Familjarët e viktimave: Amnistia po bëhet për të shpëtuar të akuzuarit e Gërdecit

7 Nëntor 2012, 21:27Politika TEMA

Amnistia për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë mund të rezultojë në një skandal, pasi duket sikur është projektuar për të falur çdo akuzë ndaj atyre që bënë Gërdecin. Madje mund të amnistohet edhe Fatmir Mediu, që po gjykohet aktualisht për plagosje të rëndë

Disa dënime të lehta nuk janë përfshirë në amnistinë e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ndërkohë disa akuza të rënda, të cilat për çudi përkojnë me akuzat ndaj atyre që bënë Gërdecin, do të amnistohen.

Për këtë arsye, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit i është drejtuar me një peticion Kuvendit, për të vlerësuar me kujdes këtë amnisti.

“Në draftin e kësaj amnistie shohim se autorët tregojnë qartë se nuk kanë mësuar asgjë nga tragjedia e Gërdecit. Amnistia nga njëra anë ka përfshirë shumë ulje dënimesh, por nga ana tjetër ka përjashtuar disa krime të rënda, autorët e të cilëve nuk do përfitojnë asnjë ulje. Mirëpo këtu nuk janë përjashtuar edhe nenet 282 dhe 289 të Kodit Penal që përkthehen në “Shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, dhe “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Këto janë dy veprat penale kryesore që sipas gjykatës janë konsumuar nga të pandehurit kryesorë të Gërdecit.

Po kështu janë harruar të përjashtohen nga amnistia edhe neni 161 “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, apo dhe neni 70/2 i Kodit Penal Ushtarak që bën fjalë për “Shpërdorimin e detyrës nga personeli ushtarak”,” thuhet në njoftimin e tyre.

“Nëse procesi në Gjykatën e Apelit Tiranë përfundon deri më 28 nëntor 2012, amnistia do të ulë shumë vjet nga dënimi për të dënuarit e mundshëm.

Por edhe nëse nuk do arrijë kjo amnisti të aplikohet direkt për procesin “Gërdeci” pasi ky mund të zgjatet përtej 28 nëntorit, ne ju bëjmë thirrje deputetëve që të vlerësojnë drejt peshën e atyre veprave penale që kanë treguar në praktikë se mund të marrin edhe dhjetëra jetë njerëzish. Këto nene janë larë me gjak të pafajshëm dhe nuk mund të trajtohen si krime të lehta për tu amnistuar, sado festë të ketë Shqipëria. Amnistia nuk parashikon përfitim as për krime ku e ku më të lehta siç janë aksidentet rrugore me plagosje të lehta, ndërkohë që krimeve të rënda si ai i Gërdecit po i jep një shans. Me anë të kësaj amnistie nuk bëhet gjë tjetër veçse jepet mesazhi i pamoralshëm se vrasja e një fshati të tërë është e parëndësishme në një shoqëri demokratike”.

Por familjarët e viktimave të Gërdecit shqetësohen se mund të amnistohet edhe Fatmir Mediu, që aktualisht po gjykohet për akuzën e plagosjes së rëndë.

“Gjithashtu shqetësohemi me të drejtë edhe për amnistimin e veprave penale, të cilat kanë nisur të ndiqen me nismën e të dëmtuarve akuzues siç është plagosja e rëndë. Kjo vepër penale, ndonëse në dukje është më e lehtë, është e pamoralshme që pas 3 vjetësh endje gjyqeve ato të mbyllen me rastin e një feste.

Për këto arsye kërkojmë me forcë që amnistia të mos falë asnjë vepër penale që lidhet me Gërdecin. Kuvendi është ende në kohë që të riparojë këtë gabim në draftin e paraqitur.

Sado e rëndësishme të jetë festa e 100 vjetorit të pavarësisë, amnistia e propozuar, nëse nuk riparohet, do të jetë thjesht një pjatë e shëmtuar për të zbukuruar tavolinat e një dite ku do të hahet drejtësia me turp e bukë”.

4 komente në “Familjarët e viktimave: Amnistia po bëhet për të shpëtuar të akuzuarit e Gërdecit”

  1. Driloni says:

    Ambasada eshte brenda ne Gerdec.

  2. fule says:

    Nuk jane harruar te perjashtohen keto nene. Po aty eshte gjithe thelbi i amnistise.

    Sala i hedh nje kamerdare kolegeve dhe vartesve te djalit ne “biznesin” e Gerdecit.

  3. ciu says:

    perderisa ky shtet eshte i formuar nga kriminelet per ti sherbyer krimineleve cfare prisni theter ju se na cuditet. po keto gjera dihen qe para se te ndodhin. vazhdoni e cuditeni me gjellet qe gatuan sali krimineli me klan. ai dihet qe sa te jete gjalle e kryeminister keto lloj menush gatimi do te keni dhe as mos e vini fare ne dyshim. por duhet ketu opozita te marri angazhim te ndreqi gjithe keto pacavure kur te vij ne pushtet dhe po qe se nuk fusin jo vetem sali por dhe kompani e familje ne burg atehere kjo eshte shenje e qarte se as keta te fundit nuk ndryshojne nga keta qe jane duke bere gjema ne qeveri. por kam nje shprese se ky edi do ja hedhi celesin e qelise ne det ketyre muterve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje