Takimi i parë i punës mes Roberto Mançinit dhe Çiki Begirishtajn gjatë kësaj jave do të ketë si objekt kryesor diskutimesh blerjen e sulmuesit të talentuar brazilian Neimar. Trajneri italian e ka ndjekur me vëmendje yllin brazilian gjatë vitit të fundit dhe nuk është rastësi që ka dërguar disa herë në Amerikën e Jugut ndihmësin e tij më të besuar, Atilio Lombardo, për të parë nga afër futbollistin.
Situata e lojtarit të Santos është mjaft e veçantë, pasi nga njëra anë ka një trysni të jashtëzakonshme për të mos lëvizur nga Brazili deri pas Kupës së Botës 2014, ndërsa nga ana tjetër, flitet se Barcelona ka arritur të nënshkruajë që tani parakontratë me të, mister të cilin Mançini pritet ta zbulojë nëpërmjet kësaj mbledhje me drejtorin e ri sportiv, ish-punonjës i katalanasve.
“Kam lexuar se Barcelona ka blerë Neimar, por nuk di të them nëse është e vërtetë. Por tani jam i lumtur që do të punoj me drejtorin e ri sportiv, pasi ai mund të njohë situata për të cilat unë nuk jam në dijeni dhe mund të vihemi në lëvizje shpejt përsa i përket disa lojtarëve”, ishte komenti i Mançinit, i cili ka bërë thirrje për përforcime urgjente në janar, duke parë formën e dobët që po shfaq skuadra e tij në këtë fillim sezoni.
Barazimi pa gola ndaj Uest Hem ishte ndeshja e parë pas 16 radhazi që Mançester Siti nuk arriti të shënonte në kampionat, ndonëse u aktivizuan në këtë sfidë Tevez, Xheko, Balotelli, Aguero dhe Nasri. “Ky nuk ishte rezultati më i drejtë, pasi kemi humbur 4 raste të jashtëzakonshme para porte. Nëse nuk shënon, nuk fiton. Rasti i Balotelit? Një futbollist i klasit botëror do ta kishte çuar topin në rrjete”, ishte kritika e tij ndaj sulmuesit italian.