Proletariati si joklasë; femra si joseks

28 Gusht 2012, 17:42Blog TEMA


Slavoj Žižek

Kur Karl Krauss-i, i cili e njihte Trockin gjatë kohës që ky i fundit qëndronte në Vjenë përpara Luftës së Parë Botërore, mori vesh se i sipërpërmenduri kishte shpëtuar Revolucionin e Tetorit duke organizuar Ushtrinë e Kuqe, tha: “Kujt do t’ia priste mendja se Herr Bronstein-i i Cafe Central-it do të bënte diçka të tillë?!” Këtu gjendemi sërish përballë të njëjtës dilemë: a ishte Trocki revolucionari i madh që si pjesë të punës së nëndheshme i duhej të kalonte kohën në Cafe Central-in e Vjenës; apo ishte i sjellshmi dhe fjalëshumi Herr Bronstein i Cafe Central-it që u bë më vonë revolucionari i madh? Të dyja situatat janë variante të fabulës së famshme të Çuang Cusë rreth mënyrës se si, kur u zgjua pasi kishte ëndërruar se ishte flutur, nuk ishte i sigurt nëse ai vetë ishte Çuang Cuja që ëndërroi se ishte flutur apo flutura që po ëndërronte se ishte Çuang Cu. Ideologëve të turlillojtë u pëlqen ta citojnë këtë pasazh, mirëpo, si zakonisht, nuk shkojnë deri në fund dhe lënë mënjanë intuitën kyçe që vijon: “Sidoqoftë, duhet të ketë një farë dallimi midis Çuang Cusë dhe fluturës!” Ky hendek është vendndodhja e Reales: Realja nuk është “realiteti i vërtetë” në të cilin zgjohemi (nëse ndodh të zgjohemi ndonjëherë), por pikërisht hendeku që ndan një ëndërr nga tjetra.

Megjithatë, duke e parë nga afër, duket se duhet hedhur një hap i mëtejmë meqenëse marrëdhënia midis dy të kundërtave nuk është simetrike. Është e vërtetë që “borgjezia” është emri i klasës që e pengon proletariatin së bëri vetvetja tërësisht, mirëpo nuk është e vërtetë që proletariati e pengon borgjezinë së bëri vetvetja tërësisht. Është e vërtetë që subjekti mashkullor e pengon subjektin femëror së bëri vetvetja tërësisht, mirëpo e anasjella nuk është e vërtetë. Kjo do të thotë se secili seks nuk është thjesht Një-në-vetvete dhe Tjetri-i-Tjetrit: marrëdhënia midis Njëshit dhe Tjetrit nuk është pastërtisht formale, dhe si e tillë e zbatueshme te secila nga të dyja sekset, por reflektohet në vetë cilësinë e të dyja sekseve – seksi mashkullor është “në vetvete” Një, ndërsa femërorja “në vetvete” (d.m.th. jo vetëm për Tjetrin e saj, por edhe në raport me veten) është “seksi tjetër” (siç thoshte Simone de Beauvoir-i). Kësisoj, ka vetëm një seks që është vetvetja, Njëshi, ndërsa seksi tjetër nuk është as një tjetër Njësh, as ndonjë farë Tjetërsie substanciale gjithëpërfshirëse në të cilën banojmë të gjithë (si p.sh. Nëna parake). E njëjta gjë vlen edhe për luftën e klasave: nuk ka thjesht dy klasa; siç thoshte vetë Marksi, kemi vetëm një klasë “si të tillë”, borgjezinë; klasat përpara borgjezisë (zotërinjtë feudalë, kleri etj) nuk janë ende klasa në kuptimin e plotë të fjalës – identiteti i tyre klasor mbulohet nga përcaktime të tjera hierarkike (kastat, rendet…); pas borgjezisë gjendet proletariati, i cili është një joklasë që vishet si klasë dhe, si e tillë, është Tjetri jo vetëm i borgjezisë, por edhe në vetvete dhe për vetveten.

Nuk duhet thënë se gruaja nuk është burrë, por se gruaja është joburrë – në hegelisht, gruaja nuk është vetëm mohimi i burrit, por mohimi i mohimit që hap një hapësirë të tretë të jo-joburrit, çka jo vetëm që nuk na kthen pas tek burri, por e lë mënjanë krejt fushën e burrit dhe të kundërtës së tij. Po ashtu, në të njëjtat terma, proletariati nuk është klasa e kundërt e borgjezisë, por joborgjezia, çka do të thotë jo-joborgjezia. Kësisoj nuk kemi dy klasa, por një – borgjezinë, dhe mohimin e mohimit të saj, një jo-joklasë, një klasë të çuditshme e cila mund të fitojë vetëm duke e shfuqizuar veten si klasë, e për pasojë duke zhdukur të gjitha klasat. Proletariati është paradoksi ekzistues dhe i gjallë i një klase që nuk është klasë. (..) Thënë shkurt, proletariati është vetëm edhe atëherë kur gjendet bashkë me borgjezinë, i lidhur me të.

Marrë nga Slavoj Žižek: Less than Nothing. Hegel and the Shadow of Dialectical Materialism
Përkthyer nga: Arlind Qori

5 komente në “Proletariati si joklasë; femra si joseks”

  1. bilali says:

    Shkrim k…, me mire lexoja andera stefanin, se ka qene ne propaganden e ppsh-se, komenti eshte per cfryrje

    1. hasan says:

      Ky nuk eshte shkrim per injorante.

      1. bilali says:

        … thene ne frymen e artikullit, shkrimi eshte per joinjorante dhe jo burra,

  2. raimondi says:

    Aty ai ze ne goje Trockin –

    -Trocki ka qene minsiter i jashtem i Bashkimit Sovjetik ne 1919 ,.
    dhe ka qene pikerisht
    Trocki i pari qe shpetoi Shqiperine nga copetimi. pasi ai demaskoi dke folur ne radio me duket
    TRraktain e fshehte italo-grek , Sonino-Venizellos . Traktat i cili kishte synim copetimin e Shqiperise midis Italise dhe Greqise

    Pastaj fquite e medha u zune ngushte se Trocki i demaskoi qellimet e tyre , dhe ata atehere filluan te tregojne pakez drejtesi….

    Pra pervec Presidnetit amerikan Willson, ne ate kohe na ka ndihmuar edhe Trocki se per pak desh e hengrem pataten

  3. beso says:

    linja e krahasimit midis proletariatit dhe gruas eshte shume banale.Mbase ky tipi qe e ka shkruar eshte ndonje filozof i madh,por eshte munduar shume per te thene asgje.Proletariati ekziston,eshte klasa punetore,qe s’ka asgje perveç duarve.Borgjezia eshte poseduese e mjeteve te prodhimit;keto gjera jane te specifikuara.Hegeli ka thene qe mohimi i mohimit eshte pohim.Pra,nese te bardhes i thua e zeze(mohon ngjyren e bardhe),kur mohon se kjo ngjyre eshte e zeze je duke pohuar se ngjyra eshte e bardhe.Kur te vije dita qe joburrat te pjellin nga ai vendi ku komandon zoti atehere do t’i quajme gra,por gruaja eshte nje qenie humane specifikisht e ndryshme nga burri;nuk eshte joburre.Ne nje liber kam lexuar qe Trockij ka qene financuar nga bankiere amerikane per te organizuar revolucionin e tetorit.Sidoqe te jete,periudha e revolucioneve ka mbaruar dhe merita per kete i takon demagogeve joburra,qe as gra nuk jane.Por te thuash qe proletariati nuk ekziston eshte shume,se ja,keta miliona te papunet çfare jane?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje