Thaçi– Daçiç, versione të ndryshme për detajet e takimit

20 Tetor 2012, 20:05Rajoni TEMA

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç, kanë dhënë versione të ndryshme për detajet e takimit të djeshëm. Teksa serbi ka mohuar shtrëngimin e duarve, shqiptari ka thënë se një gjë e tillë ka ndodhur, sipas protokollit evropian. Thaçi ka shprehur besim që përfundimi i dialogut do të rezultojë me shpërbërjen e strukturave paralele, kurse Daçiç ka thënë se qëllimi është që të zgjidhen problemet konkrete të njerëzve. 24 orë pas takimit tashmë është bërë publike edhe fotografia e takimit, raporton KTV.

Kjo është fotoja e takimit, për detajet e të cilit ka versione të ndryshme.

Bashkimi Evropian e ka publikuar me një ditë vonesë fotografinë, në të cilën shihen 6 persona.

Kryeministrave Thaçi e Daçiç u qëndrojnë në mes Ashton dhe Gentilini.

Secili ka afër një këshilltar, kryeministri Thaçi në këtë rast Bekim Çollakun.

Por, ajo që nuk shpjegon fotografia e takimit është nëse dy liderët shtetërorë Kosovë-Serbi u përshëndetën?

Daçiç i Serbisë tha se nuk pati shtrëngim duarsh, por Thaçi i Kosovës tha se i shtriu dorën kundërshtarit të tij të dikurshëm.

Duke folur për emisionin Interaktiv në KTV, kryeministri tha se gjithçka u bë sipas protokollit evropian.

Ai theksoi se nuk është e lehtë për askënd të ketë takime me përfaqësues të shtetit serb, për shkak të së kaluarës së hidhur, dhe ai nuk ishte entuziast për këtë.

Ndër të tjera, sipas kryeministrit, këto takime do të rezultojnë edhe me shpërbërjen e strukturave paralele në pjesën veriore të Kosovës.

Pohimit të Daçiç se Kosova është e tij po aq sa është edhe e Thaçit, kryeministri iu përgjigj atij se me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e Kosovës, mund ta ketë edhe nënshtetësinë e Kosovës.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot se qeveria e tij prej nesër do ta fillojë punën në përgatitjen e platformës për bisedime me Prishtinën.

Ai u tha gazetarëve se dialogu me Prishtinën nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, por me zgjidhjen konkrete të problemeve.

Ish-zëdhënësi i Millosheviçit, theksoi se Thaçi është negociator më me përvojë se ai, pasi ka marrë pjesë në negociatat në vitin 2006 dhe në ato në vitin 1998 në Rambuje.

“Pasi kam luftuar kundër Thaçit, përse tani të mos zhvilloj negociata”, u tha Daçiç gazetarëve në qytetin Vërbas.

Një takim i ri është parashikuar për muajin e ardhshëm.

1 komente në “Thaçi– Daçiç, versione të ndryshme për detajet e takimit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje