Mbrojtësi i Real Madrid, Serxho Ramos, ka çuditur të gjithë duke deklaruar se kur ishte i vogël ëndërronte të bëhej toreador.
Futbollistit 26 vjeçar, u bë pjesë e skuadrës të kryeqytetit të Spanjës para 7 vitesh dhe që atëherë ka fituar shumë trofe, përfshirë 3 tituj kampion. Vetë lojtari i ardhur nga Sevilja mendon se ka bërë zgjedhjen e duhur, pasi përfaqëson klubin më të mirë në botë. Por ai gjithashtu pranoi se të bëhej futbollist profesionist nuk kishte qenë aspirata e tij kryesore kur ishte i vogël.
“Kur je i ri, është e rëndësishme të kesh ëndrra. Unë gjithmonë ëndërroja të bëhesha një toreador ose një futbollist. Mamaja ime ishte e frikësuar nga ideja që unë të bëhesha toreador ndaj zgjodha një sport më pak të rrezikshëm si futbolli”, ka treguar mbrojtësi që cilësohet ndër më të mirët në qarkullim në futbollin botëror.
Sipas Serxho Ramos, klubi ku ai bën pjesë është superior ndaj të tjerëve për shkak të trofeve që ka fituar në vazhdimësi dhe lojës së shkëlqyer që ka dhuruar.
“Identiteti që ka ndërtuar ky klub ndër vite e bën atë unik. Ky është klubi më i mirë në botë edhe nëse nuk është i preferuari i të gjithëve. Por ky është realiteti. Lojtarët e mëdhenj që kanë qenë këtu dhe titujt që ata kanë fituar, i japin më shumë prestigj këtij klubi”, deklaroi mbrojtësi që është njëkohësisht zëvendës-kapiten te skuadra madrilene.