Mançester Junajtid ka vendosur t’i kushtojë një statujë trajnerit Aleks Ferguson, për të nderuar në mënyrën më të mirë të mundshme skocezin që sot mbushi 26 vite në drejtimin e skuadrës.
Statuja në fjalë do të vendoset para stadiumit “Old Traford” me datë 23 nëntor, ditën para se Mançester Junajtid të luajë kundër QPR, kundërshtar i njëjtë me fitoren e parë të trajnerit 70 vjeçar në drejtimin “djajve të kuq” me 22 nëntor 1986.
Ferguson është trajneri më i suksesshëm britanik, pasi ka drejtuar klubin në 12 tituj kampion në Angli, 2 Liga Kampionesh, 4 Kupa FA dhe 4 Kupa Lige. Para eksperiencës angleze, ai ishte trajner te Aberden në Skoci, duke e drejtuar klubin në suksesin e Kupës së Kupave në vitin 1983, pasi mundi në finale Real Madrid.
Statuja në fjalë do të pozicionohet pranë hyrjes së pjesës së stadiumit që mban emrin e Ferguson që nga viti i kaluar, kur klubi vendosi të nderonte këtë trajner legjendar.
Pranë stadiumit “Old Traford” gjenden edhe dy statuja të tjera të figurave legjendare të klubit. Njëra prej tyre është ajo e trajnerit Sër Met Basbi, ndërsa tjetra përmban tre futbollistët legjendarë Xhorxh Best, Denis Lou dhe Bobi Çarlton./lajmeshqip