“Thirrëm në 00355”

7 Shtator 2012, 20:26Blog TEMA

Nga Astrit Gashi

Patetikët politikë, shumë nga të cilët janë shndërruar në deputetë me vota të vjedhura, të blera, të shkëmbyera e të kontrabanduara, këtë të mërkurë u dëshmuan patriotë të vërtetë, për t’u mburrur në mëhalla, a kafene lokale. Ua thotë mendja atyre. Në fakt janë as afër kësaj.

Edhe këtë e dëgjon njeriu nga deputetët tanë dhe nga mediet online: “Parlamenti i Kosovës aprovon kodin telefonik të Shqipërisë”. Për një moment të shkon mendja se njëmend është realizuar ideja e Hydajet Hysenit e Nait Hasanit me shokë për një shtet të përbashkët të shqiptarëve dhe se tashmë vetëm se jemi duke e jetuar këtë ëndërr. Por jo që kjo nuk është, por zor se mund të dëgjosh diku tjetër në botë një shembull që një parlament të udhëzojë qeverinë që të kërkojë e të marrë një kod të huaj e madje dhe që kjo pastaj të intepretohet triumfalisht si punë e kryer nga media- online-, thua ti se ky parlament mund të vendosë për një pasuri të Shqipërisë dhe jo pronari i tyre.

As njëra dhe as tjetra nuk janë të vërteta. Kjo që bëri parlamenti është turpërisht e krahasueshme edhe me miratimin e një rezolute për anëtarësimin e menjëhershëm të Kosovës në Bashkimin Evropian, apo si e tha një mik i imi, e krahasueshme me miratimin e një rezolutë për anëtarësimin e BE-së në Kosovë.

Sot kur Kosova përdor dy a tre kode ndërkombëtare, në mesin e të cilëve edhe atë të Serbisë, “patriotët” e foltores në vend se t’i bëjnë presion qeverisë si dhe bashkësisë ndërkombëtare për ta siguruar kodin ndërkombëtar telefonik të Kosovës, bënë të kundërtën i kërkuan të zmbrapsen për të marrë kodin e një shteti tjetër- të Shqipërisë.

A thua kaq pak seriozisht e marrin këtë shtet këta njerëz, sa që porositin qeverinë që nëse nuk mund ta “merrni kodin tonë, dorëzohuni e merreni një tjetër”. Shyqyr që kjo logjikë nuk mbizotëroi, ta zëmë, viteve të 90-ta se Milosheviçi sot do të ishte gjallë e i fortë, në krye të shtetit serb e ne do të ishim një provincë në kuadër të Serbisë!

Do të vlente angazhimi i përhershëm i deputetëve për një kod tonin, madje edhe sikur të mos arrihej ndonjë rezultat nga një formë e tillë e presionit, sot kur kemi një qeveri injorante e që rezolutat nuk i trajtoi jo vetëm si diçka joobligative, por nuk ua jep peshën as edhe sa të një letre tualeti.

Rezoluta e së mërkurës përveç se e pamenduar mirë për të qenë kërkesë e deputetëve të një shteti, ajo është po kaq zor e realizueshme në praktikë gati sa edhe vetë kodi vendor. Zor e realizueshme politikisht, sepse për të marrë ne kodin e Shqipërisë duhet së pari të vendosë vetë ky shtet dhe pastaj ta aprovojë Unioni ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU). Po pra, po kjo ITU, në të cilën për shkak të serbëve, rusëve dhe kinezëve nuk po arrijmë të kemi kod tonin telefonik. Si do ta zbusin tash këtë mospajtim të këtyre tri shteteve dhe disa tjerave nuk më duket se i ka shkuar ndërmend ndonjërit nga deputetët dhe as atyre që hartuan atë.

Ndërrimi i kodit pa dyshim se do të ketë edhe pasoja teknike. Kalimi i të gjithë numrave- që janë më shumë se 1.5 milion, edhe po të ketë aprovim nuk është se bëhet brenda natës, përkundrazi do të kërkojë të paktën disa muaj, e më së paku gjashtë. Varësisht nga kontratat që kanë operatorët mobilë me Monaco Telecom (Vala-PTK) dhe Telekomin Slloven (IPKO) një ndërrim i menjëhershëm është i pamundshëm dhe me shumë siguri jo edhe pa pasoja financiare.

T’i ketë menduar ndonjëri nga deputetët këto gjëra, apo ka mundësi që këta mendojnë se kjo punë është po aq e lehtë për t’u bërë sa edhe të hiqet një kabllo nga një prizë për ta futur në një tjetër. Nuk e di por gjasa ka. Çka, të zëmë, nëse 049, 045 ose 044 janë kode aktuale të ndonjë qyteti të Shqipërisë dhe si do të zgjidhej kjo dilemë? T’i kenë menduar, apo t’i kenë bërë pyetje këto? Nuk ma merr mendja fare.

Një mik i imi e tha: vetë ndërrimi i një kodi të huaj me një kod tjetër, nuk është asgjë më shumë se ndërrim i xhirollogarisë nga një bankë komerciale në tjetrën për të dërguar para.

Të merremi vesh, jo se kam diçka kundër kodit telefonik të Shqipërisë. Kjo gazetë ka qenë tërë kohën ithtare e fuqizimit të raporteve me Shqipërinë, dhe as s’e kam ndonjë frikë nga idetë e bashkimit kombëtar, por për faktin se kjo iniciativë është nisur mbrapshtë- nga fundi e jo nga fillimi- dyshoj jo vetëm në nevojën, por edhe në seriozitetin e saj. Thjesht dhe përditë po bëhemi gazi i botës.

Nuk bën pa e vënë në mendje se kodi telefonik i Kosovës ka qenë pjesë e diskutimeve “teknike” me Serbinë, dhe se një marrëveshje për të thuhet të ketë qenë e gatshme. A do të kishte qenë më mirë që qeverisë t’i kërkohej të raportojë se ku kanë ngecur gjërat në këtë drejtim, sesa t’i kërkohet një kod i ri i huaj? A do të ishte më mirë që nëse tashmë palët kanë qenë afër marrëveshjes dhe nëse diçka e tillë të pritet të realizohet brenda gashtë muajve, apo një viti- që deputetët të insistojnë te Qeveria por edhe të BE-ja që kjo të bëhet?

Do të ishte më reale që Qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare t’i kërkohej që të shtyjë përpara çështjen e një kodi telefonik të vendit- qoftë edhe gjeografik- diçka si 003813 ose 003815. Të dy këto mundësi shumë të realizueshme.

Si duket këto nuk janë brengat e deputetëve tanë. Sepse këta, me përjashtime, nuk janë aty për të zgjedhur ndonjë hall e për të adresuar ndonjë kërkesë, por më shumë për t’u bërë sikur janë yje televizive./ZERI

 

9 komente në ““Thirrëm në 00355””

  1. anonimus says:

    Pse qenka e pa mundur te perdoret kodi i Shqiprise ndersa mundet te
    perdoret i Monakos, Sllovenise dhe Serbise ?

  2. Agron says:

    Ne qoftese u lejoka te perdoren prefiksi i telefonit te Serbise, Monakos dhe Sllovenise, pse nuk u lejoka te perdoret ai i Shqiperise. Absurde, qeverite e Shqiperise dhe te Kosoves mos ta pranojkne kete arsytim bajat. Te ngrifen kesaj here se gjithenje sillen pordha neper breke.

    1. raimondi says:

      Ashtu eshte -Duhet qe qeveria e Tiranes te ngrihet dhe t ekekroje llogari nderkomebtareve ne lidhje me mosperdorimin e prefiksit te Shqiperise

      Nuk ka aspak kuptim te mos perdoresh prefiksin e Shqiperise ne Kosove, kur lejohet te perdoren 3 prefikse te tjera qe edhe ato jane te huaja

      Eshte fyese per ne shqiptaret te lejsosh justifikime te tilla kunder prefiksit te Shqiperise ne Kosove

      Politkanet shqiptare duhet te luftojne me force ne Europe, se ne pergjithesi ata nuk na duan ne, dhe jane pro Serbise

  3. MARKO says:

    Nuk ju ka mbetur gje tjeter, vetem te therrisni hoxhen mbi minare.

  4. Taulant says:

    Bie dakort me Agronin dhe qeverite mos te gjejne justifikime duke thene :ne bene cdo gje ..por ja ata nuk na lene ,sidomos qeveria shqiptare e shqiperise

  5. Ketyrere shoqeruesve te qeveris si astrit gashi tash munde edhe shoqerues te armikut tju themi,qfar komenti ,tema online nuk o kan dasht keti shporrani tja botoj ket shkrim.ky paska dal me na dhan mend se nuk po bejka me pas kod te shtetit Am e po bejka te serbis dhe te dreqit e te kujtedo por jo te shqiperis ,pra keta analist jan dhe shoqeruesit e armikut.

  6. Drenica e Kuqe says:

    Sesi Astrit Gashi e quan vehten analist e nuk di te shkruaje shqip, eshte teper e çuditshme! Se pari titulli nuk shkruhet ashtu siç e ka shkruar “analisti” e “redaktori” Astrit Gashi e ia ka publikuar edhe TEMA por shkruhet: Thirrmë në 00355… Shkrimi eshte i stermubshur me gabime logjike e drejtshkrimore dhe si i tille nuk meriton vemendje dhe as bjerrakohe per lexim… Po si nuk mund te mesohen titistat ndryshe se “diplomat” dhe titujt “shkencore” u sherbejne vetem per te uzurpuar e zene vende pune “merite” e pa merite! Turp, e!…

    Drenica e Kuqe

  7. mendimtari says:

    Mendimtari qe ka shkruar kete artikull eshte munduar per te na dhene pergjigje si dhenderri ne vakt,une per vete jam dakort qe Kosova te marri prefiksin e Gerqise ose ne pa mundesi ate te Qipros se zeze . Paris

  8. telekomi says:

    Astrit e dim qe te pengon kjo(+355)qe te kemi prefiksin e e Telekomit shqiptar.
    Asnjehere nuk e ngrite zerin pse e kemi prefiksin e Serbise, te Sllovenis dhe Monakos por gjete qime ne ve kur eshte ne pytje kodi shqipetar,shkon aq large sa kundervehesh sherbimit teknik te PTK-es e cila ka deklaruar sa e sa here qe jemi gadi qe ne cdo moment mund te lidhemi pa asnje problem me telekomin shqipetare. Edhe nese ka ndonje penges teknike mund te eleminohet shpejte. Demi qe jemi me kode telefonike te huaja eshte per ata qe kane prapavi per interesa politike dhe finaciare.Askush nuk e konteston kodin Serb, Slloven dhe ate te Monakes, kete e bene ti edhe ketu. Te tri jane te huaja dhe per qudi vetem +355 po shkaktueka probleme. Ik mos u paraqite me kurr ne emer te shqipetareve sepse nuk i takon asaj loze.Ti e di mire kete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje