Doktori i cili mjekoi sulmuesin David Vija pasi ai theu këmbën në Botërorin e Klubeve 2011 në Japoni, ka deklaruar se lojtari është më fat që nuk ka humbur këmbën e tij, pasi rrezikonte seriozisht që t’ia prisnin atë.
Sipas mjekut Ramon Kugat, për 30 vjeçarin ekzistonte një rrezik real amputimi, për shkak të udhëtimit të tij me avion nga Japonia drejt Spanjës, si rrjedhojë e ndryshimeve të trysnisë që ndodhin gjatë fluturimeve.
“Ndryshimet e mëdha të trysnisë në 8, 10 apo 12 mijë metra lartësi janë një rrezik i madh në raste të tilla. Ata mund të sjellin dëmtime të rënda, apo edhe të shkaktojnë humbjen e plotë të gjymtyrës”, tregoi ai për “La Sexta”, duke shpjeguar se në raste të tilla këshillohet që të mos zhvillohen udhëtime me avion.
Kirurgu katalanas gjithashtu vlerësoi trajnerin aktual të Barcelonës, Tito Vilanova, i cili nuk ka ngutur lojtarin duke sforcuar kthimin e tij në fushën e lojës.
“Ka një person që ka menaxhuar në mënyrë perfekte situatën dhe ai është Tito Vilanova. Ai ka qenë mjaft i zgjuar duke e kthyer me ngadalë në skuadër. Tani Vija ka kaluar të gjithë pjesën më të vështirë, është në formë më të mirë sesa në sezonin para se të dëmtohej”, tha ai për lojtarin që është kthyer në formën e mëparshme dhe po shënon me rregullsi.
Pak ditë më parë, vetë futbollisti spanjoll falënderoi me një batutë doktorin që e operoi me sukses. “Po shënoj gola me këmbën e dëmtuar? Me sa duket e paska fiksuar mirë bulonin”.