Për një rrugëdalje nga kjo gjendje e ekonomisë

7 Shtator 2012, 20:19Blog TEMA

Nga Arben Demo*

Në tre shkrime analitike për ekonominë shqiptare dhe nevojën urgjente për reforma të thella (respublica.al  6 dhe 20 prill e 4 maj) premtuam se do të bënim propozimet tona. Këto i kemi paraqitur në  respublica.al datë 8 korrik si dhe në një shkrim për shitjen e pasurisë kombëtare më 17 të po këtij muaji. Këtu po japim më të përmbledhura propozimet tona, por duke marr parasysh dhe zhvillimet në ekonominë e vendit në këto dy muajt e fundit. Rënia (zvogëlimi ) i vazhdueshëm i ritmeve të rritjes ekonomike tregon qartë, për ata që  duan Shqipërinë  më shumë se pushteti i denatyruar (për të vjedhur),  do të thotë se jemi në vështirësi. Këtë e sheh gjithsecili prej nesh në  shtëpinë e vet, në treg, në rënien e konsumit dhe të shitjeve, shtrëngimin e kredive, rënien e investimeve vendase dhe të huaja, rritjen e borxhit publik dhe atij të  qytetarëve, rritjen e përqindjes së  bonove të  thesarit në  nivele rreziku për ekonominë. Gjendja e krizës së  thellë,  që ka përfshirë  ekonominë shqiptare, thellimi i saj  dhe mungesa e një perspektive për zgjidhje, është  rezultat i politikave të ndërmarra nga qeveritë. Ato  përherë e më tepër  janë  vetëm në interes të një pakice e në kurriz të shumicës dërmuese të  qytetarëve shqiptar. Kriza po vjen duke u thelluar dhe për ne, fundi i vitit do të jetë i papërballueshëm si për shtetin, ashtu  dhe për shumicën dërmuese të popullsisë. Është koha për masa urgjente përpara se të jetë vonë.

Janë të shumta zërat që i kanë theksuar këto përfundime për gjendjen e ekonomisë shqiptare dhe pak kohë më parë edhe disa  eksponentë  të  partisë në pushtet si Bode dhe i “pavaruri” Fullani e pranonin në  mënyrë të mjegullt këtë  fakt. Masat e fundit për kursim” flasin pë gjendje kritike të ekonomisë shqiptare, e mnë radhë të parë të shtetit. Edhe ndryshimi që pritet ti bëhet buxhetit (e quajnë rishikim), do të fliste për këtë por, me sa duket presin ti shesin miqve Albpetrolin që të  fshehin gjendjen katastrofike në të cilën jemi. Kjo njëkohësisht dëshmon aventurizmin berishian në planifikim për të mashtruar me shifrat në rritje. Vetëm kush përfiton, sigurisht në  mënyrë të paligjshme, nuk do t’ia dijë  për këtë gjendje. Çuditërisht ende e mbështesin qeverinë ose heshtin  biznesmenët, që  nga dritëshkurtësia e tyre nuk po e kuptojnë, se  në  greminë ata do të zhyten përpara shumicës së  qytetarëve.  Ata duhej të  flisnin, si kolegët e tyre në perëndim, sepse fitimet e tyre janë   në  rënie dhe ndjejnë mungesë likuiditeti, ka shtrëngesë  kreditimi e shitjet po bien, çka rrezikon rrënimin e tyre nga dita në  ditë deri në falimentim. Biznesmenët  do të  kujtohen kur të  jetë  vonë  për ta, e jo vetëm për ta, por dhe për ne qytetarët, që  mbështesim njërën palë për inat të  kundërshtarit , duke i dhënë siguri se do të qëndroj në pushtet edhe me këtë rrugë pa krye.

Krahas rreziqeve  të përmendura më lartë janë dhe një  sërë  pengesash të  varura ( në  mos të  krijuara për përfitime) nga qeveria. Ato janë : mos zgjidhja e çështjes së  pronës dhe përvetësimi i padrejtë  i saj dhe mosveprimi (mos dëshira) për kthimin në rastet e grabitjes; favoritizmi për vete e klientët e familjes; monopolet në fusha të ndryshme të ekonomisë e sidomos korrupsioni në  ekonomi; likuidimi i pasurive kombëtare, si dhe mangësitë  në  energji, rrugë  e të  tjera. Pra kriza ekonomike shqiptare nuk është vetëm rezultat i krizës globale por dhe i keqqeverisjes shumëvjeçare dhe korrupsionit të shfrenuar, dhe korrupsioni bëhet vetëm me fondet publike, me monopolet për vete e klientët e familjes dhe politikës, ashtu dhe  në postet e shërbimet publike.

Për të  pasur zhvillim dhe  rritje të  ekonomisë  duhet një  hapësirë   më  e madhe për biznesin, e cila krijohet duke hequr pengesat në  nismat e tij, luftë  monopoleve duke  i hapur  rrugë  konkurrencës, që  krahas liberalizimeve është  në  themel të  ekonomisë  së  tregut të  lirë , pa të  cilën nuk do të  kemi kurrë zhvillim. Po kështu, duhet një  përmirësim i legjislacionit që  lidhet me biznesin si dhe i strukturave zbatuese të  tyre, sidomos për prokurimet e  koncesionet, sipas përvojës më  të  mirë  perëndimore, dhe sidomos gjithçka lidhet me transparencën (hapja e detyrueshme e zarfeve në publik) dhe parandalimin e ndëshkimin e korrupsionit. Shënojmë këtu se korrupsionin e kryejnë ata që janë në pushtet, ndër ta shumë më tepër nëpunësit e lartë që kanë të drejtë firme, se sa mjekët, policët e arsimtarët të vetmit që kapen sot.

Shqipëria ka nevojë  për një  reformim të  ekonomisë  së  saj, nëpërmjet një  sërë  reformash  strukturore, liberalizmit  të  tregut dhe të  procedurave si dhe uljes së shpenzimeve shtetërore krahas investimeve publike, të  cilat duhet të japin impakt në  ekonomi, në  punësim dhe në  shërbimet ndaj qytetarëve, veç masave lehtësuese dhe incentivave që nxisin biznesin, për punësim dhe investime qofshin dhe të përkohshme. Në Shqipërinë virtuale të kryeministrit ka eufori, ndërkohë që në perëndim parulla është  rreptësi, kursim, reforma strukturale dhe politika për  rritje ekonomike-.

Veprimi i parë që duhet të kryhet është  formalizimi i ekonomisë, domethënë,  njohja vetëm e veprimtarisë  ekonomike të  dokumentuar, pra çdo veprim të  kalojë  nëpërmjet bankave dhe të  caktohet një kufi përdorimi ”me para në dorë – cash” të themi 100000 lek,si për biznesin ashtu dhe për qytetarët, çka do të  thotë që  mbi këtë  sasi të  jetë  e mundur verifikimi i prejardhjes së parave për këdo. Krahas kësaj duhet të  deklarohen dhe të  regjistrohen gjithë pasuritë  e paluajtshme dhe të  luajtshme që  e kanë  detyrimin ligjor për këtë, të  deklarohen e të  depozitohen eventualisht në  banka, këtu ose jashtë, pasuritë  monetare. Vetëm pas një veprimi të tillë mund të flitet për luftë kundër korrupsionit, i cili ndër të tjera fshihet dhe pas dhuratave e kredive që marrin pushtetarët e lartë, si dhe keqbërësit.

Kemi të bëjmë me hapin e parë drejt një amnistie fiskale reale e ligjore, e cila është më se e domosdoshme në stadin e sotëm, madje e vonuar. Deri më sot, kudo në botë, ky mos pagim i pjesshëm apo dhe tërësor i taksave nga bizneset e individët shlyhet me një detyrim monetar të arsyeshëm, sipas rastit dhe kushteve aktuale tona. Kuptoj, që për shuma të vogla, të themi deri në 200000 Euro të jetë 2%; deri në 500000 Euro 3%; 1-3 mln Euro 5%; mbi 3mln 7%. Flitet për vlera monetare e pasuri që legalizohet brenda dhe jashtë vendit. Mund të ketë dhe nivele më të ulta për shtetasit me banim jashtë vendit, por që duan të depozitojnë këtu vlerat monetare që posedojnë dhe të formalizojnë pasuritë e tyre. Po kështu me vendet e huaja duhet të  bëhen marrëveshje për depozitat bankare të individëve dhe taksimin e tyre sipas modelit të vendeve evropiane.  Vetëkuptohet që individi bën një deklaratë formale që këto pasuri dhe vlerat monetare i ka fituar duke ushtruar biznese, apo dhe trashëguar, dhe shteti nuk ka të drejtë të bëj asnjë investigim për këtë, “as sot e as mot”, sepse prandaj dhe quhet amnisti.

Përjashtohen nga e drejta për amnisti ata që për shkak të detyrave në administratën shtetërore  i nënshtrohen deklarimit të pasurisë, dhe ky kontroll nuk kryhet vetëm për disa që zgjidhen me short, por, për të gjithë pa asnjë përjashtim. Kuptohet që dhe  pas amnistisë tatimet kontrollojnë një numër të madh biznesesh dhe individësh të cilët dyshohet se janë evazorë fiskal, nëpërmjet krahasimit të konsumeve dhe të ardhurave të deklaruara.

Kam bindjen se një amnisti e tillë veç mobilizimit të këtyre fondeve  dhe do jetë garanci për kredi, do të krijoj një mjedis normal për biznesin dhe veprimtari ekonomike të formalizuar, pra mundësi më të mëdha për zhvillim e rritje ekonomike. Shteti duhet të angazhohet publikisht që detyrimet për të, që eventualisht do të mblidhen, do të përdoren vetëm për investime publike me impakt në ekonomi.

Por, për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe kapërcimin e krizës që po përkeqësohet, nevojitet urgjentisht edhe një reformë tërësore e sistemit financiar. Pra, përveç amnistisë fiskale duhet reformuar dhe sistemi fiskal i denatyruar nga kjo qeveri me mendësi komunisto-primitive, sepse për të pasur një ekonomi të zhvilluar është i rëndësishëm sigurimi i të ardhurave për buxhetin e shtetit, kusht themelor për të siguruar politika rritjeje të ekonomisë shqiptare.

Detyra e parë është zgjerimi i bazës tatimore, pra duhet një luftë pa dallime politike ndaj  evazionit fiskal. Por krahas saj  duhet ndryshuar pseudoreforma fiskale që rëndon të varfrit,  ka pakësuar likuiditetin dhe ka ulur konsumin. Reforma fiskale që propozojmë ka në themel dy veprime, deklarimin e të ardhurave personale nga të gjithë, së bashku me regjistrimin e pronave, si dhe ligjin për tatimin mbi të gjitha të ardhurat personale, por jo në format e kapitalizmit specifik berishian.

Tatimi mbi të ardhurat personale aplikohet mbi tërësinë e të ardhurave që ka një familje, domethënë paga e pensione, të ardhura të ndryshme nga pronat që zotëron (përfshirë dhe ato bujqësore), të ardhurat mbi investimet, fitimi nga kapitali dhe çdo e ardhur tjetër. Por, ajo që nuk thuhet kurrë ndër ne, është se nga tërësia e të ardhurave zbriten të gjitha shpenzimet që familja bën si kontributet për sigurime, çka jepet për bamirësi (ose një pjesë e saj),shpenzimet për mbajtjen e fëmijëve në shkollat publike, ato për kujdesin për të miturit dhe të sëmurët, pagesën e kredisë për shtëpi e tj. Ndër  shpenzimet që zbriten pjesërisht ,janë dhe ato që lidhen me riparimin e banesave dhe ato për uljen e humbjeve termike  e të tjera lehtësira, sepse janë të dobishme për bashkësinë. Vlen të theksojmë se vende të ndryshme kanë dhe  dallime në përcaktimin e shpenzimeve që zbriten, në varësi të nivelit vetë vendit dhe të familjeve apo profesioneve që ushtrojnë.

Po kështu, të gjitha vendet demokratike, kanë dhe një nivel të ardhurash nën të cilin nuk paguhet tatimi mbi të ardhurat personale.

Tatimi i shkallëzuar ka në radhë të parë synimin për të mbrojtur shtresat me të ardhura të ulta, si dhe të nxis konsumin dhe investimet, pra tërthorazi  shton fitimet e sipërmarrjeve dhe të pasurve duke minimizuar ndikim e tatimit më të lartë për ta.

Propozimi ynë është:  

një familje prej katër anëtarësh nuk duhet të paguaj tatim mbi të ardhurat personale në se ato janë nën 700000 lek (~5000 euro) në vit. Nën këtë nivel ata do të duhej të ndihmoheshin nga shteti. Kur janë tre persona 550000 lek; për 2 persona 400000 lek; dhe kur është i vetëm 300000 lek. Të ardhurat mbi këto kuota dhe deri në 3000000 lek duhet të tatohen me 10%; të ardhurat nga kjo kuotë deri në 5000000 lek të tatohen  me 20%; dhe mbi këtë kuotë me 30%. Këto kuota janë nën nivelin e vendeve të tjera por, që justifikohen me  faktin që ne jemi në hapat e para të një shoqërie kapitaliste dhe familjet ende nuk po e krijojnë pasurinë jetësore më të domosdoshme.

Veç tatimit mbi të ardhurat personale çdo  familje ka dhe  taksa të tjera si ato lokale, taksa për trashëgiminë, taksa për pronat, të cilat në vartësi të nivelit ekonomik të vendit mund të jenë dhe ato të shkallëzuara (progresive). Për sa i përket tërësisë  së taksave që një familje paguan, mendoj se nuk duhet të kalojë 30% të të ardhurave të saj.

Për sa i përket taksës mbi pronën ne mendojmë se ajo, në këtë stad të parë të aplikimit të saj të rregullt, të njehsohet mbi çmimin sipas vlerës reale ( ajo që quhet vlera kadastrale) dhe sipas sipërfaqes në metër katror dhe numrit të banorëve në të. Propozimi ynë është që fillimisht për shtëpinë e parë të jetë rreth 0,5 % të vlerës, por, për çdo banorë 20-30 m2 të llogariten me 0,2% ndërsa pjesa tjetër me 0,5%. Ndërsa për shtëpinë e dytë (në vende turistike) këto kuota të jenë 0,3% dh 0,5%. Këto vlera janë të diskutueshme dhe mund të përdoret përvoja e vendeve të tjera, duke konsideruar nivelin tonë, dhe se jemi vend në zhvillim, po kështu këto kuota mund të jenë më të vogla fillimisht, të diferencuara dhe në vartësi të nivelit ekonomik të taksapaguesve edhe rriten me kohë, duke parë dhe impaktin tyre në jetën e njerëzve dhe në  ekonominë tonë. Taksa e pronës mund të jetë në nivele edhe më të ulta kur ndërtesa përdoret për prodhim, kur janë objekte ndihmëse bujqësore e tj. Të ardhurat nga kjo taksë, në masën që do të përcaktoj ligji,  duhet të përdoren nga komuniteti që e paguan.

Mendojmë se një rëndësi të veçantë, duke konsideruar që rreth 240000 ha tokë bujqësore nuk punohen, ka dhe taksa për tokën bujqësore. Më shumë se  70 vite më parë Mehdi Frashëri shkruante se bujku nuk ka për ta punuar tokën për sa kohë që nuk ka taksa për të. Veç saj taksa duhet të jetë në rritje kur toka vazhdon të mos punohet. Kujtojmë gjithashtu këtu, se ligji 7501 deklaronte se toka i merret atij që për 5 vite nuk e punon.  Një masë më e lehtë dhe nxitëse mund të ishte që vitin e parë taksën do ta paguajnë vetëm ata që nuk do ta punojnë tokën.

Mendoj se  për të lehtësuar shtresat në nevojë, do të ishte e dobishme, pa ndarë nga masat e tjera që po propozojmë, që TVSH të jetë 10% për turizmin dhe aktivitetet e tij, për medikamentet si dhe disa produkte ushqimore bazë dhe kryesisht importi: gruri, orizi, vaji vegjetal dhe sheqeri. Gjithashtu mendojmë se  pagesa e TVSH-së si dhe akciza, të bëhet pas tre muajsh për sendet me shitje të shpejtë dhe pas gjashtë muajsh për të tjerat. Kjo do të lehtësonte së tepërmi bizneset në këtë kohë krize për likuiditet e shtrëngimi të kredisë.

Për sa i përket tatim fitimit të veprimtarive ekonomike është më se e domosdoshme që të rreshtohemi në nivelet që e kanë vendet që përparojnë dhe kanë nivel jo të ulët jetese. Siç kemi thënë fitimi është diferenca ndërmjet vlerës që realizohet në treg dhe tërësisë së shpenzimeve që një ndërmarrje kryen për qëllime që lidhen me prodhimin. Ligjet e vendeve evropiane, që kohët e fundit kërkohet të njësohen, janë  një shembull i mjaftueshëm për të përcaktuar shpenzimet që njihen e zbriten sepse lidhen me prodhimin dhe që ne nuk i marrim parasysh. Uljet  e njëpasnjëshme në përqindje të këtij tatimi nuk sollën asnjë ndryshim në ritmin e rritjes së GDP-së , përkundrazi, ato favorizuan kompanitë e mëdha, që investojnë tashmë shumë pak dhe që fitimet i dërgojnë jashtë në Shqipërisë. Propozimi ynë është që fillimisht ky tatim të jetë 20%. Njëherazi duhet të hiqen çmimet e referencës për mallrat që vinë nga BE,ShBA dhe vendet e tjera me të cilat kemi shkëmbim të faturave origjinale. Gjithashtu duhet të përcaktohen qartë dhe realisht veprimtaritë ekonomike që do të kenë procedura të thjeshtuara tatimi, pra ato të biznesit të vogël, ashtu dhe ato aktivitete të mbijetesës (jashtë i quajnë shumë të vogla), që deri dhe përjashtohen nga tatim fitimi.

Ligjet për tatimin mbi të ardhurat personale, tatimin mbi fitimin ashtu dhe ai për deklarimin  real e të ndershëm të të  ardhurave duhet të jenë të qartë e të plotë,  që të mos lënë shteg për interpretime arbitrare apo politike, si dhe të mos ndryshohen brenda pak muajve siç është bërë zakon ndër ne.

Me veprimet e mësipërme prapëseprapë nuk mbyllet reforma fiskale, sepse  duhet të vendoset tatimi  për trashëgiminë: 11% për pasurinë që kalon në shkallë të parë lidhjeje, 21% për shkallë të dytë dhe 39% në shkallë të tretë  e lartë. Ndërsa për personat nën kontroll dhe të lidhurit me ta të verifikohet  prejardhja e pasurisë që  trashëgohet, ndërsa për dhurimet në këtë rast të jetë më e lartë (50-80%). Por dhe këto taksa së bashku me ato lokale mundet që për një farë kohe (lidhur me shëndoshjen ekonomike të shqiptarëve), të jenë edhe më të ulta. Ka dh e forma të tjera si p.sh. ne Francë ku trashëgimtarët në linjë të parë nuk paguajnë për një kuotë e taksa  më tej rritet në mënyrë të shkallëzuar sipas përmasave  të trashëgimisë. Në rastin konkret shqiptar ky tatim nuk duhet të zbatohet në rastin e kthimit të parë të pronës.

Për fat të keq, në një pjesë të politikës, taksa është një “dhunë shteti”, për ta ajo duhet të pakësohet, e sidomos, të mos paguhet nga militantët, klientët e familjes. Shembujt e të gjithë vendeve të qytetëruara e të përparuara si dhe shembulli negativ shqiptar tregojnë të kundërtën.  Kushtetuta e Gjermanisë në nenin 14,2  thotë se “ Prona të detyron. Përdorimi i saj duhet njëherazi të kontribuojë në publiken”. Shteti duhet të krijoj barazinë vetëm për detyrimin që të gjithë të paguajnë taksat që ju takojnë dhe të luftoj evazionin fiskal. Njëherazi  shteti duhet të përdori një sërë incentivash si për shembull për rastet me dobi të shpejtë për shoqërinë.

Nuk mund të mos vërejmë që në Shqipëri, që nuk është një shtet federal, ka dy struktura fiskale : ajo e shtetit dhe ato të të qeverisjes vendore. Mendoj se duhet të njësohen dhe në Ligjet e ndryshme  për këtë çështje të përcaktohen pjesët e shtetit dhe të qeverisjes vendore dhe është Thesari që i ndanë.

Në Shqipëri ka dhe një dukuri tjetër absurde që lidhet me uljen e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore dhe përballimin e tyre nga buxheti i shtetit ose në ngarkim të vetë personave në raste kur ju duhet të përballojnë shërbime mjekësore e medikamente, pra një ulje të standardit të jetesës sidomos për  pensionistët apo ata me probleme shëndetësore, deri dhe në mospërballim të gjendjes. Shteti, komuniteti kanë për detyrë njerëzore të ndihmojnë ata që janë në pamundësi..

Propozimi ynë është si më poshtë:

shteti duhet të ricaktoj pagën minimale duke ruajtur atë neto të sotme  (plus shtesën e premtuar) dhe të rivendos kontributet (që paguajnë punëdhënësi dhe punëmarrësi) aq sa duhen si përqindje e t’i a shtojë kësaj page , për të dy kategoritë. Ato duhet të jenë së pakut   27 % dhe  3,4%, të pagës bruto dhe kjo duhet të jetë paga minimale , e cila mund, në kushtet e krizës, të vihet fillimisht vetëm për buxhetorët. Mbi këtë pagë bruto minimale të re,  duke shumëzuar me 13-15, herë të jetë ajo e Presidentit të Republikës, paga më e lartë në strukturat shtetërore (për buxhetorët) nën të cilën, e shumta, sa e një ministri, duhet të jetë dhe ajo e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Për ata që do të çuditen për këtë propozim po i kujtojmë se  drejtori i Federal Rezerve në ShBA (FED) ka shkallën A-2 që i takon pagës së një deputy secretary d.m.th zëvendësministrit. Kohët e fundit opinioni publik shqiptar u shokua nga shpërdorimet kriminale e marramendëse që Fullani po bën me paratë shtetit. Ajo nuk mund të blejë godina pronë shtetërore, por ja jep Qeveria, Blerja e Hotel Dajtit ishte një dhënie borxhi e fshehur Sali Berishës. Banka e Shqipërisë është një zyrë shtetërore si shumë dikastere, Autoritete. Organet e drejtësisë e të tjera që punon me fonde të popullit shqiptar që miratohen nga Kuvendi me ligjin e Buxhetit ose Ligje të veçanta. Shteti duhet të ketë norma të njëjta për shpenzimet e strukturave të tij, Ajo që shpërdoruesi Fullani quan fitimet e Bankës nuk është gjë tjetër veçse fitimet që vinë nga paratë Shtetit (BOP) të depozituara jashtë. Kuvendi, Qeveria, KLSh. dhe Prokuroria duhet të ndërhyjnë sa më parë për të vendosur drejtësi e rregull.

Për sa i përket sistemit të pagave, duhet hënë se ai pas një pafundësie ndryshimesh nga premtime elektorale të herëpashershme, është një xhungël e vërtetë dhe jo i harmonizuar. Mendimi ynë është se sistemi i pagave duhet të rithemelohet nga e para sipas modeleve të përparuara dhe të qëndrueshme. Për ne të  tillë janë sistemi gjerman dhe ai amerikan,  që kanë afërsisht shkallëzimet në dy kategori: punonjës me status dhe punonjësit e tjerë (të ndarë  pa të mesme, me të mesme,  me  arsim të lartë). Në ata me status hyjnë specialistët e ministrive dhe strukturave të tjera shtetërore dhe drejtuesit, nga ai më vogli (një shef sektori) e deri tek presidenti. Ata kane dhe klasifikime të përafërta paralele për  shkollat e larta, drejtësinë dhe ushtarakët e ndryshëm.

Në të gjitha vendet,  përgjithësisht, për 25 vitet e para (për punonjësit) ka 1% shtesë vjetërsie për çdo vit pune për 25 vitet e para, ndërsa për drejtuesit rrogat janë fikse – konsiderohen të vendit të punës. Gjithashtu theksojmë se  kudo nëpunësi nuk mund të marri  në një vit më shumë se dy rroga mujore për punë të tjera në shtet dhe se çdo klasë ka përgjithësisht deri 20% vështirësi të grupit.      Reformimi i sistemit të pagave dhe atij të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore  është më se i domosdoshëm. Si kudo në botën demokratike pensionet me sistemin kontributiv duhet të arrijnë deri 70% të pagës neto, ndërsa shërbimet shëndetësore duhet të sigurojnë mbulimin e kostos për shërbim shëndetësor e medikamente në nivelin e shteti pavarësisht se ku kurohet pacienti.

Sot kudo me krizën që ka mbërthyer botën (përjashto Shqipërinë !!), ulja e shpenzimeve të shtetit është në radhën e parë të veprimeve urgjente, e përsërisim urgjente. Ulja e kostos së politikës dhe të administratës duhet të vazhdoj me strukturat ministrore e drejtoritë e shumta të tyre, në strukturat në bazë të aparatit shtetëror.  Kështu ja vlen të shihet  numri i deputetëve (dhe i shpenzimeve të tyre) të themi 100-120. Detyrimisht duhet që ministritë të kenë vetëm një                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                       zëvendësministër (përjashto të Brendshmen dhe mbase të Jashtmen). Unë nuk besoj se ka vend për shkurtime në administratë, madje në se sistemohen pagat dhe përfitimet-shtesa për nëpunësit e lartë, ka vend për të tjerë, sipas normave evropiane: në arsim, shëndetësi, polici e gjetkë. Po kështu duhet të rriten përqindjet e shëndetësisë dhe arsimit në buxhetin e shtetit, respektivisht në 4% dhe 5,4% të GDP-së,  në se duam ardhmëri për kombin e përparim real të vendit dhe mirëqenie për popullin,

Po kështu ka ardhur koha për të mos e shtyrë, nga kundërvënia e politikës, Reformën e ndarjes së re territoriale. Propozimi ynë është: Qarqet (pra dhe prefekturat) të jenë 10, d.m.th Mirdita (mundet në tërësinë e vetë historike-autoktone) dhe Lezha i bashkëngjiten Shkodrës; Laçi e Kavaja shkojnë me  Durrësin; Lushnja me Beratin dhe Fieri me Vlorën. Një studim më i thelluar dhe i hollësishëm i cili merr parasysh lidhjet tradicionale, rrugët e komunikimit dhe veprimtari të përbashkëta ekonomike-historike mund të përcaktoj komunat dhe mbase dhe fshatrat që  mund të shmangin këto ndryshime. Është fjala për komunat e ish rretheve të sipërpërmendura e mbase dhe jo vetëm për to. Duhet gjithashtu që ky studim të reduktoj numrin e komunave në përputhje me ndryshimet demografike të ndodhura në vend dhe popullsinë rezidente. Sigurisht që studimi duhet të konsiderojë lidhjet tradicionale, rrugët e komunikimit. Mendojmë se nuk duhet të ketë komuna me më pakë se 5000 banorë (përjashtime të pakta mund të bëhen për zonat e thella dhe me popullsi rezidente të pakët). Po kështu duhet të reduktohet numri i anëtarëve të këshillave të niveleve të ndryshme. i cili duhet të jetë nga 11 deri në 31 persona (për Tiranën).

Një masë tjetër urgjente mendoj se duhet të jetë ndalimi i investimeve për administratën.  Përjashtimet të bëhen vetëm me autorizim të posaçëm të Qeverisë.

Politikat shtrënguese janë vetëm njëra  anë e veprimeve që duhet të kryej Qeveria shqiptare, ana tjetër janë politikat për rritjen e ekonomisë. Të parat ndër to, në kuadrin e reformave strukturale janë politikat liberalizuese reale d.m.th jo monopolizime, jo privatizime nën vlerë për vete dhe për miqtë, jo koncesione si favore për ti nxjerr në treg, por liberalizim të tregut, tendera ku zarfet hapen në publik, koncesione që nuk lejohet t’i kalohen të tretëve e pas afatit ligjor njëvjeçar anulohen dhe  në radhë të parë luftë korrupsionit. Po kaq vendimtare është dhe zgjidhja e çështjes së pronës. Pa këtë  vështirë të kemi përparim e paqe sociale. Shtetit duhet ti kthehen pronat e grabitura nga politika dhe pronarëve sa më parë,sipas rastit, kthimi dhe kompensimi me vlerën reale të tregut.

Pa këto masa nuk do të  mund të mobilizohen energjitë ekonomike, monetare e njerëzore të vendit, zor se do ta kapërcejmë  krizën ndërkohë që jemi në prag katastrofe.

Qeveria duhet të mundësoj përdorimin e kursimeve të mëdha të popullsisë, gati 7 miliard euro, për investime prodhuese, e jo për ti përdorur bankat e huaja për të blerë bono thesari me fitime të larta e të sigurta, duke rritur borxhin publik. Kjo mund të realizohet për investime në energjetikë, me dy mundësi: ose krijimin e sipërmarrjeve publike-private, ku prania e shtetit jep siguri për privatin, për ndërtimin e  HEC-ve si ai i Skavicës, apo ndonjë tjetër i bllokuar me pseudokoncesione; ose duke shitur 10-20-30 % të aksioneve të KESH-it, që vlen së paku, fillimisht, 5 miliard euro, e duke i përdorur këto fonde vetëm për ndërtime burimesh të rinovueshme energjetike, pra të mos i fali klientëve hidrocentralet “për dy lekë”. Por, që këto veprime të mund të kryhen, shteti duhet të ndaloj politikën “ e sevapit ” në dukje, për vjedhjen pa kufi të energjisë, sepse në fakt është favorizues e për disa në kurriz të pjesës tjetër të shqiptarëve, por dhe të atyre që vjedhin energjinë. Duhet të ndalohet  edhe shitja e lirë të saj e blerja shtrenjtë. Për zgjidhjen e këtij problemi, shteti si para shumë viteve duhet të kompensojë rritjen e çmimit të energjisë, të themi për 300 kilovatorët e para për disa kategori buxhetore dhe ata që ndihmohen nga shteti.

Për Shqipërinë, bujqësia dhe blegtoria janë një pasuri e madhe kombëtare që dhe sot pas 20-të viteve të tranzicionit janë sot në një nivel shumë të ulët, për sa i përket konkurrueshmërisë dhe mbi të gjitha, nivelit të jetesës të familjeve në zonat rurale. Bujqësia vazhdon të ketë ritme më të ulta zhvillimi se ekonomia e vendit. Bujqësia është sektori i vetëm për të cilin buxheti i shtetit nuk ka pasur në këto vitet e fundit asnjë rritje e tij, përkundrazi vetëm  shkurtime

Për Qeverinë shqiptare sektori bujqësor nuk vlerësohet si  konkurrues për shume fermerë dhe për pasojë 1/3 e tokës bujqësore (240mijë ha) nuk shfrytëzohet, një humbje e madhe kjo për ekonominë  e  vendit.  Shfrytëzimi i saj do të jepte10-20% të GDP-së. Përs pasojë Shqipëria është kthyer në një vend importues produktesh   bujqësore, duke e thelluar më tej bilancin tregtar për ushqimet, që arriti për vitin 2011 në rreth 570 milion Euro.

Ka mungesë të plotë të investimeve dhe të kreditimit të volitshëm për bujqit dhe blegtorët vendas; mos organizim të agrobiznesit, e sidomos të industrisë së përpunimit  të prodhimeve të tyre; prapambetje në monitorimin veterinar e fitosanitar çka frenon eksportet.  Qeveria e sotme  e ka orientuar programin e saj për bujqësinë në programin e granteve për mbjellje ullinj e arrore, si një instrument shumë elektoral dhe nuk merret me prioritetet thelbësore, veçanërisht në fushën e kullim-ujitjes dhe marketingut. Në tërësinë e tyre këto pseudopolitika agrare flasin për braktisjen e bujqësisë.

Për të  ndihmuar bujqësinë shqiptare, duhet njësimi i menjëhershëm i ligjeve për tokën të cilat nuk e mbrojnë atë por përkundrazi, kanë krijuar spekulime e padrejtësi.

Shteti nuk duhet të shes më tokën, as ta japi me qira apo ta fali me 1euro që është veprim spekulativ, antishqiptar e i dënueshëmMe ligj duhet të rregullohet përfundimisht shitblerja,tjetërsimi, ndërtimi në tokën bujqësore, ruajtja e fondit të tokës bujqësore, “legalizimi pa pagesë” e të tjera.  Për të luftuar dukurinë e mospunimin të  tokës, shteti duhet të stimuloi qiradhënien me mbështetje e lehtësi fiskale të dy palëve si dhe masat fiskale e sipërpërmendura në mënyrë që toka të punohet.

Për të mundësuar aktivizimin bujqësisë dhe blegtorisë në zonat malore që janë tejet të varfra, por që janë të lidhur me banimin në këto territor, pra me rruajtjen e mjedisit natyror ( florës dhe faunës), shteti duhet të ndërhyje për të lehtësuar jetesën në ato zona (arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë), por dhe për mbështetjen të diferencuar kur punojnë tokën, pemëtarin dhe mbajnë bagëti, dhe të ndihmoj për sigurimin e ushqimit në dimër.

Duke e konsideruar ndërtimin si një fushë të rëndësishme për ekonominë e vendit dhe zhvillimin e tij, vërejmë me keqardhje se ai sot është në kolaps. Monopoli në lejet e ndërtimit, ndërtimet pa leje e sidomos ato mbi tokën e “zaptume” dhe legalizimi i tyre në dëm të pronarëve, tjetërsimi më dhunë i territorit, puna e papërgjegjshme e shoqatës së ndërtuesve, e cila nuk kreu  asnjë studim për nevojat e vendit për banesa, qendra tregtare dhe dyqane, si dhe ndërtime të mëdha tej nevojave të një familjeje, krijuan këtë gjendje. Me këto veprime të pamenduara u ngurtësuan,  pa asnjë arsye e nevojë, disa miliard të fituara në pjesën më të madhe me djersë.

Ne mendojmë se është i domosdoshëm partneriteti me grupet e interesit, për të gjetur urgjentisht  zgjidhje, për të rigjallëruar ndërtimin. Për këtë  duhet një plan kombëtar i planifikimit të territorit që do të vendos rregull, si edhe planet rregulluese të qendrave të banuara në gjithë aspektet e tyre. Gjithashtu duhet  të mundësohet akses i plotë në strukturat përkatëse shtetërore e vendore përkatëse dhe marrëdhënie të rregullta me hipotekat, për të  mos të bllokuar tregun e ndërtimit, sot në kohë krizë. Vërejmë se ka ligje dhe procedura , si ato të prokurimit publik të cilat duhen rishikuar për të ndihmuar firmat vendase.

Për përparimin e një vendi ndërtimi i një infrastrukture bashkëkohore ka rëndësi të veçantë, kjo vlen si për infrastrukturën humane (shkolla spitale etj), ashtu edhe për atë ekonomike (rrugë, telekomunikacione, energji etj), të cilat krahas ndërtimit të banesave nga ana e shtetit, për ato sociale e  për ata që kemi detyrime( nuk përfituan nga privatizimi), do të ishte një fushë investimesh publike me mbështetje për ndërtuesit vendas. Ndërkohë, duhet të punohet që  të mbarojë Rruga e  Arbërit, të kompletohet si superstradë korridori Hani i Hotit-Vlorë i pajisur me të gjitha mbikalimet në rrugët sekondare dhe daljet për plazhet dhe qytetet; rrugët Levan-Tepelenë, Tiranë-Elbasan, Lushnje- Berat etj. Nuk duhet më të vazhdoj politika e gabuar e fillimit të shumë rrugëve  pa mbaruar të mësipërmet, as dhe ndërtime të parakohshme pa impakt në ekonominë e vendit. Këtu duhet të kujtojmë qeverinë se ndërtimi apo përmirësimi i rrugëve që dërgojnë në qendrat turistike (jo vetëm atje ku kanë vilat qeveritarët) dhe monumentet e vizitueshme do të ishte me dobi. Duhet sa më parë të krijohet Fondi Kombëtar i Rrugëve ku do të kalojnë fondet buxhetore, donacionet dhe të ardhurat e tjera nga ky aktivitet.

Një problem real dhe me përmasa që rëndon ekonominë shqiptare dhe të ardhurat e vendit dhe që penalizon brezat e rinj  është ai i borxhit publik. Ne  e kemi trajtuar këtë problem dhe gjendja e vendit mbetet po ajo “stable” = e qëndrueshme d.m.th pa ndryshime: pra me rrezik të lartë për investime dhe kreditorët, çka dëshmon se politikat ekonomike të qeverisë janë po ato pa asnjë përmirësim.

Rrethanat që kanë sjell përkeqësimin në vlerat e borxhit publik shqiptar janë të shumta dhe e keqja është se qeveria vazhdon të jetë e papërgjegjshme duke e thelluar atë, duke mos qenë transparente duke vazhduar në marrjen e kredive me përqindje të lartë. Vetë tabloja e zymtë e ekonomisë tonë ndikon në rating-un e kredive dhe në vlerësimin që na bëhet. Duhet vepruar në  dy drejtime siç dhe kemi thënë më lartë: ulja e shpenzimeve publike në mënyrë drastike dhe rritja e investimeve publike me impakt në ekonomi si dhe fund praktikës së investimeve të parakohshme ose me kredi të larta, vetëm për prerje shiritash elektoral. Është urgjente rritja e të ardhurave pa ulur nivelin aktual të jetesës dhe duke filluar me një plan afatshkurtër  barazimin e shpenzimeve me të ardhurat pra moslejimin e deficitit buxhetor.

Duhet kërkuar që Banka e Shqipërisë të blejë bonot e thesarit (deri rreth 20% të rezervave valutore të shtetit) në nivelin interesit bazë ,  duke luftuar dhe spekulimet e bankave me to. Një gjë të tillë po e bën Federal Reserve e tashti dhe BE po e pranon. Krahas kësaj duhet të rivendosen marrëdhëniet me FMN dhe marrja e një borxhi prej saj, deri 5 miliard euro, siç kanë vepruar dhe vendet e tjera, për të shlyer, mundësisht, gjithë kreditë e këqija të marra me papërgjegjësi deri më sot.  Mbas këtyre veprimeve duhet të rishikohet politika e kreditit me nivelet e saja të larta të huadhënies deri në ato që quhen fajde.

E kemi përmendur disa herë që ulja e shpenzimeve nëpërmjet rishikimit rigoroz të tyre, pra e kostos së politikës, nuk ka asnjë vlerë po nuk u shoqërua me mëkëmbjen e financave publike, me reforma strukturale e liberalizim real të tregut dhe sidomos me investime publike të dobishme dhe masa mbështetëse e  nxitëse të prodhimit. E rëndësishme është gjithashtu dhe shfrytëzimi i pasurive kombëtare e ato strategjike, që po falen (kundrejt shpërblimeve korruptive), pa to nuk do ketë kurrë përparim dhe opozita duhet të shprehet  haptazi për rikthim të tyre kombit. Vetëm tërësia e këtyre masave, sa nuk është vonë, mund të na kthej në rrugën e përparimit.

E që të gjitha këto të ndodhin, duhet vullnet politik e rikthim në demokraci, si në shoqërinë shqiptare ashtu  dhe në vetë partitë kryesore. Po përsërisim çka ka thënë një politikan “se pa parti të demokratizuara nuk do të ketë Shqipëri demokratike” e ne do shtonim as  dhe përparim. Nuk mund të kapërcehet kriza vetëm në aspektet e saj ekonomike, sepse kriza është e thellë për shkak të autoritarizmit ekstrem që sundon dy partitë kryesore (të institucionalizuar pas 21 Prilli 2008), pra, pa një kthim në demokraci pluraliste: votë të lirë e të ndershme, transparencë e pjesëmarrje. Vetëm atëherë do të mund të kemi dhe kryerjen e reformave që janë edhe kushte te Evropës. Ndër këto reforma nuk mund të mos veçojmë atë në drejtësi, përderisa mjaftë nga të këqijat që ndodhin në këtë vend  ndodhin sepse askush nuk po ndëshkohet për to.

Por të gjitha këto reforma nuk mjaftojnë pa ndryshuar ne shqiptarët, që duhet të mos jemi njerëzit e mohimit por të punës, të vlerësojmë gjithçka nga rezultati e jo nga premtimi  mashtrues, të votojmë jo kundër atij që nuk duam, por për ndryshim kur ka programe e njerëz, që na bindin se mund ti realizojnë ato. Duhet përfundimisht të kuptojmë se vetëm me punë të vazhdueshme dhe reale, me arsimim të shëndoshë, respekt për njerëzit dhe tolerancë për tjetrin, që nuk mendon si ne, me respekt e bindje ndaj ligjit e rregullave demokratike të shoqërisë bashkëkohore,  do të arrijmë të ndërtojmë përparimin dhe mirëqenien për vete e fëmijët  tanë. Ndryshe jemi të humbur.

 

*Ky shkrim është botuar fillimisht në  respublica.al  më 7 korrik 2012. Këtu paraqitet i përpunuar dhe me përmirësime e aktualizim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje