Një ditë pasi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi takime të suksesshme me tregtarë të vegjël në zonën e Durrësit, zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli u shfaq përpara mediave. Që të kuptohemi, ka pak kohë që Erla po del pak si më shpesh në media për të prezantuar sukseset e qeverisë. Kësaj here tha se Berisha ka vendosur që të krijojë një fond prej 50 milion lekësh për të përkrahur prodhimet artizanale. Mëhilli tha se qeveria ka vendosur që të ulë me 60 përqind pagesën vjetore që paguan çdo biznes në Shqipëri për mirëmbajtjen e kasës fiskale.
Por pse Erla del për të rithënë disa gjëra që kanë dalë në faqen e kryeministrisë që para katër- pesë ditësh?
Arsyeja është e thjeshtë: Berishës i djeg shumë kjo puna e biznesit të vogël. I kujtohet vetja kur dilte para shtatë vitesh mes tregtarëve, përqafohej me ta dhe u premtonte ulje taksash dhe lulëzim të biznesit të vogël. Por tani pas shtatë vitesh ai nuk guxon dot më të dalë mes tregtarëve dhe sheh se si kundërshtari i tij pritet me entuziazëm nga ata tregtarë, të cilëve u kishte premtuar lehtësirat fiskale. Sot ai nuk ka guximin e njeriut të lirë që të dalë rrugëve e të takojë qytetarët dhe kjo e shqetëson. Prandaj nxjerr Erlën për të thënë se po i vjen në ndihmë biznesit të vogël. Të cilin e ka rrënuar. E aq më tepër nuk është se ka ndihmuar as biznesin e madh. Sepse problemi kryesor është rënia e fuqisë blerëse.
Kur nuk ka guxim të dalë përpara shqiptarëve, nxjerr Erlën dhe kujton se artikulimi i saj do të ngrohë shqiptarët. Ta harrojë!