Atletiko Mineiro ka bërë të qartë se është gati të bëjë çmenduri vetëm me qëllimin për të mbajtur në radhët e saj Ronaldinjon. Ish-ylli i përfaqësueses braziliane është kthyer menjëherë në idhullin e tifozëve të kësaj skuadre, të cilët kanë firmosur një peticion duke i kërkuar klubit që të rinovojë sa më parë me lojtarin.
Meqë kontrata e Ronaldinjos përfundon brenda pak muajsh, drejtuesit e Atletiko Mineiro janë gati t’i vënë atij para një kontratë trefish më të lartë se ajo ekzistuese për vitin 2013. Nëse do të pranojë, lojtari do të përfitojë 350 mijë euro në muaj, në kundërshtim nga 115 mijë eurot në muaj që merr aktualisht te ky ekip.
Kuptohet që klubi e sheh rinovimin e futbollistit si një prioritet falë edhe kontributit të rëndësishëm që ka dhënë ai këtë sezon, duke e ngjitur Atletiko Mineiron në vendin e dytë në renditjen e kampionatit dhe duke e kualifikuar pa probleme në Kupën Libertadores.
Nëse Ronaldinjo duket se do të ketë një “pension” të lumtur, gjithçka ka mbaruar për ish-yllin tjetër të futbollit botëror, Adrianon, i cili është përjashtuar nga Flamengo dhe me shumë mundësi i ka dhënë lamtumirën përfundimisht futbollit. “Adriano nuk është më një lojtar i Flamengos. Po e prisja që të diskutonim ngjarjet e fundit, por ai nuk erdhi. Kemi bërë të pamundurën për ta rikuperuar si lojtar”, ishin fjalët e drejtorit teknik të Flamengos, Zinjo.