Franca pezullon M’Vila deri në vitin 2014

9 Nëntor 2012, 12:19Sport TEMA

Dëshira për “pak jetë nate” gjatë periudhës së grumbullimit me kombëtaren U-21, ka marrë në qafë Jan M’Vila, i cili ka marrë një dënim shembullor nga Federata Franceze e Futbollit. Mesfushori i Rëne është pezulluar nga aktiviteti me të gjitha ekipet kombëtare deri në qershorin e vitit 2014, pasi vendosi të dilte xhiro në Paris pa leje kur ishte i grumbulluar me kombëtaren U-21.

Ky sanksion do të thotë që 22 vjeçari M’Vila, i cili ka regjistruar 22 ndeshje me fanellën e  përfaqësueses së madhe dhe u aktivizua edhe në 3 takime të Euro 2012, nuk do të jetë pjesë e kombëtares franceze nëse kjo e fundit kualifikohet në Botërorin e vitit 2014 në Brazil.

“Jan M’Vila është pezulluar nga të gjitha ekipet kombëtare duke filluar nga 12 nëntor 2012, deri më 30 qershor 2014”, shkruhet në deklaratën për shtyp të publikuar nga Federata Franceze. Mesfushori ishte një nga 5 lojtarët të cilët braktisën pa leje hotelin e përfaqësueses U-21 për të bërë xhiro në Paris një natë para ndeshjes kundër Norvegjisë të cilën më pas e humbën dhe sollën eliminimin Francës nga Evropiani i kësaj grupmoshe.

Të katër futbollistët e tjerë – Kris Mavinga, Uisam Ben Jeder, Antuan Grizman dhe Mbaje Niang – u pezulluan nga ekipet kombëtare deri në 31 dhjetorin e vitit 2013. Pas këtij incidenti, Federata Franceze e Futbollit vendosi të largonte të gjithë ekipin kombëtar U-21 dhe të zëvendësonte lojtarët e tij me kombëtaren U-20 për 4 miqësoret e planifikuara në këtë sezon./lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje