Edin Xheko shpreson që Roberto Mançini të mos e cilësojë më zgjedhje të fundit në repartin e sulmit të skuadrës së tij, pasi me golat që shënon ka arritur të jetë vendimtar për Mançester Sitin, ashtu siç bëri dje kur gjeti rrjetën në minutën e 88-të për t’i dhënë skuadrës së tij suksesin 2-1.
Për Xhekon, i cili gjatë këtij sezoni kishte qenë vendimtar edhe dy herë të tjera për Sitin duke e ndihmuar të fitojë në minutat e fundit, kjo ishte prova e tretë e aftësive të tij para portës kundërshtare. I pyetur pas ndeshjes nëse kishte një mesazh për Mançinin, lojtari nuk ka ngurruar të bëjë kërkesën e tij publike për më shumë hapësira në formacion.
“Golat janë mesazhi im, kjo është e vetmja gjë. Nuk është hera e parë që shënoj golin e fitores, por kjo është një ndjesi e mrekullueshme. Ne arrijmë të përmbysim gjithçka edhe kur jemi duke humbur, pasi kjo është një skuadër e mrekullueshme. Por sinqerisht shpresoj që në ndeshjen tjetër të kryesojmë 1-0 dhe të vazhdojmë të fitojmë ndeshjen, pasi siç po bëjmë tani është shumë e vështirë për ne”, tha sulmuesi.
Sipas mediave angleze, nëse Mançini do të vazhdojë ta mbajë atë si zëvendësues, sulmuesi do të kërkojë të largohet në janar, duke parë edhe interesimin e shumë klubeve të tjera të njohura, mes të cilëve tani është edhe Arsenali.