A do të ndikojë ndryshimi i popullsisë së qarqeve në rezultatin e zgjedhjeve?

24 Gusht 2012, 20:11Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Në bazë të Kodit Zgjedhor në fuqi, numri i deputetëve për çdo qark përcaktohet nga numri i popullsisë së regjistruar në gjendjen civile, pavarësisht nëse një pjesë e saj ka migruar jashtë ose brenda vendit. Kështu në vitin 2009, popullsia e regjistruar në gjendjen civile të Shqipërisë ishte 4,249,942 dhe i binte që një deputet të përfaqësonte  30,357 shtetas. Për të përcaktuar se sa deputetë i takonin çdo qarku, u pjestua numri i popullsisë së qarqeve me 30,357 dhe herësit u rrumbullakosën.

Kështu për shembull, herësi për qarkun e Korçës, ishte 11.63, por pas rrumbullakimit, Korçës iu caktuan 12 deputetë. Në të njëjtën mënyrë, herësi i qareve të Kukësit dhe Beratit ishte përkatësisht 3.73 dhe 7.70, por atyre iu caktuan përkatësisht 4 dhe 8 deputetët pas rrumbullakimit.

Ndërsa në anën tjetër, qarqet që “e pësuan” më shumë nga rrumbullakimi ishin Gjirokastra, Tirana dhe Durrësi, të cilat i kishin herësit përkatësisht 5.25; 32.23; dhe 13.23 dhe iu caktuan përkatësisht 5; 32; dhe 13 deputetë.

Dhe çfarë rëndësie kishin këto llogaritje për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 2009-ës? Të jashtëzakonshëm. Në qoftë se herësit e Korçës, Beratit dhe Kukësit do të kishin qenë përkatësisht në nivelin 11.49; 3.49; dhe 7.49, ndërsa herësit e Gjirokastrës, Tiranës dhe Durrësit do të kishin qenë përkatësisht në nivelin 5.51; 32.51; dhe 13.51, tri qarqet e para do të kishin nga një deputet më pak dhe tri të dytat nga një deputet më shumë.

Dhe ndoshta jo rastësisht, të trija mandatet që mund t’i hiqeshin Korçës, Beratit dhe Kukësit i humbte koalicioni i PD-së, i cili në bazë të rezultatit zyrtar të njohur nga KQZ-ja, mori deputetin e 12-të në Korçë, të 4-tin në Kukës dhe të 8-in në Berat. Ndërsa të trija mandatet që mund t’i shtoheshin Gjirokastrës, Tiranës dhe Durrësit i fitonte koalicioni i PS-së. Dhe në këtë mënyrë do të kishim rezultatin zyrtar: 69 mandate koalicioni i PS-së, 67 mandate koalicioni i PD-së, dhe 4 mandate koalicioni i LSI-së.

Duke analizuar listën e votuesve të 2011-ës, e cila është nxjerrë nga regjistri i gjëndjes civile, rezulton se gjasat janë të mëdha që, në 2013-ën, herësit e  qarqeve Tiranë e Durrës të ngjiten mbi nivelet 32.5 dhe 13.5, ndërsa Gjirokastra duket se do të mbetet përsëri poshtë nivelit 5.5. Pra, gjasat janë që, pas rrumbullakimit, Tiranës t’i caktohen 33 deputete dhe Durrësit 14 deputetë (nga 1 më shumë se aktualisht) dhe Gjirokastra të mbetet me 5 deputetë. Ndërsa qarqet e mundëshme nga do të merren këta dy kandidatë që do t’i shtohen Tiranës dhe Durrësit janë Korça, Berati, ose Kukësi.

Po të nisemi nga rezultatet e 2009-ës, duket se ky ndryshim favorizon koalicionin e PS-së. Por situata e 2013-ës nuk duket se do të jetë e njëjtë me atë të 2009-ës. Së pari, LSI-ja është në koalicion me PD-në dhe, në qoftë se mbetet në koalicion me të, pakësimi i një mandati në Korçë, për shembull, do të favorizonte koalicionin e PD-së, jo të PS-së. Nga ana tjetër, shtimi nga një mandat në Tiranë dhe në Durrës nuk favorizon domosdoshmërisht koalicionin e PS-së, në qoftë se LSI-ja i bashkon votat me PD-në.

Gjërat komplikohen edhe më tepër nga fakti se, në dy qarqet që me gjasa do të shtohet nga një mandat (Tiranë dhe Durrës), partitë e reja të krijuara kete vit (AK dhe FRD) duket se kanë edhe përkrahjen më të madhe. Dhe në qoftë se ato arrijnë të marrin mandate në këto dy qarqe, balanca mes koalicionit të PD-së dhe PS-së në to do të varet shumë nga orentimi i mëparshëm politik i votuesve të AK-së dhe FRD-së.

Për rishpërndarjen e numrit të deputetëve sipas qarqeve do të dëgjojmë të flitet shumë në muajt në vazhdim, por zhurma do të bëhet thjesht ngaqë socialistët u dogjën nga qulli i 2009-ës dhe do duan t’i fryjnë kosit të 2013-ës. Me gjasa, faktori kryesor për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve nuk do të jetë rishpërndarja e numrit të deputetëve sipas qarqeve, por mënyra sesi do të konfigurohen koalicionet parazgjedhore…

2 komente në “A do të ndikojë ndryshimi i popullsisë së qarqeve në rezultatin e zgjedhjeve?”

  1. G.M.G. says:

    Shpresoj ta kesh 100% retorike pyetjen zoti Zaloshnja.
    Me qe ra fjala; Si u zgjidh ajo mosmarrveshja me ate gazetarin e famshem?
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/zeri-i-pyllit-frrok-qupi.html

    1. Tironsi "ZZ" says:

      Frroki eshte zhdukur nga skena dhe ekranet shqiptare. Une per vete nuk e kom pa mo. Rri lu domino ke lagjja me kan thon.
      Ta dinim e kishim provoku me perpara ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje