Menaxheri i Guardiolës: Milan? Pse jo!

8 Nëntor 2012, 11:12Sport TEMA

Menaxheri i Pep Guardiolës ka konfirmuar se Milani është një opsion i mundshëm për trajnerin spanjoll kur ai të kthehet në aktivitet në vitin e ardhshëm. Ish-trajneri i Barcelonës është i papunë për momentin pasi ka vendosur të bëjë një vit pushim, ndërsa përfaqësuesi i tij, Josep Maria Orobitog, është i bindur se nuk duhet përjashtuar aspak mundësia e transferimit të tij në Milano gjatë verës.

“Pep te Milani? Gjithçka është e mundur për sezonin e ardhshëm dhe një gjë të tillë e kam konfirmuar edhe më parë”, tha ai për mediat italiane. “Unë flas shpesh me Adriano Galianin dhe ai është shumë i sjellshëm. Marrëdhënia mes nesh është e mirë. Nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”, është deklarata e Orobitog që ka rifilluar spekulimet vetëm një ditë pasi klubi italian hodhi poshtë zyrtarisht hipotezën e kontakteve mes palëve për shkak të pranisë së Orobitog në stadiumin “San Siro”.

Ndërkohë, menaxheri i Guardiolës nuk ka ngurruar të theksojë se pret oferta edhe nga skuadrat e kampionatit anglez, duke pranuar se trajneri që ai përfaqëson është i hapur ndaj çdo alternative të mundshme.

“Dyert janë të hapura për Milanin, ashtu siç janë të hapura për Mançester Sitin, Çelsin e kështu me radhë. Pep do të dëgjojë ofertat që do t’i vijnë dhe pastaj do t’i vlerësojmë ato. Por e konfirmoj që deri tani nuk kemi folur për Milanin pasi Guardiola ka vendosur që të mos drejtojë deri në sezonin e ardhshëm. Për të ardhmen e tij do të flasim në qershor. Nuk përjashtoj asgjë dhe kur them se gjithçka është e mundur, i referohem gjithashtu edhe Mançester Sitit, Çelsit apo klubeve të tjera të rëndësishme”, tha Orobitog.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje