Luiz dhe Ramires, dëshmitarë për racizmin e gjyqtarit

30 Tetor 2012, 14:15Sport TEMA

Për herë të parë në futbollin profesionist anglez, një gjyqtar akuzohet për racizëm nga lojtarët dhe dëshmitë kundër tij janë mëse të besueshme, pasi bëhet fjalë për futbollin e elitës. Një ditë pasi Federata Angleze dhe policia vendoi të hetonte gjyqtarin Mark Klatenburg për ngjarjet e ndeshjes Çelsi-Mançester Junajtid, është zbuluar se akuzat e racizmit kanë ardhur pas dëshmisë se dy futbollistëve të skuadrës londineze.

Kanë qenë David Luiz dhe Ramires ata që kanë nxitur Xhon Obi Mikel të reagojë ndaj gjyqtarit anglez, të bindur se ky i fundit ka përdorur shprehje raciste ndaj shokut të tyre të skuadrës. Vetë futbollisti nigerian deklaron se nuk i ka dëgjuar fjalët e gjyqtarit, por dy lojtarët e tjerë janë të gatshëm të bëjnë dëshmi të betuar para një salle gjyqi se e kanë dëgjuar një gjë të tillë.

Sipas gazetës “Daily Mail”, tensioni mes mesfushorit dhe gjyqtarit filloi kur Torres u ndëshkua me karton të kuq. Në ato momente, Mikel i kërkoi llogari gjyqtarit pse e kishte ndëshkuar spanjollin, pasi të gjithë ishin të bindur se Xhoni Evans e kishte prekur futbollistin. Kur Klatenburg i bëri me shenjë lojtarit që të pushonte dhe të vazhdonte lojën, nigeriani vijoi protestën e tij.

“Pse nuk duhet t’i dalim zot vetes, pse nuk duhet të kundërshtojmë vendimet tuaja?”, mësohet të kenë qenë fjalët e futbollistit, i cili vazhdoi protestën e tij edhe pas golit të Hernandez, i shënuar në pozicion jashtë loje. Në këtë moment, Mikel ndëshkohet me karto të verdhe dhe ky është pikërisht çasti kur dy lojtarët e tjerë të Çelsit pretendojnë se kanë dëgjuar gjyqtarin të lëshojë një batutë raciste kundër Mikel si dhe të shajë një futbollist spanjoll, që mendohet se është Huan Mata. Ky i fundit e ka dëgjuar vetë batutën kundër tij dhe ashtu si shokët e skuadrës, është gati të dalë para një trupi gjykues për të vërtetuar se është sharë gjatë ndeshjes nga një gjyqtar që mban edhe stemën e FIFA-s.

1 komente në “Luiz dhe Ramires, dëshmitarë për racizmin e gjyqtarit”

  1. Gjon says:

    Skandaloz gjykimi i ketij. Gjyqtarin qe i eleminoi ndaj Barcelones keta te Chelsit, tani duhet ta heqin nga lista e zeze… i kane gjet zevendesin edhe me te denje…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje