Klubet evropiane presin me padurim një sinjal nga Neimar për të bërë oferta për blerjen e tij, por vetë futbollisti brazilian vazhdon të insistojë se nuk e sheh ende veten të luajë në një kampionat tjetër përveç atij brazilian, të paktën për momentin.
“Për momentin, do të luaj me Mesin nëse ai vjen te Santos. Është e mundur, shesim gjysmën e qytetit dhe e blejmë”, ishte batuta e tij në një intervistë për “El Mundo”.
“Nuk di asgjë për Barcelonën. Një ditë më transferojnë aty, të nesërmen te Real Madrid, por unë kam një kontratë deri në vitin 2014 me Santos dhe është i vetmi realitet që njoh. Ëndrra ime është të luaj në Evropë, por ka një moment të përshtatshëm për gjithçka”, u shpreh ai në këtë intervistë.
Si gjithmonë, ai nuk ka kursyer elozhet për Lionel Mesin, të cilin e ka një idhull dhe e merr shumë herë si shembull. “Do të më pëlqente të luaja si me Lionel Mesin, ashtu edhe me Kristiano Ronaldon. Por ajo që unë dëshiroj është që Mesi të vazhdojë të bëjë mrekullitë që bën aktualisht me topin e futbollit. Është e vërtetë që jam një tifoz i futbollit dhe i tiji gjithashtu. Karriera e tij është një shembull që duhet ndjekur dhe nuk ka fjalë për të përshkruar lojën e tij”.
Neimar është që tani një prej lojtarëve më të shquar në historinë e Santos dhe shumë shpesh është krahasuar me të madhin Pele.
“Pele është një mit, një prej atyre që lindin një herë çdo 5 mijë vjet. Jam shumë i lumtur për krahasimet që më bëjnë por nuk ekziston asnjë krahasim i mundshëm. Ai është më i madhi”, deklaroi sulmuesi brazilian.
Mire do benit.Neymar e Messi=Sport Hyjnor.Behet Super Futboll.