Eshli Kol dhe Frenk Lampard po bëhen gati t’i japin lamtumirën skuadrës së Çelsit, me të cilën kanë fituar thuajse gjithçka në karrierën e tyre. Mbrojtësi me sa duket ka zgjedhur të shkojë te PSZH, ndërsa mesfushori do të provojë aventurën në Kinë, me skuadrën e Guizhou Renhe.
Ka qenë nëna e Eshli Kol ajo që ka dhënë konfirmimin për mbrojtësin, duke deklaruar në Facebook se djali i saj ka zgjedhur Francën për të vazhduar karrierën e tij. “Me sa po dëgjoj, do të shkojë në një vend më të mirë se zërat për Mançester Junajtid. Eurostar nuk është larg nga këtu”, ishte komenti i saj, duke iu referuar trenit që përshkruan kanalin e La Manshit që lidh Anglinë me Francën.
Mbrojtësi i përfaqësueses angleze nuk do të rinovojë vetëm për një vit me Çelsin, duke zgjedhur që të shkojë te PSZH ku i ofrohet një kontratë afatgjatë dhe një pagesë më e mirë sesa mund të sigurojë në Angli.
Ndërkohë, lajmi më i bujshëm është ai i Lampard që i bashkohet skuadrës kineze të Guizhou Renhe. Ky lajm është publikuar në disa media të ndryshme sportive në Kinë, ndërsa më pas është pasqyruar edhe në ato britanike.
Edhe Lampard ka të njëjtin problem me Kol, pasi klubi nuk i ofron rinovim më të gjatë se një sezon, ndaj do të zgjedhë të largohet drejt një vendi tjetër. Mediat kineze raportojnë se ai ka arritur një akord paraprak me pronarin e Guizhou Renhe, i cili i ka premtuar se do të mundohet që të blejë nga Shanghai Shenhua edhe Didier Drogba, për të formuar përsëri dyshen që terrorizonte mbrojtjet e skuadrave më të famshme evropiane.
Nëse Kol mund të presë fundin e sezonit për të kaluar në Francë, Lampard me shumë mundësi pritet që të ndërrojë skuadër në janar, pasi ai nuk është më titullar fiks te Çelsi e dëshiron që të vazhdojë të luajë me rregullsi.
te gjitha jane trillime,Lampardit i kishte lene amanet mamaja e tij para se te vdiste qe te mos largohej nga Chelsea