Në Shqipëri 40% e bizneseve korruptojnë me ryshfete administratën publike të tatim-taksave për të marrë shërbimet prej saj. Ndërsa 37 % e biznesit zgjedh më mirë të japë ryshfet sesa të paguajë taksat.
Këto janë të dhënat që publikon raporti i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO – International Labour Organization), në bashkëpunim me Shoqatën “ Biznes Albania” me seli në Tiranë, në një studim për mënyrën sesi operon biznesi në Shqipëri. Raporti në fjalë mbështetet në të dhënat e vjela nga anketimi i 500 ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në nivel kombëtar. Konkluzioni i tij kryesor është se bizneset “zgjedhin ryshfetin në vend të ligjit” në kushtet e një administrate publike burokrate, jo efikase dhe të korruptueshme. Raporti paraqet një realitet ku 40% nga 500 bizneset e vogla dhe të mesme të intervistuara, pranojnë të kenë paguar ryshfet për të marrë nga administrata publike shërbime. Sipas raportit subjektet private janë vonuar nga punonjësit e administratës tatimore, enkas që t’i detyrojnë të mbarojnë punë duke u dhënë para nën dorë. Ndërsa 37% e tyre pohojnë një dukuri tjetër: rritjen e barrës fiskale dhe të tarifave të shërbimeve në atë masë, që për bizneset kostoja del më e ulët kur japin ryshfet nën dorë sesa kur paguajnë taksat.
Pse ryshfet në vend të pagesës së taksave?
Raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe Shoqatës “Bisness Albania” nënvizon edhe një faktor tjetër: dështimi i operimit përmes një sistemi të kompjuterizuar për të paguar taksat, shoqëruar me presionet e administratës tatimore përmes kontrolleve arbitrare, për të krijuar kushte që bizneset t’u japin më mirë para nën dorë sesa të paguajnë gjobat. Sipas këtij raporti 76% nga 500 bizneset e intervistuara janë të shqetësuar nga presioni që ushtron mbi ta administrata publike e tatimeve. Ndërsa 90 % e tyre e konsiderojnë të ulët efikasitetin me të cilin operon kjo administratë. Sipas raportit, dhënia e ryshfetit vjen edhe nga humbja e besimit tek sistemi gjyqësor, të cilin 90% e bizneseve të intervistuara e cilësojnë thellësisht të korruptuar.
Gjysma e qytetarëve të Shqipërisë japin ryshfet
Ryshfeti , legjislacioni dhe qytetarët
Një bashkëjetesë mes mentalitetit, formimit kulturor nga njëra anë dhe kushteve social –ekonomike nga ana tjetër, e kanë kthyer ryshfetin në Shqipëri në këmbim të shërbimeve nga sektori publik në një dukuri që po fiton legjitimitet, si diçka normale, pothuajse e pashmangshme. Prof. Kosta Bajraba, ekspert në sociologji, thotë për programin shqip të Deutsche Welle-s, se në këtë realitet luan rol vendimtar kalimi nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur, nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi të tregut të lire. Por sidomos legjislacion i mangët.
Prof. Bajraba shton më tej se “në legjitimitetin e praktikës së ryshfetit në Shqipëri nuk ka gisht vetëm korrupsioni në sektorët publikë por edhe vetë qytetari, qoftë ai biznesmen apo jo. Në Shqipëri mungon vetëdija e qytetarit për të vepruar si individ, si pjesëtar aktiv në një komunitet që duhet të denoncojë dhe godasë praktikën e ryshfetit. Për të dyja palët, ata që e marrin dhe ata që japin ryshfet ka një mënyrë për ta luftuar atë. Ky është zbatimi me dorë të hekurt i ligjit”./DW
vari leshte biznesit sa te jene krimineli salije 200 vite mbrapa shkoni