Pa... ankesa!

20 Tetor 2012, 20:17Blog TEMA

Nga Beqë Cufaj

Krijuesit përgjithësisht dhe shkrimtarët posaçërisht janë njerëz të zorshëm. Shumica prej tyre. Këta të fundit mbase pse instrumentin e tyre të vetëm që e kanë është se në punën e tyre duhet ta (mbi)zotërojnë gjuhën. Janë ato pra: fjalët. Kufiri ndarës, peri i hollë dhe i paparë i përditshmërisë me përjetësinë shkaktojnë trandjen e madhe të imazheve të ngulitura në tru, luftën për përshkrimin me fjalë dhe ambientit rrethues, krejt të zakonshëm, herë banal e herë brutal.

Pa hyrë për të numëruar këtu sa e sa autorë e autore të kohërave e brezave të ndryshëm, të njohur e edhe më shumë se të njohur… dihet që s’janë racë e lehtë për t’u intervistuar, bashkëbiseduar, hulumtuar e çka jo tjetër. Por më së paku për t’u incizuar me zë apo kamerë xhirimi.

Një prej tyre i cili është nga më të mëdhenjtë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njerëzimi sot e ka, është pa dyshim Philip Roth. Janë me dhjetëra, për të mos thënë me qindra rastet kur në karrierën e tij prej 40 vitesh shkrimtarie, Roth nuk ka pranuar të flasë me gazetarë e kritikë, është çuar në mënyrë demonstrative nga premierat e librave apo ka refuzuar çdo lloj kontakti me lexuesit e tij që numërohen me miliona anëkënd botës.

Dhe tashti, së fundi, dy gazetare franceze arritën të bënin diçka që i ngjante një mrekullie: një film me Philip Roth-in për Philip Rothin. Edhe pse i shfaqur qysh para një viti si premierë (dhe më duhet ta pranoj që e kisha parë edhe para një viti), kanali televiziv franko- gjerman ARTE vendosi ta ritransmetojë sërish këtë javë. Padyshim me një qëllim: që të protestojë tek ata burrat e gratë e Stockohlmit… që edhe sivjet Rothit nuk iu nda Nobeli. Por edhe ta nderojnë pse e mori Asturias-in këtë vit. Dhe ndoshta që thjesht ta rifreskojnë, rikthejnë një kryevepër filmike me një personazh fascinues të letërsisë botërore.

Sepse të nxirren nga 12 orë bisedash intensive vetëm 50 minuta dhe prej tyre, shikuesi dhe sidomos lexuesi i Rothit të “prekë” fëmijërinë, rininë, kohën e studimeve dhe shkrimeve të para të botuara (rrëfen Roth: kur doli tregimi im i parë në “The New Yorker” çdo gjysmë ore vrapoja tek kiosku të shihja nëse doli revista. Dhe më pas e lexoja tregimin tim me dhjetëra herë. Nga lart -poshtë… nga poshtë lart”, tregon Roth), martesën e dështuar, krizat e krijimit, idenë gjeniale të shkruante “Ankesat e Portnoyt” (rrëfen Roth: pas Goodby Columbus… kisha krizën e martesës dhe 6 vjet pauzë. Më pas mora guximin të shkruaja për Portnoy.

E dija që ky libër do më katapultojë. I ftova prindërit e mi në darkë në New York. U thashë: më dëgjoni, nesër do më botohet një libër. Aty flitet për prindërit dhe ka fjalë jo edhe të këndshme për ta. Duhet ta dini. Ju s’jeni ata prindër… Është fiksion… Dhe doli ashtu. Për një muaj u shitën 500.000 ekzemplarë të librit. Dekada më pas babai më tregonte sesi pas darkës nëna, pasi ishte futur në taksi kishte qarë dhe i kishte thënë babait tim sesi “na është çmendur djali”… Që të mos përfundojë e tëra këtu, suksesi i “Portnoy” më dha mundësinë që prindërve t’ua dhuroja një udhëtim rreth botës. Babai im, si tregtar i thekët hebre, kishte mbushur një valixhe me “Portnoy” dhe ua shiste bashkëudhëtarëve me autogramin: “Nga babai i Autorit Philip Roth, Herman Roth!”.).

Të gjitha këto privaci pikante mbulohen nga tablo të thella, impresive për opus magnumin e këtij shkrimtari. “Baballarët e tij” letrarë nga më pak, shumë më pak Joyce-it e por për këtë Kafka-s, por edhe Saul Bellow përmes Faulknerit e Hemingway-t… e deri tek termat kombëtaro-religjiozë. “Jam shkrimtar amerikan sepse kam lindur në Amerikë,jam rritur në Amerikë dhe shkruaj në gjuhën amerikane”. Në këtë pikë Roth është i palëkundshëm. Si edhe në shumë e shumë pikëpamje për botën sot dhe njerëzimin.

Por ajo që po ashtu fascinon në këtë libër është edhe sesi autori pranon që syrit të kamerës së gazetareve franceze, dhe me këtë, për fatin tonë të mirë, edhe neve, na e mundëson të shohim shtëpitë e tij. Apartamentin në Upper West Side të New York-ut, shtëpinë e tij në mes të malit në një fshat me 6 shtëpi në Conneticat apo edhe në vendin e tij të lindjes dhe rinisë, në Newark. Aty pra: ku Roth ka kaluar fëmijërinë dhe rininë. Me nënën, babanë dhe vëllanë. Dhe aty, ku ky Newark, jo vetëm s’e ka harruar birin e saj të “humbur”. Por përkundrazi: ku një shesh është emërtuar me emrin e tij “Philip Roth Plaza”. Ku turistë nga SHBA-ja dhe tërë bota bëjnë ekskursione për të parë shtëpinë e tij, rrugët dhe sheshet e lagjes së të kaluarës së autorit të madh.

Ky film është një kryevepër. Jo vetëm pse Roth, pa asnjë ankesë, flet për të gjitha: shkrimtarin dhe shkrimtarët, gratë, familjen, rabinët, politikanët, psikoanalistët, kritikët letrarë dhe anët e errëta të personit të tij përfshirë këtu edhe mënyrën e punës në librat… Por ky film është edhe një dokument i rëndësishëm për të gjithë “roth”-janët e rinj dhe ata që duan të dinë diçka për njeriun e zorshëm, shkrimtarin… në këtë rast me emrin Philip Roth. Pa… ankesa.

2 komente në “Pa… ankesa!”

  1. raimondi says:

    Babai i tij paska qene i forte fare –hahahahahaha _-Tamam shpirt tregetari
    Ka shfrytezuar rastin te beje leke me librin e djalit –Ca ciftui i poshter hahahahahaha

  2. hemo says:

    Suxsese i nderuari Beqe Cufaj mbetesh nji nga publicistet,
    me te shquar per hapsiren shqiptare .
    Shkrimet tuaja kan vertet dicka qe ja vlen ti kushtosh vemendje e kohe,
    pra ti lexoshe ato .
    Gjithmon ne sensin e kohes.Pershendetje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje