Stramaçioni: Montela, shembulli dhe këshilluesi im

6 Nëntor 2012, 11:10Sport TEMA

Suksesi i Andrea Stramaçionit në drejtimin e Interit është meritë e Vinçenco Montelës, trajnerit të cilit ai dëshiron t’i ngjajë sa më shumë. Të paktën kështu mendon vetë trajneri i zikaltërve, i cili në një emision televiziv ka zbuluar raportin e tij me teknikun aktual të Fiorentinës, ndonëse shpesh krahasohet me paraardhësin e tij te Interi, Zhoze Murinjon.

“Një nga personat që më ka qëndruar më afër në karrierën time të re është Vinçenco Montela. Ai është si një lloj menaxheri për mua: më ka këshilluar kur u largova nga akademia e Romës dhe është një nga personat e parë me të cilët kam komunikuar kur presidenti Morati më dha drejtimin e skuadrës së Interit”, zbuloi tekniku i zikaltërve.

“Për mua, Vinçenco është maksimumi, e vlerësoj shumë, fillimisht si njeri e më pas si trajner. Në këto momente, ai është një prej trajnerëve më të mirë italianë në qarkullim, është më i mirë edhe se unë”, ishte batuta e trajnerit të Interit.

Për Stramaçionin ka ardhur vlerësimi i radhës pikërisht nga drejtuesi i Juventusit, Bepe Marota, i cili i ka dhënë fund polemikave duke u shprehur se trajneri i ri i zikaltërve ishte mëse i talentuar.

“Fjala “mendjelehtësi” që kam thënë kishte si qëllim të vlerësoja punën e tij, unë e shoh si një virtyt. E kam kontrolluar edhe në fjalor, është sinonim i fjalës qetësi dhe më anë të saj desha të them se e vë veten në kushtet më të mira për të administruar skuadrën”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Juventusit duke pranuar publikisht superioritetin e Interit në sfidën e fundjavës./lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje