Bllokada ose janë “një”

3 Shtator 2012, 20:21Blog TEMA

Nga Beqë Cufaj

 

Përvojat e hidhura politike me terminologjinë bllokadë nuk janë edhe të panjohura ndër politikanët shqiptarë. Tashmë që dekada të tëra, bllokadat që opozitat shqiptare u bënin pozitave herë në Shkup dhe sidomos në Tiranë, janë një dekor bizar, ogurzi, fatkeq, i pështirë dhe nga perceptimi perëndimor gati se normal në çaste të lehta apo rënda politike për popullin shqiptar gjithandej në Gadishull.

Ishte vetëm Prishtina, ose thënë edhe më mirë, kastat politike të kryeqytetit të Kosovës, që deri më tash nuk e kishin sprovuar këtë sport kaq jodemokratik. Që të jemi të qartë: nuk është që në Kosovë nuk ka pasur tentativa apo edhe sprova afatshkurtra për hapjen e këtij shtegu të mbrapshtë – por falë ndërhyrjeve diplomatike të të mëdhenjve- SHBA-ve e BE-së, kjo formë e ushtrimit të kësaj praktike nuk funksionoi pothuajse asnjëherë.

Por tashti, kur në Shkup e Tiranë, pak a shumë e kemi një qetësi dhe normalitet institucional, radhën e ka Prishtina. Dhe atë në formë “sui generis”. Të pakrahasueshme pra edhe me dy “universet” e sipërpërmendura. Situata është e qartë. LDK-ja, pas marrëveshjes me PDK-në dhe AKR-në për zgjedhjen e presidentes së përkohshme – për aq sa do të bëheshin ndryshimet në Kodin zgjedhor dhe ndërrimet kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ndjehet e tradhtuar sepse doli që sipas “interpretimit” të Gjykatës Kushtetuese, Presidentja nuk është edhe aq e përkohshme.

Tërë puna e bërë në amendimin e Kushtetutës dhe reformën zgjedhore u ngri kurse PDK-ja do ta ruajë “vendim/aminin” e Gjykatës Kushtetuese dhe me këtë edhe pushtetin e saj. AKR-ja, ashtu siç është s’ka çka humbet më shumë sesa që ka humbur kurse jashtë loje vazhdojnë të jenë Vetëvendosja dhe AAK-ja.

Që situata të jetë edhe më e ndërlikuar, tërë këtë proces, dhe sidomos nismën e marrëveshjes e kishim me iniciativën dhe shkopin dirigjues (të cilit mund t’i themi edhe ndryshe) të ambasadorit amerikan në Prishtinë, i cili tashti nuk është më në Prishtinë.

Pyetjes nëse njëra apo tjetra palë kanë më shumë apo më pak të drejtë e kemi vështirë t’i përgjigjemi. Sepse përgjigjja del të jetë edhe ashtu e cunguar nëse nuk e pranojmë një fakt të ditur: nga bllokadat humbasin të dy, apo thënë edhe më mirë të gjitha palët politike. Dhe më së shumti humbasin qytetarët e Kosovës, të cilët në vend që të presin rezultate në fushat jetike të vendit – siç janë luftimi i krimit e nepotizmit, ngritja e kapaciteteve në procesin e liberalizimit të vizave dhe proceseve integruese, përgatitjet në bisedimet për veriun… duhet të shohin seri se kush kënd po e bllokon! Kjo situatë jo që është e pafalshme por pasojat e kapërthurjeve të kësaj natyre për shtetin e brishtë të Kosovës mund të jenë shumë më të mëdha.

Personalisht jam i prirë të besoj që bllokada që LDK-ja dhe Isa Mustafa janë duke i bërë këtij procesi është e drejtë. Për shumë e shumë shkaqe e shkase… por kryesori duhet të jetë ky: fjala duhet mbajtur dhe qoftë Kushtetutën ashtu edhe ligjin e shkruajnë njerëzit dhe jo zotat. Pos kësaj, nëse Mustafa do të pranonte që edhe më të futej në lojërat e kthetrat e Thaçit, kjo do të shënonte për të fundosjen (totale) politike.

Nga ana tjetër, është pikërisht Thaçi ai që përfiton nga kjo situatë më së shumti. Sepse ai mund ta denoncojë Mustafën dhe LDK-në tek “miqtë” ndërkombëtarë për bllokadë dhe po kështu kur dhe si të dojë, mund ta shtyjë tërë këtë lojë derisa ta ndërrojë mendjen dhe të zgjedhë ose partnerë të rinj koalicioni ose të hapë kartat dhe konkurrojë drejtpërdrejt për President…

Thaçi është pra në situatën “win-win”. Këtë gjë duhet ta dijë edhe LDK-ja. Dhe kjo pozitë e tij komode do të mund të prishet vetëm… nëse LDK-ja vendos që me numrat e saj të kalojë nga kjo (gjysmë)bllokadë në bllokadë totale. Nuk do të duhej të çuditemi që kjo situatë mund të ngjajë. Gjithsesi pas datës 10 shtator. Natyrisht që kjo nuk do jetë ndonjë risi. Sepse jemi mësuar me sivëllezërit në Shkup e Tiranë. As në këtë drejtim nuk duhet t’ua lëmë mangët. Tekefundit – janë apo nuk janë “një”?!

 

1 komente në “Bllokada ose janë “një””

  1. shqiptar says:

    Kjo eshte gjuha e nji Gazetari te vertet .Pergezime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje