herë me një tjetër, dhe nuk e kishte të qartë as vetë se nga e shpienin mendtë.
    Gjithë ky lëmsh i krijuar me shqiptarët në FYROM, rrjedhimisht me fabrikatin “MAQEDONI”, “maqedonas” e derivatet pasuese, do asfiksohej që nga zënafilla paskomuniste e FYROM-it. Pa dashje ose me dashje, ky i madhëruari A. XHaferri merrej me paralagjet e cështjes shqiptare në këtë cep të Shqipërisë reale, me copëza, mos të them grimca problemesh, dhe slavobullgarët e shfrytëzuan nuk ka se si bëhet më mirë këtë “gjenialitet” të verbër.
    Më vije keq të pohoj (Klosi i ndjerë thoshte – fol se nuk ca kokën kush për edukatën e modestisë sate), jam person librash (popullore) dhe e një intuite të shkëlqyer, sa herë që kam dashur, në suaza private, ta theksoja këtë katastrofë arbeniane, sa nuk kam qenë i sulmuar edhe fizikisht, lere më ofendimet në stilin- “kush je ti”
    Sot e kësaj dite, persona të jetës politike, profile intelektuale, institucione të ndryshme, nuk janë të vetëdishëm, e as që duan të reflektojnë për pasojat e të nammadhes “Marrëveshje e Ohrit”, firmosës patetik i së cilësna ishte edhe A. Xhaferi.
    Është një dokument epigon (nuk dua të theksoj emërtimin) me të cilin, falë edhe A. Xhaferit, shqiptarët e atjeshëm nga popull me pretendime sovraniteti, u shndërruan në KODIN 20.
    Edhe këtë reflektim të shkurtër, druaj që redaksia e TEMËS do ta botoj në rubrikën e “të papunëve” me idenë e përmbajtjes së dëmshme, ose “përcarëse” ose absurditete e kotësira të tjera.
    Me nderime Arben Shmili, pseud

  4. zaim zajmi says:

    është pak si snobizëm të adhurosh Nitchen,pa lexuar, studiuar e njohur gjeninë NITCHE
    Përralla të lehta.
    Arben Xhaferi nuk përfundoi studimet në filozofi, sa për ilustrim.
    U end disa vite derisa u lodh e u pasaportizua jashtë Beogradit.
    Kryetar i komisionit për “diferencimin ideo-politik” në “Bashkësinë punuese” (zyrtarisht) të TV të Prishtinës, sa për ilustrim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje