Kjo nuk është një lojë pokeri

26 Shtator 2012, 12:13Blog TEMA

Nga Edvin Kukunja

Në imagjinatën kolektive, fituesi i vërtetë është ai që fiton gjithnjë dhe në mënyrë të pareshtur. Fiton ai dhe atëherë kur ka ç’i hyn në xhep, pra dhe atëherë kur fitorja është thjesht angari. Ky është personazh mbetet gjithnjë pjellë mitologjike dhe kaq, qoftë kjo mitologjia e lashtë apo dhe thjesht miti urban modern. Në jetën e përditshme njerëzit fitojnë dhe humbasin, rrëzohen dhe ngrihen po aq herë në këmbë. Madje njeriu i zakonshëm vjen një moment që e humb hesapin dhe nuk di më të dallojë fitoren nga humbja, dhe anasjelltas, duke përzgjedhur  pa shumë vetëdije heroin e tij mitologjik, gjithnjëfituesin.

Vazhdojmë të dëgjojmë të ngrihet nga të gjitha anët një shqetësim diku, një akuzë diku tjetër apo dhe thjesht një konstatim (nëse mund të themi kështu) miqësor nga më skeptikët. Kjo opozitë vazhdon të humbasë betejat  politike për ditë e më shumë, thuhet. Politika e faktit të kryer berishiane po rrëmben të gjitha fishat nga tavolina e lojës politike (pra politika njëjtësuar me pokerin, lojë ku e rëndësishme është të fitosh ose të dalësh me të tuat) sa hap e mbyll sytë dhe nuk kuptohet pse kjo opozitë nuk reagon.

E çuditshme është kjo psikozë e krijuar sipas së cilës beteja kundër revanshizmit të politikës harbute duhet fituar në planin e luftës për të zaptuar sa më shumë institucione dhe karrige me njerëz të besuar për ne e kundërshtarë të Berishës. E çuditshme po dhe aq e kuptueshme deri diku, sepse kjo lloj kritike ka për bazë atë që mund të quajmë një thjeshtëzim më shumë të shpresuar të realitetit politik shqiptar, thjeshtëzim që i ofrohet më pas opinionit publik. Tezë kjo e përforcuar dhe nga kampionët opinionistë që nuk mungojnë së kritikuara opozitën në çdo çast.

Ajo që është një karakteristikë e situatës politike të vendit po mundohet të shndërrohet në një cilësi të opozitës. Teza e një opozite të plogësht është gjithsesi një tezë e cila i shërben vetëm një njeriu. Ky njeri është Berisha, njeriu që do të mundohet me çdo kusht të fitojë dhe një katër vjeçar të tretë, për të mundësuar kështu realizimin e projektit të tij politik. Pra Berisha është njeriu që fiton gjithnjë dhe në këtë mënyrë është e kotë të luftohet ndaj tij.

Kjo kritikë është po aq naive sa dhe e drejtë deri diku, gjithnjë nëse e pranojmë thjeshtëzimin e sipërpërmendur. Por gjithsesi mbetem i mendimit që në thelb mbart një iluzion të mirëfilltë. Iluzion është të mendosh se kur kemi të bëjmë me Berishën është e mundur një fitore në planin e institucioneve, dhe anasjelltas. Po të ish e vërtetë kjo premisë, dhe të ish po aq e vërtetë dhe premisa e dytë e këtij silogjizmi siç është dhe ajo që pasi Berisha të ketë marrë të gjitha fishat nga tavolina (pra Presidentin, Prokurorinë, SHISH-in dhe imunitetin etj. etj), si pasojë asgjë nuk do të mund ta ndalte revanshin e tij drejt fitores finale, do të na duhej të merrnim udhët e botës për të mos ta kthyer më kokën pas.

Harrojnë këta dhe për çudi që Berisha e ka konsumuar tashmë njëherë këtë parabol. E konsumoi në ’96, atëherë kur vodhi vota sa deshi dhe më pas nxori ushtrinë kundër popullit të vetë. Dhe atëherë ai nuk fitoi sepse nuk kish si të ish ndryshe. Nuk është thjesht e mundur një fitore totale ndaj popullit tënd. Kjo gjë është thjesht e pamundur dhe Berisha do ta marrë prapë përgjigjen që meriton.

Ka vetëm një rrugë për të luftuar kundër tij dhe kjo është rruga e angazhimit total në mbrojtje dhe për zgjidhjen e problemeve që çdo shqiptar has në përditshmërinë e tij. Nëse një forcë opozitare arrin të fitojë betejën ndaj frikës, plogështisë dhe skepticizmit që sundon në gjirin e shoqërisë, atëherë kjo forcë e meriton të udhëheqë e të qeverisë. Ka vetëm një institucion fitorja e të cilit mundëson fitoren ndaj Berishës. Ky institucion është besimi i njerëzve dhe vota e tyre.

Shqiptarët duhet pikësëpari të binden që duhet të votojnë dhe në masë të madhe, së dyti që asgjë nuk mund ta largojë gjëmën që po i merr frymën ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare përveç votës së tyre. Ndryshe do të kishim veç gjakderdhje, ky është dhe specialiteti i këtij pseudo-politikani me pikëpamje dhe formim prej satrapi oriental.

Në lojën demokratike nuk ka në planin institucional dhe të institucioneve fitore partiake apo fitore të njërës palë. Nëse ka, siç edhe ka, një vizion ideologjik dhe ideal në gjirin e demokracisë është pikërisht fakti që loja demokratike është një lojë vizionesh, një ballafaqimesh idesh dhe programesh, e cila nuk ka kurrsesi si qëllim final eliminimin e tjetrit, por angazhimin e tij edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë në realizimin e projektit final: garantimi i bashkëjetesës paqësore dhe shfrytëzimin racional dhe në dobi të bashkësisë të të mirave të përbashkëta dhe burimeve natyrore.

Këtë e di mirë opozita e cila po tregon me qasjen e saj se nuk është aspak e interesuar për një fitore prej dështaku. Këtë fitore, fitore në dëm të vendit dhe me dobi tërësisht vetjake, opozita ia ka lënë dështakut historik. Realiteti ekonomik dhe shoqëror, ku sundon papunësia, pandëshkueshmëria dhe pasiguria janë produkt i këtij mentaliteti prej harbuti. Këtë sjellin si rezultat ato fitoret berishiane siç dhe janë heqja e imunitetit shoqëruar me hedhjen poshtë të paketës kushtetuese paraqitur nga opozita, apo dhe të tjera me radhë që ai ose të tjerë ia kanë varur dhe vazhdojnë t’ia varin si të ishin medalje në gjoks.

Nuk e di ju por unë nuk i dua dhe as që i dëshiroj këto fitore prej dështaku. Nuk më hyjnë në xhep, nuk më zgjidhin gjë. Fitorja ime është e sojit të atyre që shihen nëpër sheshet e qyteteve europiane, siç edhe ndodhi dje përpara Parlamentit spanjoll. Fitoret e mia janë pranvera franceze, maji italian apo dhe pranverat arabe. Janë fitoret e Martin Lutter King, Nelson Mandela, Mahatma Gandhi apo edhe shumë fitore të tjera mbi arritjet e të cilave është ndërtuar dhe shtëpia ku unë dua të jetoj.

Fitoret e Berishës janë humbje dhe kaq. Askush nuk duhet të druhet ta thotë këtë gjë me zë të lartë. Janë sepse ne jemi këtu në këtë prag njëqindvjetori të formimit të shtetit të parë shqiptar dhe druhemi akoma të jemi, të themi dhe të bëjmë atë çka duam e mendojmë. Mentaliteti i fitores me çdo kusht dhe gjithnjë është mentalitet prej dështaku.

Ndaj e mos e lodhni shqiptarin me gjepura të tilla por ndihmojeni të kuptojë se ku qëndron e vërteta dhe ku zgjidhja e problemeve që i ndrydhin shpirtin, i lëndojnë jetën. Kaq dhe nuk më duket e vështirë. E vështirë është të gjesh kurajon dhe besimin që e mundëson një gjë të tillë. Kjo nuk është një lojë pokeri, kjo është jeta jonë.

3 komente në “Kjo nuk është një lojë pokeri”

  1. Alb-Germani says:

    Edvin Kukunja, jeni konfuz ne menyren e te shkruarit dhe lidhja qe i beni fjalve te lodh shum,per te kuptuar se cfar doni te thoni,duhet me e rilexu fjalin dhe prap domethenja eshte kontradiktore.
    Shkruaj me qart dhe respekto presjet.
    Shkrim shum i veshtir,per te kuptuar se cfare mesazhi doni me perciell.
    Jeni perpjet ti kunderviheni tezave te shkrimit “Kush din poker”te Skender Minxhozit te botuar dje ne gazeten “Shqip”,por nuk ke arrit asgje.
    Megjithate keni potencial.
    Por heren tjeter shprehuni me shkurt,dhe mos u zgjat me gjera qe ja humbin kuptimin asaj qe ke dasht me thene ne fillim te fjalis.

    1. ed says:

      faleminderit alb…e cmoj shume

  2. Reformer says:

    Pavarsisht se sa i arritur eshte, shkrimi perpiqet te ndertoje argumente te kunderta nga ato qe fabrikon pa pushim pushteti, pra shkrimi nuk pranon ta pertype corben “lehtesisht te tretshme ” te propagandes qeveritare, per te cilen paguhen dhe jane mobilizuar, gazetare, opinioniste, analiste, tetra-skriptore etj etj.

    Te shkosh kunder rrymes eshte e veshtire, por eshte veti e mendjeve t eguzximshme. Freskine e pikeveshtrimit e kane mendjet e reja. Perfeksionimi do te vije me vone. Edvini te pakten nuk eshte pjese e korrit te vajtojcave te qeverise.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje