A merret qeveria me qera?

21 Gusht 2012, 16:32Blog TEMA


Nga Magdalena Ramohito

Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish besojnë në mënyrë të vetvetishme se “qeveria duhet të veprojë në interes publik”.

Por a është vërtet kjo? A ndodh gjithmonë kështu? Përse njerëzit mendojnë kështu? A bëhen në fakt qytetarët më virtuozë kur ata zhvendosen nga radha në supermarket në radhën përpara kutisë së votimit? A ndryshojnë vërtetë karakteret e njerëzve kur ata heqin dorë nga një post ekonomik apo industri për të marrë një post në qeveri?
A është çdo njeri i prirur nga interesi publik?

Mund ta fillojmë nga votuesit.

Asnjëri prej zgjedhësve nuk ka informacion të mjaftueshëm, aq sa të jetë i bindur për votën, që hedh. Këtë informacion në një shtet normal demokratik do ta kishin marrë nga legjislatorët e zgjedhur prej tyre, si edhe nga institucionet e shtetit, zyrtarët e të cilit paguhen me rrogë pikërisht prej këtyre zgjedhësve.

Sigurisht një informacion i tillë në kontekstin shqiptar nuk ekziston në rastin më të mirë, dhe nga ana tjetër në rastin më të keq është i deformuar.

Si veprohet përpara kutisë së votimit?

Në rastin e njerëzve të shkolluar, çështja e informacionit nuk përbën ndonjë pengesë serioze, pasi mund ta sigurojnë vetë nëpërmjet burimeve të ndryshme që ata çdo ditë të punës së tyre i gjejnë. Më të painformuarit janë shtresa e pashkolluar dhe realisht më e varfra. Pjesa e njerëzve, që janë mbrojtës të demokracisë, nuk duhej të ishin shumë të shqetësuar për këtë, pasi këta zgjedhës normalisht duhej të mbështeteshin tek legjislatorët, të cilët e kanë për detyrë të informojnë zgjedhësit dhe që në fakt mund të kenë në dorë të gjithë informacionin e nevojshëm, madje atyre u vihen në dispozicion edhe burime njerëzore, për të bërë të mundur këtë gjë.

Por çfarë ndodh në realitet?

Rëndom ka pa përputhshmëri të të dhënave, mos përputhje logjike të shifrave me realitetin, e cila shpesh bëhet objekt debati nga të dyja krahët e politikës, ku njëra palë i tregon ato duke supozuar se janë shprehëse reale e arritjeve të qeverisë, ndërsa opozita i hedh poshtë si të pasakta, e gjithë kjo sjell një turbullim në mendjen e njerëzve, por në fund të fundit i bën ata koshient, për të ndjekur thjeshtë intuitën përpara kutisë së votimit.

Rezultati i zgjedhjeve në një vend të tillë, ku njerëzit votojnë në bazë të intuitës dhe jo informacionit, është i deformuar, por ku ma gjen këtë, krahasuar me vjedhjen e votës si ajo që ndodhi më 28 qershor të 2009-ës e akoma më flagrante ato të 8 Maj 2012.

Përfundimi është ky që po përjetojmë. Një qeveri që vjen nga një rezultat zgjedhor i manipuluar është e prirur, që politikat e saj të jenë partikulare dhe të tentojnë të dominohen nga interesa të veçanta. Qeveria do të priret drejt veprimtarive që dëmtojnë shumë njerëz, në vend të veprimeve që u shkaktojnë pakënaqësi të madhe pak njerëzve.

Kjo qeveri është duke u orientuar jo nga interesi publik, por përkundrazi nga një vazhdimësi e pafundme e interesave ekstremisht të veçanta. Interesat e konsumatorëve janë objekt garash oratorike, ndërsa politikën e kontrollojnë interesa të veçanta.

Duket diçka e kotë t’i fajësosh ata për këtë; një legjislator me parime të patundura është në realitetin shqiptar një shërbëtor publik më pak efektiv se sa ai që largohet nga parimet, për të mbijetuar në këtë situatë përmbytje të tmerrshme, ku për të shpëtuar duhet të lësh bagazhet në fund të llumit të ujërave të turbullta, sepse bashkë me to nuk mund të dalësh mbi sipërfaqe.

Milionat e rrënjëve të ullinjve, arrat, a çfarëdolloj përçartjesh të kësaj qeverie, për njerëzit e mençur kanë qenë të pabesueshme, në vend të tyre do të ishte shumë me vend të fillohej me përcaktimin njëherë e mirë të sistemit të ujitjes e kullimit, si edhe përgjegjësitë administrative të sanksionuara me ligj, si edhe me zgjidhjen e çështjes së pronësisë. Të gjitha këto janë gjëra të ditura nga ekspertët, edhe të thëna gjatë gjithë viteve, prandaj askush që shkruan mbi to nuk mund të kërkojë kredo.

Një ish ministër bujqësie i qeverisjes socialiste, të paktën publikisht u prononcua në mënyrë të ndërgjegjshme, duke pranuar hapur se qeveritë bëjnë punë me efekte elektorale, dhe në këtë mënyrë, qytetarët e Shqipërisë e morën mesazhin, se ka ardhur koha e një qeverisjeje, ndryshe, që nuk bën punë, prej të cilave varet fati i rikonfirmimit të qeverisjes, por e kundërta.

Të gjithë ne, përfshirë edhe militantët më besnik të dy krahëve, që luftojmë sot me mosfunksionimin e shtetit në qoftë se na duket pa bazë, që kujdesi i qeverisë për sektorin publik është çështje besimi, le të ndalemi në trajtimin e saj. Tani është më shumë se kurrë koha për të diskutuar mbi të. Përderisa ne duam t’i zgjidhim të gjitha problemet tona, duhet edhe të kooperojmë e të solidarizohemi mes nesh në rastet që kërkohet, por qeveria edhe po të mos jetë streha e fundit ku ne të gjithë duhet të zgjidhim gjithshka, ajo të paktën duhet të jetë një strehë aefektive.

Pra qeveria duhet të jetë aty, (qendrorja apo vendorja) për t’i shtrënguar të gjithë qytetarët nga pak, shtrëngim i paraprirë nga bindja, kur është rasti për punë publike, që lehtësojnë jetën e të gjithëve. Fjala vjen furrat e druve në mes të kryeqytetit përbëjnë një problem të madh ndotje dhe asfiksie për banorët që kanë fatin e keq të jetojnë mbi to, në këtë kohë kur Bashkia e Tiranës nuk ka shumë për të bërë sepse institucioni i ngritur nga Edi Rama funksionon mrekullisht, mund të merrej me këtë gjë kaq të vockël për të por kaq jetike për banorët fatkeq.

Në rast se një qeveri nuk garanton infrastrukturën publike me standarde në mënyrë që të mos dëgjojmë çdo ditë raste vdekje të qytetarëve nga aksidentet, apo raste përmbytje masive, këtë të fundit qeveria ia ngarkon punëve të perëndisë ndërsa në fakt kjo është detyrë ekskluzive e saj; ne çfarë duhet të bëjmë, ne çfarë duhet të themi në se një mëngjes vere si kjo që po kalojmë pasi kemi parë në lajmet e fundit ‘rekordin’ e kryeministrit ne not (pak rëndësi ka për mua me këmbë në tokë apo me not të vërtetë) hapim rubinetin e çezmës dhe uji mungon, por jo kjo nuk është siç ndodh rëndom në Shqipëri, është një rast tjetër, që unë nuk e kisha dëgjuar më parë; ja mendojeni vetë si mund të ndodhë që një njeri normal të dalë nga shtëpia në mesnatë e me një palë pinca në duar të përgjojë shtëpinë e tjetrit deri sa të bjerë ne gjumë e pastaj trak…të presë sahatin që mat ujin dhe kështu bllokon po me anën e asaj vegle rrjedhjen e ujit edhe dita fillon sigurisht shumë e trishtueshme jo prej mungesës së ujit me këto jemi mësuar….Epo ti pasi gjen një mënyrë për të shpëlarë fytyrën e për të filluar ditën siç të vjen, shkon tek makina por nuk po e kupton pse po të duket kaq e shëmtuar?… kur fqinji që kalon aty pranë të thotë me qetësi – ka pas aksion sonte natën janë vjedhë shumë tasa makinash…. Nuk e kuptoj në fakt është shumë e vështirë për ta kuptuar se çfarë sentimenti e shtyn një person të vijë pikërisht tek sahati i ujit të shtëpisë time e ta shkëpusë atë me ndërgjegje, apo të shkojë tek tasat e makinës sime e ti marrë që të gjithë me vete, dhe mu në mes të natës, në vend që të flinte gjumë e të ëndërronte gjëra me të bukura se këto që janë horror ti mendosh. Epo si shumë aksione ka pasur këto kohë, sulme mbi shitës argjendarish, sulme mbi qafat e grave që mbajnë gjëra zbukurimi, sulme mbi çanta grash e rrëmbime celularësh prej duarsh.

Kohë më parë kam pasur një bankë private pranë banesës sime e sa here dilja ose kthehesha për aty , mendoja unë jam më e sigurt se ata që banojnë më larg meje sepse polici që ruan bankën i hedh edhe një sy banesës sime, por një ditë pashë shumë polici aty e kuptova se banka private ishte sulmuar për vete….
Si i bëhet në një vend ku qeveria nuk e garanton dot sigurinë publike,(madje as bizneset private nuk mund ta bëjnë dot me policë privatë) po as qetësinë sepse zhurmat vazhdojnë të jenë një problem i madh, a mund të marrim një qeveri me qira?

5 komente në “A merret qeveria me qera?”

  1. reformer says:

    Pike se pari duhet te kuptojme se shtepia pastrohet cdo dite, ndersa qeveria nje here ne kater vjet. Ndryshe ze krimba.

    Agjitatoret e maxhorances thone, se eshte e kote ta ndrojme qeverine se edhe ata qe do te vijen do te behen si keta qe kemi. Le ta leme shtepine te qelbet, ne fund te fundit ajo do te behet prape pis.

  2. Socialisti says:

    “Asnjëri prej zgjedhësve nuk ka informacion të mjaftueshëm, aq sa të jetë i bindur për votën, që hedh”. Kjo eshte nje prej frazave te artikullshkrueses. Pa dyshim qe ja ka futur kot! Gjeja me e bukur e shkrimit ishte titulli! Te tjerat … per fat keq kot!

    1. thanas says:

      Ne qofte se ti e hedh poshte te gjithe shkrimin nuk ke parasysh shkrimin po shkruesen. Ne fakt mundohu t’i mbytesh emocionet edhe te diskutosh mbi ceshtjet qe ngrene njerezit pavaresisht se kush jane ata.

  3. klaudia says:

    me pelqen shume , ka folur per gjithe shqetesimet tona te perditshme, ndersa kryeministri e ka menjen te hecet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje