Gazeta britanike “The Sun” mendon se paraqitja e dobët e Anglisë në barazimin e djeshëm 1-1 kundër Polonisë është faji i ilaçeve të gjumit që u janë dhënë lojtarëve në natën e të martës. Ndeshja u zhvillua 20 orë pas orarit fillestar të planifikuar, për shkak të përmbytjes së stadiumit të Varshavës nga reshjet e shumta të shiut.
Sipas gazetës, për shkak të pritjes së gjatë në stadium derisa u morr vendimi për shtyrjen e takimit si dhe çrregullimit të orarit ditor të lojtarëve që ishin përgatitur fizikisht e psikologjikisht për një takim të tillë, pjesa më e madhe e tyre u pajisën me ilaçe gjumi pas kthimit në hotel, në mënyrë që të qetësoheshin dhe të pushonin menjëherë. Ky vendim i stafit të përfaqësueses duket se ka bërë më të sikletshme situatën, pasi anglezët në të vërtetë u shfaqën si të përgjumur në fushën e lojës, fakt që u pranua edhe nga trajneri Roi Hodgson pas përfundimit të ndeshjes.
“Të hënën, pas seancës së fundit stërvitore në stadium, lojtarët dukeshin të gjallëruar dhe shumë të kujdesshëm. Por nuk e pata të njëjtën ndjesi gjatë të gjithë ndeshjes”, trego ai.
Megjithatë, portieri Hart ka menduar që të heqë përgjegjësinë nga shokët e skuadrës, duke deklaruar se ishte faji i tij që ekipi nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në këtë ndeshje, pasi gaboi në momentin e golit të polakëve me Glik në minutën e 70-të. “Ishte gabimi im në dalje, ai na kushtoi tre pikët e kësaj ndeshje”, deklaroi Hart pas përfundimit të ndeshjes.