Klubet më të famshme evropiane presin vetëm një sinjal për të bërë çmenduri për të siguruar firmën e brazilianit Neimar, por vetë 20 vjeçari deklaroi për “Reuters” se nuk ka ndër mend që të lëvizë nga Brazili.
“Unë jam i lumtur këtu në Brazil, jam i lumtur te Santos. Ëndrra ime është të luaj në Evropë, por ky nuk është momenti i duhur”, tha lojtari brazilian në këtë intervistë të tij.
Lojtari është kritikuar nga shumë yje të futbollit botëror për ngurrimin e tij për të kaluar në një kampionat më të fortë në Evropë, por me sa duket ai i trembet historisë së shumë prej futbollistëve brazilianë që duke kaluar shumë shpejt në Evropë kanë përfunduar në klube dytësore, pasi nuk kanë përmbushur pritshmërinë ndaj tyre. Për më tepër, lojtari nuk ka shqetësime financiare, pasi është më i paguari në Brazil, me 11 kontrata sponsorizimi personale dhe një linjë shitje materialesh që mbajnë firmën e tij, me shumëllojshmëri që përfshin edhe aksesorë kompjuteri apo lodra pelushi.
“E di që jam kthyer në një shembull për fëmijët, e di që kopjojnë modelin tim të flokëve, por sinqerisht nuk e ndjej veten si një yll. Kuptohet që jam i lumtur me ngrohtësinë që më japin, pasi unë kam qenë vetë një tifoz dhe vazhdoj të jem, ndaj e di se çfarë do të thotë të kesh një idhull. Edhe në fushë nuk e ndjej veten si një yll, pasi të gjithë luajnë pjesën e tyre. Nëse më kalojnë topin mua por pjesa tjetër e skuadrës nuk lëviz, ju garantoj se nuk jam në gjendje të dribloj të gjithë kundërshtarët. Ky është një sport kolektiv”, shpjegoi braziliani i cili ka folur edhe për ekipin kombëtar.
“Ekipi kombëtar po fiton besim gjithnjë e më shumë. Na duhet edhe pak kohë që gjërat të vihen në lëvizje dhe të përshtaten me stilin tonë brazilian të futbollit. Në Kupën e Botës do të shihni 23 lojtarë të vendosur për të fituar, jo vetëm një brazilian që ndjek titullin”, përfundoi Neimar./lajmeshqip
Ketu ka dhene mendime te pjekura . Ivetmi ekip ku ai mund te shpalos hapur talentin e vet eshte BARCELONA ,KU DO TE KETE NDIHME TE GJITHE LOJTARET dhe ku xhelozite tek BARCELONA jane minimale . Per mua NEYMAR ESHTE LOJTAR SHUME VIZIONAR.