Begirishtajn, drejtori i ri i sportiv te Siti

28 Tetor 2012, 17:28Sport TEMA

Mançester Siti po mundohet të rikrijojë edhe një herë stafin që ndërtoi sistemin aktual të Barcelonës, pasi ka zyrtarizuar emërimin e Çiki Begirishtajn si drejtor sportiv në këtë klub. Ish-drejtori sportiv i Barcelonës ka për detyrë të ndërtojë tashmë nga e para sistemin e rekrutimit të talenteve të rinj, me synimin për të krijuar të njëjtat kushte zhvillimi si te katalanasit.

Sipas deklaratës së vetë klubit anglez, ish-futbollisti i kombëtares spanjolle ka mbajtur këtë pozicion për 10 vite në radhët e katalanasve, i larguar në vitin 2010 nga klubi, ndërsa tani do ët ketë për detyrë të mbështetë trajnerin Roberto Mançini në rekrutimin dhe veprimtarinë e skuadrës së parë.

Ndërkohë, personi që mbante këtë detyrë deri tani, Brajan Marud, do të kalojë si drejtor i akademisë së re të klubit që do të fillojë punën duke filluar nga sezoni i ardhshëm.

“Jam shumë i lumtur që më është ofruar një mundësi kaq e shkëlqyer”, ishin fjalët e para të Begirishtajn si pjesëtar i stafit të Mançester Sitit. “Progresi dhe arritjet e Mançester Sitit në fushën e lojës janë të dukshme për të gjithë dhe jam i nderuar që më është dhënë mundësia të kontribuoj për përmirësimin e këtij klubi në të ardhmen”, tha ai.

Me kalimin e Begirishtajn si dhe emërimin e pak javëve më parë të Ferran Soriano si shef ekzekutiv të klubit, Mançester Siti ka krijuar bërthamën e Barcelonës së tre viteve më parë dhe mediat angleze spekulojnë se tashmë transferimi i radhës është ai i Pep Guardiolës në drejtimin e skuadrës. Për këtë arsye, është mësuar se trajneri Roberto Mançini ka kërkuar një mbledhje urgjente me drejtuesit e klubit, për të sqaruar pozicionin e tij në të ardhmen, por edhe për të kërkuar ndihmë që të administrojë sa më mirë mosmarrëveshjet me një pjesë të lojtarëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje