Mesi thyen rekordin e Pele, dëmtohet Ronaldo

12 Nëntor 2012, 11:34Sport TEMA

Lionel Mesi vazhdon të thyejë rekorde duke ndihmuar Barcelonën të mundte Majorkën, ndërsa edhe Real Madrid iu gëzua një fitoreje në minutat e fundit në fushën e Levante.

Por Barcelona vuajti për të marrë një sukses 4-2 ndaj ekipit të drejtuar nga Hoakin Kaparro dhe u desh Mesi në formën më të mirë që të evitohej një përmbysje e bujshme e skuadrës vendase. Ksavi kaloi në avantazh ekipin katalanas me një goditje dënimi perfekte në minutën e 28-të, para se Mesi të shënonte golin e dytë në minutën e 44-të dhe të barazonte rekordin e 75 golave të shënuar në një vit kalendarik nga Pele. Ndërkohë, Tejo shënoi një minutë më vonë golin e tretë duke mbyllur me një avantazh të thellë pjesën e parë.

Por dy gola në 3 minuta bënë që Majorka të kthehej plotësisht në ndeshje dhe të rrezikonte dukshëm Barcelonën. Megjithatë, ishte Lionel Mesi që tregoi edhe një herë talentin e tij, duke shënuar golin e katërt për skuadrën e Vilanoves dhe të 76-tin në këtë vit kalendarik, duke lënë pas Pele dhe duke u vënë në ndjekje të Gerd Myler që mban rekordin absolut me 85 gola brenda të njëjtit vit.

Në ndeshjen e Real Madrid në fushën e Levante, ishte i riu Alvaro Morata që i siguroi 3 pikët ekipit të Murinjos me golin e tij në minutën e 83-të. Kristiano Ronaldo i kishte dhënë avantazhin skuadrës së tij në minutën e 21-të por pastaj ylli portugez u detyrua të largohej nga fusha në pushimin e ndeshjes për shkak të një dëmtimi të marrë në sy. Në pjesën e dytë, Levante barazoi rezultatin me Angel, ndërsa Ksabi Alonso humbi një penallti që mund t’i jepte përsëri avantazhin madrilenëve. Por Murinjo gjeti zëvendësimin e duhur, duke dërguar në fushë Morata, i cili që në kontaktin e parë me topin arriti të shënonte golin e kësaj fitoreje që ruan distancën e 8 pikëve mes madrilenëve dhe katalanasve.

2 komente në “Mesi thyen rekordin e Pele, dëmtohet Ronaldo”

  1. TOTILA says:

    Une e di qe komentet e mia IRRITOJNE shume komentues ,por te jeni te bindur 100% qe MESSI DO T’A THYEJE DHE REKORDIN E LEGJENDES GERD’HARD MULLER prej 85 GOLASH ,dhe pastaj le t’a mare RONAL-da TOPIN E ARTE !!?

    1. der kommentator says:

      Mua me irriton me shume respektimi i rregulla te shqipes sesa permbajtja e tyre. Shpresoj te me kuptosh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje