Miliona dollarë kontrabandë dhe mijëra vdekje

3 Shtator 2012, 13:26Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Cili është shkaku numër një i vdekjeve të parakohshme në Shqipëri? Kësaj pyetjeje shumë shqiptarë mund t’i përgjigjen: Aksidentet automobilistike. Por përgjigjja e tyre do të ishte e gabuar. Krahasimisht me aksidentet automobilistike, një tjetër vrasës bën shumë më tepër kërdinë në atdheun tonë. Është shumë më pak i dukshëm se aksidentet –  lajmet televizive nuk japin çdo natë kronika për të –  por ashtu, pa u ndjerë, ai e bën punën e vet… Quhet duhan!

Para se të hynte në fuqi ligji për ndalimin e duhanpirjes në vende publike (në vitin 2007), Shoqata Amerikane e Kancerit financoi një studim (http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/19256288), sipas të cilit, 2800 vdekje të parakohshme në Shqipëri mund t’i atribuohen çdo vit duhanpirjes ose tymit që thithet nga ata që nuk e pinë duhanin, por që janë të ekspozuar ndaj tij. Krahasimisht, aksidentet automobilistike shkaktojnë rreth 400 vdekje të parakohshme në vit.

Bazuar në një kampion statistikor prej 4000 të intervistuarish, të zgjedhur me probabilitet të njëjtë në zonat urbane dhe rurale të të gjithë vendit, studimi gjeti se, në prill 2007, rreth 700 mijë shqiptarë pinin mesatarisht nga 1.1 paketë cigare në ditë, ndërsa rreth 130 mijë të tjerë pinin afërsisht një paketë në javë (marzhi i gabimit statistikor +/- 1.5%). Këto rezultate ishin të ngjashme me atë një studimi të financuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2000 (http://www.who.int/tobacco/media/en/Albania.pdf).

Duke i përmbledhur këto rezultate të studimit të financuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit, rezulton se në tremujorin e parë të 2007-ës, u konsumuan rreth 1400 tonë cigare në Shqipëri. Ndërkohë, Drejtoria e Doganave raportonte në faqen e saj të internetit se vetëm 600 tonë të cigareve të importit kaluan nëpër filtrin fiskal të shtetit gjatë të njëjtit tremujor. Ndërsa Ministria e Financës raportonte një shifër prej 50 tonësh për prodhimin e vendit. Pra, i bie që të mos jetë paguar as akcizë e as TVSH për 53% të sasisë së cigareve industriale që u konsumuan në tremujorin e parë 2007. Ose më konkretisht, i bie që, me të njëjtin ritëm vjetor, buxhetit të shtetit t’i jenë mohuar për gjithë vitin rreth 60 milionë dollarë.

Në një studim të dytë të kryer në mesin e vitit 2009 (të financuar përsëri nga Shoqata Amerikane e Kancerit, http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/20679417), u konstatua një nivel pothuaj i njëjtë i duhanpirjes në Shqipëri, por niveli i zhdoganimit të cigareve kishte pësuar një rrritje prej 22.5% në krahasim me 6-mujorin e parë të 2007-ës, gjë që e ulte humbjen e buxhetit nga kontrabanda në nivelin 35 milionë dollarë në vit.

Por ç’do të ndodhte në qoftë se akciza dhe dogana e cigareve do të vilej e gjitha? Sipas studimeve të sipërcituara, rreth 115 vdekje të parakohshme në vit do të evitoheshin nga ngritja e çmimit të paketave që do kalonin filtrin fiskal – kur rritet çmimi, ulet konsumi i cigareve, e për rrjedhojë, edhe numri i vdekjeve të parakohshme.

Si mund të kursehen ndryshe jetët e njerëzve? Rreth 130 vdekje të parakohshme në vit mund të evitohen nëpërmjet zbatimit të ligjit anti-duhan në mënyrë strikte – sidomos komponentët e moslejimit të pirjes së duhanit në vendet publike dhe ndalimit të plotë të tregëtimit të cigareve nëpër rrugë.

Dhe si shpjegohet ky impakt? Për çdo 6 cigare që pihen në një tavolinë kafeneje, restoranti apo zyre, personit që s’e pi duhanin i shkaktohet një efekt negativ i barabartë me atë të pirjes së një cigareje prej tij vetë. Gjithashtu, si rezultat i efektit dekurajues të ligjit antiduhan, pakësohet numri i cigareve që pinë në ditë duhanxhinjtë. Ndërkohë, ata që përpiqen ta lënë duhanin, ose që nuk duan ta fillojnë, e kanë më të lehtë ta bëjnë këtë gjë kur nuk ngacmohen nga cigaret që shiten rrugëve dhe kur njerëzit përreth tyre nëpër kafenera, restorante e zyra nuk tymosin. Pra, pakësohet kështu edhe numri i atyre që pinë duhan.

Dhe paratë që do të shkonin për blerjen e cigareve mund të shkojnë për të blerë produkte më me vlerë për shëndetin…

6 komente në “Miliona dollarë kontrabandë dhe mijëra vdekje”

  1. Attitude says:

    Zoti Zaloshnja, shkrimi juaj me duket tipik i nje stili mediatik ku u thua kompanive te duhanit “shpenzoni disa para per mua” se une kam akses ne media. Demonizimi i produkteve te konsumit te rregulluara me ligj dhe te konsumuara me koshience nga cdo adult eshte nje veprim jo i ndershem profesionalisht per nje person qe shkruan ne gazeta si ju. Pse nuk permendni alkolin, birren, naften apo produkte te tjera qe mbartin aksize sa para jane humbur nga mos zhdoganimi i tyre?! Zbatimi i ligjit antiduhan eshte pergjegjesi e shtetit, dhe moszbatimi deri tani nga qytetaret nuk ka ardhur nga mungesa e informacionit per efektet e duhanit ( fakt per te cilin duhet te kishe dhene info ne shkrimin tend), por nga arsye te tjera. Filozofia e te berit te ligjeve duhet ti permbahet vendit dhe kultures se tij dhe jo thjesht njehsimit me ato Europiane, perndryshe keto ligje mbeten te pazbatueshem ( si ne rastin e ligjit antiduhan).

    1. arbeni says:

      ore attitude, s’e paske kuptuar dot pse e ka shkrujt zaloshnja kete artikull, ngaqe s’ke klikuar keto linket qe ka dhene. po te klikosh, do shikosh se zaloshnja ka qene bashkeautor i dy prej tyre, dhe do me u mburr nje cike sic duket…

  2. xhemal says:

    shqipetaret po lene cigaren se kane mariuanen hashashin falas haaaaaaaaaaaaa,,,,,,,,,,

  3. Agimi, Detroit, Michigan, USA. says:

    Mbi 5-vjet qe ndjehem krenar qe e kam lene duhanin mbas 25-vitesh duke e pire rregullisht dhe me shume deshire, shijim,lezet. Tani me vjen shumekeq per secilin duhanxhi qe e shikoj duke pire. Nje duhanxhi mua me duket qartazi si nje njeri pa vullnet te mjaftueshem per te lene duhanin dhe njekohesisht me nje vule ne balle qe dukshem duket i vulosur qe nuk e ka forcen morale te atyre ish/duhanpireseve qe kane nderprere pirjen e duhanit.

    Pa hezitim, te gjithe duhanxhijte me duken alabake..ata qe e pine ne dhome brenda ne famile ..edhe me alabake.

    Ky eshte mendimi im personal qe nuk pranoj ta ve ne diskutim.

    Shendet dhe gjithe te mirat te gjitheve.

  4. Agimi, Detroit, Michigan, USA. says:

    Ketu ku banoj..nuk shikon ne televizor, ne asnje kanal , ne asnje emision lajmesh , pothuajse kurren e kurres ,nje njeri te zakonshem duke pire duhan. Ndoshta eshte ligj. Dhe me erdhi si cudi, kur pashe njehere lajmet ne televizionin shqiptar ish/kryeministrin (ne ate kohe) Ilir Meta duke pire dahon direkt para kamerave..”albanistan , thashe me vehte.”
    Nese futesh ne ndertesen e aeroportit, sic hyra yne para 7-vitesh, duhet te dalesh perjashta fare qe te pish duhan. Une nuk e dija kete.
    Kalova piken e kontrollit te doganor dhe te pasaportave dhe fillova te shetis dyqan-dyqan per te kaluar kohen duke pritur per aeroplanin.
    Me pihej cingare dhe fillova te interesohesha se ku mund te pija cingare. Ambienti dhe zona ishte aq e madhe sa kishte tren me dy-tre vagona per te shkuar nga nje ambient ne tjetrin..dhe patjeter do te ishte nje vend per duhanxhijte. Qe ti bije shkurt juve edhe ne ate kohe per vehte, pyes nje polic te aeroportit se ku mund te pije nje cingare gjate kohes qe po pres aeroplanin per te shkuar ne Gjermani ?
    E merni me mend pergjigjen e policit ?
    Kur te zbresesh ne Gjermani mund te pish duhan . Dhe me te vertete sapo zbrita erdhi aroma se diku afer pihej duhan..shkova me vrap dhe vu- e vu, e vu duke e thithur si i marosur.
    Tani kam mbi 5-vjet qe jam rehate.

  5. statistikat says:

    Shqiptaret vdesin me shume ngaqe ju mblidhen me shume te keqia ne trup e ne organe se te tjereve.S’eshte vetem duhani doktor zaloshnja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje