Berisha, Fullani dhe viti i ri shkollor

6 Shtator 2012, 21:08Blog TEMA

Nga Ulsi Manja

Javës që vjen, më datë 10 shtator fillon viti i ri shkollor 2012-2013 në të gjitha ciklet e arsimit 9 vjeçar dhe atij parauniversitar në Shqipëri dhe si në të gjitha zyrat e shtetit, edhe në Ministrinë e Arsimit ka rënë zjarri.

Atmosfera e fillimit të vitit të ri shkollor ndihet vetëm në xhepat e qytetarëve dhe dyqanet e artikujve shkollorë, që në mënyrë abuzive kanë ngritur çmimet, ndërsa në ambientet e shkollave, aty ku duhet të ketë gëzim dhe emocion të veçantë shfaqet drama e vërtetë e shoqërisë shqiptare.

Nuk dua të ndalem tek ajo ç’ka ofrojnë për fëmijët tanë ambientet shkollore në të katër anët e vendit, sepse nga filmimet e atyre pak mediave të pavarura nga qeveria ato duket se janë në gjendje të mjeruar, por do të doja të ndalem te drama e vërtetë që luhet në katet e para të shkollave aty ku tregtohet libri shkollor, aty ku shfaqet me gjithë ligësinë dhe paturpësinë e vet fytyra e vërtetë e shtetit dhe e qeverisë Berisha.

Aty ku në fakt duhet të shfaqet vizioni i shtetit për të ardhmen e kombit dhe krenaria e çdo prindi për fëmijët e tij, ka vetëm lot dhe mallkime pa fund.

Lot prindërish që u vjen turp nga vetja, sepse nuk kanë para mjaftueshëm për t’i blerë të gjithë librat  dhe  mallkime që derdhin vrer ndaj shtetit dhe Qeverisë së atyre që i ka degdisur rrugëve, pa punë dhe dinjitet njerëzor.

Kjo lloj drame vazhdon të shfaqet përditë në të gjitha shkollat publike pa dallim, nga veriu në jug e madje edhe në mes të Kryeqytetit të vendit.

Teksa qëndron në radhë për të blerë me çmime të kripura librat e shkollës, vetvetiu të kap një lloj pezmi njerëzor kur sheh prindër të vrerosur që edhe pse janë në moshë aktive për punë numërojnë qindarkat e fundit të xhepit ose largohen sa marrin vesh çmimin e librave.

Por drama që ka vënë në skenë qeveria Berisha me personazh kryesor prindin e rraskapitur shqiptar arrin kulmin kur njëri nga prindërit në radhë i kthen shitëses së librave matematikën e klasës së katërt duke i thënë se vajza do mësojë me librin e djalit që hidhet në klasë të pestë se nuk më dalin paratë.  “Jo”, – i thotë prerë shitësja – “ai libër nuk bën”. “Po pse nuk bën” – pyet gjithë shqetësim prindi? – “A nuk është i njëjti autor dhe e njëjta shkollë ku mësojnë fëmijët e mi?” – “Kështu e kam urdhrin” – thotë e nervozuar shitësja, – “ose bli të riun ose vajzën nuk ta lënë në klasë me matematikën e vjetshme”.

Dhe si për të sqaruar, gjasme prindin e zemëruar, duke bërë kompetenten dhe me një ironi therëse gjer në kockë, shitësja vazhdon: – “teksti është i të njëjtit autor, por ky i riu ka më shumë fletë dhe kushton 100 lekë më shtrenjtë, kështu më kanë thënë “ata lart” këtë  po të them dhe ty, tjetër gjë nuk di”.

Këtu zemërimi arrin kulmin, por nuk ka kush ta ngrejë grushtin e hekurt, sepse Migjeni ka kohë që ka vdekur dhe nuk ngrihet dot.

Edhe pse Kushtetuta dhe ligji e ka përcaktuar si të detyrueshëm arsimin 9- vjeçar (arsimi fillor dhe ai i mesëm i ulët), Shqipëria vazhdon të jetë i vetmi shtet në Europë dhe rajon që nuk i jep falas librat të paktën për arsimin fillor, edhe pse ka modele shtetesh që i japin falas për të gjithë ciklin e plotë të arsimit 9 – vjeçar ku bën pjesë edhe Kosova, si shteti më i ri në Europë që filloi vitin e ri shkollor këtë fillim  jave.

Dhe për ta bërë një gjë të tillë nuk është se mungojnë paratë, ato gjenden sa hap e mbyll sytë, mjafton që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani të pakësojë me 2 milion euro shpenzimet e tij të luksit.

Mirëpo në Shqipërinë e Sali Berishës së harruar nga koha dhe të Ardian Fullanit që harxhon miliona lekë për të ndriçuar me spote diskosh skutat e errëta të Bankës së Shqipërisë askush nuk e ka mendjen tek arsimi dhe shkolla por vetëm tek korrupsioni dhe paratë e pista.

Kryeministri Berisha, në vend që të respektojë Kushtetutën dhe ligjin, ka mëse 7 vjet që mashtron prindërit shqiptarë me formula korrupsioni, për gjoja rimbursim 100% të teksteve për kategori të caktuara sociale apo grupe në nevojë e lloj-lloj pelivanllëqesh të tjera si ato që broçkulliti dje në mbledhjen e Qeverisë, sepse nga eksperiencat e viteve që kanë kaluar askush nuk ka marrë asnjë kokërr leku rimbursim për tekstet e blera dhe se në xhepat e kujt kanë shkuar ata lekë një zot e di.

“Investimi në dije paguan interesin më të mirë”, – thotë Benjamin Franklin, por për Qeverinë e Sali Berishës “investimi në prona të paluajtshme dhe në qendra tregtare paguan interesin më të mirë”. Në retorikën e tij për arsimin, kombin dhe shkollimin e brezave të ardhshëm, Berisha është i tëri dhe i bëri false, se po të ishte  ndryshe do të kishim shkolla më të mira, mësues më të kualifikuar, më pak analfabetizëm etj,  dhe tek e fundit nuk do të kishim Ministër Arsimi Myqeremin, që për  gjuhë të nënës ka një gjuhë tjetër dhe jo shqipen.

“Si është arsimi sot ashtu do të jetë shoqëria shqiptare nesër” – thuhet. Vetëm një shkollë cilësore mund të jetë në gjendje të minimizojë pengesat në përparimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Por me Berishën Kryeministër, Myqeremin Ministër Arsimi dhe Fullanin Gurvernator Banke, Shqipëria nuk ka dhe as nuk do të ketë arsim dhe shkolla.

Shoqëria shqiptare ka premisa të zymta për të ardhmen  për më shumë papunësi, korrupsion, krim, trafikim e dukuri të tjera negative, metastazat e të cilave e kanë mbërthyer për fyti që tani.

“Kur rrënjët nuk funksionojnë, me mijëra gjethe bien …” – thotë një shprehje filozofike dhe mesa duket, si kudo, edhe arsimin në Shqipëri Qeveria Berisha ka vendosur ta shkatërrojë nga rrënjët, por mallkimi i përzier me lotët e prindërve  shqiptarë, që nuk kanë me se t’i blejnë librat për fëmijët e tyre herët a vonë do t’u bjerë mbi kokë pa përjashtim Berishës, Fullanit, Rulit, Olldashit, Bodes, Bashës, Xhozit dhe gjithë sojit të tyre dhe ky është investimi më i sigurt për të nesërmen e zezë që i pret.

6 komente në “Berisha, Fullani dhe viti i ri shkollor”

  1. dymi says:

    Perdite bindem se mire ja u ben Sala, Fullani e te gjithe ata qe permenden me siper. Niveili i ketij mileti eshte shume i ulet per te pretenduar per me teper.

    1. Populli bageti says:

      Jane bageti or burre, natyrisht qe mire ja u ben Saliu. Edhe une jam bindur se keta njerez qe nuk kane respekt per veten e tyre e meritojne te jetojne keshtu se aq kapacitet kane.

  2. Elona M. says:

    Ore po nje here te vetme te ishte kujtuar ky dhiar per femijet qe shkojne ne shkolle!
    Ne katundin e humbur Vicidol ka qene po nuk e la kush pa shkolle, erdhi deri ne Tirane e studjoi edhe ne france.
    Sot, Norvegjezet e Ballkanit nuk kane para te blejne librat e shkolles, nuk kane para te hane buke.
    Ne Itali dhe gjithkund ne bote, librat shkollore rimbursohen nga shteti, kurse ketu shteti ua fut me keq ne pazar!
    ca u bene librat, program kompjuteri qe duhet perditsuar doemos vit per vit!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/dhi-e-zgjebosur-dhe.html

  3. STRANA says:

    Ajo qe shkruhet eshte e verteta e hidhur per mijera prinder ne te gjithe Shqiperine.Kush ka femije per te çuar ne shkolle eshte ne hall te madh. Une kam te afrem te mite qe kane mare leke borxh per te bere gati femijet per ne shkolle si te gjithe femijet e tjere se u vjen turp. Por çe do mire qe nuk ngrihen ata prinder qe jane ne punera te mira dhe kane me se ti cojne femijet ne shkolle por ketu nuk ngrihen as te varferit. Sa per ate Fullanin me vjen te vjell kur e shoh ne televizor tek fshin djerset me nje shami ballit tamam si ato dallkauket e rakise. Turp, turp edhe per Sali Berishen qe e mbajme akoma ne pushtet. Gjer ate dite kur harami tu kthehet per shpine ne morem fund more Ulsi vellai te them vella edhe pse nuk te njoh se te pakten je kujtuar te shkruash dicka per femijet qe mezi i risim. Faleminderit per shkrimin

  4. Ridgewood says:

    “teksti është i të njëjtit autor, por ky i riu ka më shumë fletë dhe kushton 100 lekë më shtrenjtë”
    Pupupu c’vete ne Shqiperine tone, dhe ne qahemi?! Po ne kemi gjenij ne Shqiperi, kemi shkencetare ne Shqiperi. Te kemi dhjere mu ne Pitagore, ne e shtojme matemaiken ca flete dhe 100leke me shume brenda vitit.

  5. ”Kështu e kam urdhrin” – thotë e nervozuar shitësja, – “ose bli të riun ose vajzën nuk ta lënë në klasë me matematikën e vjetshme”.–
    –Po mirë,mo zonjush që merr urdhër e shet libra të shtrenjta,Ajo vajza e klasës së katërt…do mësojë me fotocopje…të librit të ri të matematikës…(Të cilat do ti bëjë përditë…)-Edhe këtë gjë,nuk e lejon urdhër-dhënësi,moj shitësja që zbaton verbërisht urdhërat…….?!-Në të gjitha vendet e rajonit të paktën,Kosovë,Serbi,Greqi,Maedoni….Mal i zi..etj…librat jepen falas…-Përse Shqipëria.()kupto ministria e Myqeremit..)duhet ti shesë…?-Ndërsa k/ministri flet gjithmonë për shqipëri dixhitale…-Temë e goditur z.Ulsi,por duhet që të gjithë prindërit dhe jo-..duhet të çohen,kundër metodave të myqeremit…(që ka vajtur në Myqe…)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje