Taulant Balla: 21 janari nuk zbardhet pa dëshminë e kryeministrit

5 Tetor 2012, 09:52Kronika TEMA
Taulant Balla: 21 janari nuk zbardhet pa dëshminë e kryeministrit

Pas dëshmisë së dhënë pasditen e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme lidhur me ngjarjen e 21 janarit, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se prokuroria nuk mund të shmangë thirrjen e përgjegjësve për vrasjet e 21 janarit. Balla u shpreh se hetimi ndaj orkestruesve të vrasjes së katër protestuesve, nuk mund të përfundojë me 2 gardistë.

 

“Ishte një procedurë normale e informimit të prokurorëve të ngarkuar për hetimin e çështjes së 21 janarit. Më vjen mirë që vazhdon të hetohet ende mbi ngjarjen, 21 janari nuk harrohet lehtë, nga PS kurrë. Prokuroria nuk duhet të shmangë thirrjen e përgjegjësve për vrasjet e 21 janarit. Urdhëruesit dhe fajtorët janë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. 21 janari s’mund të zbardhet nëse Berisha nuk shkon para prokurorisë për të deklaruar gjithë urdhrat për vrasjet në 21 janar. Ka një demagogji të tij, mes thirrjes për heqje të imunitetit dhe gatishmërisë për tu përgjigjur para drejtësisë”, tha Balla për Ora News.

Për të mbetur tek çështja më e rëndësishme e vendit, statusi kandidat, deputeti Balla thekson se 10 tetori nuk përkthehet në marrje të statusit, por një rekomandim pozitiv apo negativ nga KE lidhur me këtë çështje. Teksa vlerëson se kjo mazhorancë nuk ka përmbushur detyrat e saj lidhur me 12 prioritetet, ai thekson se rekomandimi do të shoqërohet pikërisht me këtë listë të adresimit të çështjeve të mbetura pezull. Nisur nga kjo, Balla deklaron se vetëm në momentin e hapjes së negociatave për statusin, mund të themi që jemi drejt formësimit për tu bërë pjesë e BE.

“Me datë 10 tetor nga mesdita Komisioneri për Zgjerimin në KE, Stefan Fyle shpall paketën e zgjerimit që përmban progres-raportet për vendet kandidate për në BE. Për Shqipërinë raporti shoqërohet dhe me një rekomandim të komisionit për një kërkesë që Shqipëria ka dorëzuar në prill të vitit 2009. Besoj që rekomandimi i komisionit do të jetë pozitiv, por duhet të dimë që statusi nuk merret me 10 tetor, ai merret pas vendimit të Këshillit Europian. Nga data 10, duhet të kalojnë dhe 2 muaj kur të mblidhet në Qipro KE. Rekomandimi i KE ka thënë që Shqipëria ende s’ka përmbushur një pjesë të 12 prioriteteve, janë kritere që lidhen tërësisht me punën e qeverisë, që do të thotë se ky rekomandim do të shoqërohet me një listë të adresuar për çështjet e pazgjidhura. PS në nivelin më të lartë të saj, kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama, e kemi bërë të qartë vizionin tonë, që Shqipëria nuk duhet të penalizohet për shkak të papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie. Populli shqiptar e meriton statusin. Statusi është i lidhur me momentin e hapjes së negociatave, është një kohë e gjatë. Pasi të hapim negociatat, aty fillon puna për formësimin për tu bërë pjesë e BE. Rekomandimet e KE janë detyrat që mund të na gëzojnë, ose jo. Me këtë qeveri s’kemi premisa të qarta pozitive. Kemi një avantazh me 100 vjetorin e pavarësisë, ku BE e kupton që ky komb duhet të marrë një lajm pozitiv”, shtoi Balla.

Deputeti socialist ka përgënjeshtruar deklaratën e kryeministrit Berisha lidhur me qarkun e Fierit. Sipas Ballës, nuk ka asnjë vendim gjykate në favor të Sali Berishës.

“Dy muaj me radhë shqiptarëve nga Berisha u thuhet votoni heqjen e imunitetit dhe marrim statusin. U votua, u pa që kishte dhe shumë detyra të tjera. Prioriteti i 6 është administrata publike, dhe vetëm 2 muaj para vendimit vjen paketa e paplotë ligjore për të dhe statusin e nëpunësit civil. Kërkohen reformat në drejtësi, 1 muaj para vendimit vjen ligji për Gjykatën e Lartë. Ne e kemi kushtëzuar me zgjidhjen e çështjes së Fierit për arsye parimore, për të respektuar vendimet e gjykatave. Nuk ka asnjë vendim gjykate në favor të Sali Berishës, ka 11 vendime gjykate që vërtetojnë 11 mandatet e këshilltarëve të PS për qarkun e Fierit. Ne si opozitë dhamë një shembull sa i përket gjykatës administrative”, theksoi deputeti i PS-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje