Taksë antiligjore për arsimin falas

17 Tetor 2012, 19:21Blog TEMA
Taksë antiligjore për arsimin falas

Nga Xhovani Shyti

Ndërsa ligji themeltar i shtetit e përcakton të drejtën e marrjes së arsimit parauniversitar falas, pra pa pagesë, krejt e kundërta ndodh në realitet. Sipas denoncimeve të bëra, fillimi i javës ka shënuar edhe nisjen e aksionit për grabitjen e prindërve, në emër të fëmijëve. Nën parullën: Dhjetë mijë lekë kontribut për arsimimin e fëmijëve, drejtuesit e shkollave të arsimit fillor e 9-vjeçar kanë urdhëruar mësuesit të mos e harrojnë porosinë e grumbullimit të zahiresë. Një praktikë e shpikur nga Ministria e Arsimit, që më ardhjen në krye të këtij dikasteri të Myqerem Tafajt, dhe që ka vazhduar për vite me më radhë.

Të vërtetën e pagesës së kësaj takse antiligjore e konfirmojnë prindër, fëmijët e të cilëve e marrin arsimin parauniversitar nëpër shkollat e kryeqytetit, por edhe prindër të rretheve të tjera të vendit. Por e pohojnë dhe e komentojnë edhe mësues e drejtues të institucioneve arsimore të këtij niveli. Sipas tyre, të gjithë, pa përjashtim, detyrohen ta paguajnë “me dëshirë” shumën prej dhjetë mijë lekë, të artikuluar si “kontribut” , duke e shndërruar kështu aksionin në fenomen. Në një fenomen me konto të hapur.

Megjithëse edhe vitin e shkuar pati ankesa të shumta lidhur me këtë kontribut të paligjshëm, që sipas juristëve përbën edhe vepër penale, askush nga zyrtarët përgjegjës, që mbajnë përgjegjësi ligjore për politikat arsimore, nuk dëgjoi të tërhiqet. Taksa e shitur si “kontribut vullnetar” për ngritjen e mirëqenies së mësimdhënies, por që realisht është kthyer në detyrim, do të jetë e pranishme edhe në edicionin 2012-2013. Natyrisht duke mos u etiketuar si taksë, por duke ua zhvatur prindërve, nëpërmjet lëndimit të sedrës së fëmijëve.

“Kam tre fëmijë në shkollë. Dy në 9-vjeçare, njërin në fillore. Unë jam pa punë, im shoq herë gjen e herë nuk gjen punë. Ku t’i gjej që të paguaj paratë? Një djall me lekë pagova për librat, që thanë se do të na i kompensojnë, por deri tani asgjë nuk kemi marrë. Ku di unë e shkreta si të bëj? Ne na thonë po të doni paguani, po të doni mos paguani, kurse fëmijëve u thonë në sy të klasës se prindërit e tyre nuk kanë paguar lekët. Vijnë fëmijët dhe grinden me mua e të atin. S’kanë faj se ata nuk i dinë hallet e familjes, por fajin e kanë mësuesit”, është dëshmia e jo vetëm një prindi, por e një pjese të shqueshme të tyre, që këtë vit, për shkak të krizës së thelluar financiare, është edhe më e madhe në numër.

“Prindërit janë në të drejtën e tyre, por edhe ne nuk kemi faj. Edhe mua personalisht, por nga sa kam dijeni, edhe kolegëve të tjerë, na duket e padrejtë pagesa e dhjetë mijë lekëve si kontribut, pasi tek ne arsimi parauniversitar me ligj është i garantuar nga shteti për të qenë falas. Të gjitha shpenzimet për të duhet të sigurohen nga fondet e buxhetit të shtetit, që do të thotë se nuk kanë pse kontribuojnë prindërit për perdet, për pastrueset, për rojet, për lyerjen e klasave, për blerjen e detergjentëve etj. Prindi ka detyrimin ta sjellë fëmijën në shkollë, sepse në të kundërt ligji e dënon, nga xhepi i tij t’i siguroj librat, fletoret, çantat etj. dhe këtu përfundon detyrimi. Mirëpo ne na urdhërojnë drejtuesit tanë të nisim vjeljen e kontributeve dhe, duam nuk duam, do të bindemi. Jemi të detyruar pasi na duhet të raportojmë pranë drejtorive. Mos u bind po deshe”, dekonspiron mësuesi Fatmir H. diçka nga mekanizmi antiligjor që, sikurse në fillimvitet e shkuar arsimore, ka nisur të lëvizë edhe për edicionin 2012-2013.

Pra, dhjetë mijë lekë për të marrë arsimin falas?! Edhe pse, ligjërisht, të gjitha shpenzimet i takojnë ti marr mbi vete shteti. Duket vlerë e vogël, por po të shumëzohet me numrin e mijëra nxënësve, përbëjnë qindra miliona lekë të grumbulluara e që shpenzohen pa asnjë transparencë. Që për këtë arsye ngrenë dyshimin edhe për përvetësime individuale. Për abuzime. Shpikje e kujt mendjeje të ndritur është “kontributi” i shndërruar në grabitje prindërish me mijëra halle?

Duke ju shmangur dhënies së një përgjigjeje zyrtare, drejtues të disa shkollave të kryeqytetit pohojnë në konfidencialitet se masha që i shtyn ata t’u hyjnë në hak portofolave të prindërve është Ministria e Arsimit. Udhëzimet që ajo i jep drejtorive rajonale të arsimit. Janë fondet e pakta që kjo ministri u akordon institucioneve shkollore, duke mos harruar t’i urdhërojë që pjesën e munguar t’ua faturojnë prindërve të nxënësve.  Ministria e drejtuar prej “frankofonit” librazhdas, Myqerem Tafaj, që krahas yrneqeve të tjerave, do të mbahet mend edhe si themelues i taksës antiligjore të etiketuar “kontribut vullnetar prindëror”, e që në të vërtetë nuk është tjetër veçse grabitje. Grabitje e hapur, sipas juristëve, penalisht e dënueshme jo vetëm për faktin se nuk mbështet në asnjë ligj të Republikës së Shqipërisë, por edhe sepse shumat e grumbulluara janë të përmasave të tilla sa që detyrojnë një inventarizim të hollësishëm të grumbullimit e shpenzimit të tyre.

“Kam dijeni për çka më pyesni, pasi edhe vetë jam kontribuues i kësaj “takse antiligjore”, siç po e quani ju e që ashtu është vërtetë. Nga sa unë kam dijeni, problem i madh është edhe mostransparenca e shpenzimit të tyre. Ku venë, çfarë blihen me to… Duhet të ketë një bilanc për sasinë e grumbulluar dhe të shpenzuar dhe kjo duhet t’u bëhet e ditur atyre që kontribuojnë, pra në rastin konkret, ne, prindërve. Gjë që nuk bëhet. Megjithatë, unë jam me mendimin që ky kontribut është antiligjor dhe nuk duhet të ekzistojë”, sqaron juristi Maliq L.,duke ftuar të hyjnë në vallen e këtij abuzimi Avokatin e Popullit, por edhe Prokurorinë.

1 komente në “Taksë antiligjore për arsimin falas”

  1. A e dini qi kena zgjedhje a? Ne njezit e Doktorit jene ne konkurence te ashper me ate te kaptin-lopes n’kualicion se dihet qi kush ba ma teper lek fito ma teper vota

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje