Niko Xhufka, një fototekë e gjallë e këtij gjysmë shekulli

15 Nëntor 2012, 19:32Blog TEMA

Nga Kristo Mërtiri

Poeti i dhimbjes së madhe pa fund e anë, De Rada, shprehej me drithërimë përmes një vajthirrjeje zemre: Mori e bukura More !…Si tani, 5 vjet më parë. Të tilla emocione, jo vetëm nga ballkoni i De Radës, prek e provon edhe kur shfleton Albumin e veçantë “Arbëreshët e Italisë”, të fotoreporterit veteran Niko Xhufka.
Disa breza të shtypit e kanë ndjekur nga afër punën e tij jo dosido, që nga Vermoshi e gjer në Konispol. E kanë vlerësuar e nderuar, brenda e jashtë Shqipërisë. Kur isha student, duke bërë praktikë gazetarie në “Zërin e Popullit” gjatë fundviteve ‘7o, përveç emrave më të shquar në publicistikën e letërsinë e kohës, pata fatin të takohesha edhe me fotoreporterë të mirënjohur. Madje unë ruaj ende edhe një foton time të çmuar bardh e zi (gjysmë portreti djaloshar),realizuar te dritarja e laboratorit të redaksisë në katin e dytë nga ana e shtypshkronjës…Historinë dhe qëndresën arbëreshe përballë harresës, artisti i ri nga Kutali i Përmetit e ktheu në pasion e lajtmotiv të veçantë patriotik e profesional.
Vite më vonë, kur punoja korrespondent i gazetës “Bashkimi” për 4 rrethet e Jugut (Tepelenë, Përmet, Gjirokastër e Sarandë), krijimtarinë e Niko Xhufkës e takoja gjithnjë e më shpesh nëpër faqet e shtypit të përditshëm e periodik.
-Në gazetën “Liria” të shqiptarëve të Amerikës, në Boston, ishin botuar disa shënime rreth fotoekspozitës së Nikos, hapur në Kalabri. Mbanin si autor jo një firmë të rëndomtë, por vetë Artistin e Popullit, Çesk Zadeja. Pra, mbi 27 vjet më parë ! Gjithsej 60 foto, si një gjerdan i vogël por me vlerë të madhe, që shoqëruan me dinjitet gjerdanin e madh të këngëve e valleve popullore të ansamblit të famshëm “Migjeni” në Tiranë. Për kulturën, për historinë, për papërkulshmërinë arbëreshe para rrebesheve e furtunave shekullore, Zadeja i madh shkruante bukur, shkurt e plot pasion atdhetar.
Një frymëzim i ngrohtë dhe realist nga ajo ekspozitë e paharruar…Pas 11 vjetëve (1996), Niko Xhufka përgatiti e botoi libër-albumin e vecantë artistik për arbëreshët e Italisë. Nuk u thye asnjëherë përballë burokracive të djeshme e të sotme. Fiksonte pamje e portrete të mrekullueshme, botën dhimbjeshumë e dinjitetshme, zakonet dhe veshjet me prush kombëtar që nga koha e Skënderbeut. Ikja e heroit i priu asaj ikjes biblike nëpër Italinë e Jugut.

Pasqyrim estetik e psikologjik nga syri i fotoreporterit tonë me vizion të gjerë etnik e letrar. “Duke u përpjekur të japë sa më lexueshëm shpirtin e njeriut, ai arrin që te rinia të zbulojë poezinë, kurse te të moshuarit filozofinë,-thoshte me të drejtë kritiku e publicisti serioz, Xhezair Abazi.-Pas shfletimit të këtij albumi të pasur, s’ka se si të mos pohosh me vete:”Shpirti i arbërit rron”…Nuk nguroi ta vlerësonte lart edhe Prof. Gjovalin Shkurtaj etj. Sepse bëhej fjalë për një përpjekje të adhuruar shumëvjeçare, për një usta të sprovuar në fushë e artit tonë fotografik, që përmes të veçantës bën përgjithësime kuptimplote për brezat. Ja, dëgjoni e lexoni poetin dhe gazetarin penëzjarrtë, Xhevahir Spahiun e rrallë:
-…Njihemi me një botë disi të lënë në hije, e afërt dhe e dallueshme njëkohësisht me botën e madhe shqiptare. Syri i artistit të shquar na mbush me ndjesi dhe na bën të mendohemi për jetën dhe rropamat e historisë së bashkësisë shqiptare në Itali…
Mbi 4 dekada me aparatin fotografik në krahë,nuk janë pak. Kush ka sy le të shikojë e të gjykojë. E ka pikasur i mëncuri: Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën ose “Edhe Olimpi është i shkretë pa dashuri”. Sepse kjo punë shumëvjeçare nuk kërkonte thjesht punë e mund, as vetëm lodhje fizike. Duhej sedër dhe pjekuri e lartë profesionale, qytetare dhe atdhetare, shpirt sakrifice e talent i spikatur. Niko Xhufka theu me sukses edhe ndonjë dryn të detyruar nga monizmi, duke mënjanuar nëntekstet e dikurshme. Jo rastësisht hapën vend nëpër faqet e tyre kulturore mjaft gazeta të kohës së pluralizmit e të demokracisë në Shqipëri. Filli i artit cilësor midis dy epokave nuk u këput asnjëherë. P.sh. në 1993 u botuan për Albumin dhe Ekspozitën e çelur në 3 shtete (Gjermani, Francë e Belgjikë),mjaft informacione e vlerësime pozitive për fotoreporterin e shquar. Arkivat mediatike të Berlinit, Parisit, Brukselit(bashkë me mjeshtrin Pipi Nace); ato të Romës(bashkë me poetin Visar Zhiti), Kalabrisë, Barit(gazetë binjakëzimi me qytetin e Durrësit për gati 6 vjet) etj. ruajnë e flasin sot e kësaj dite. Pa gogësitur pranë vetëkënaqësisë përtace, Niko Xhufka përmetari i hyri punës për të nxjerrë gazetën tjetër “Syri i Mesdheut” në shqip, italisht e anglisht. Sepse në këtë ekonomi tregu rrumpallë, nuk mund t’i hynte detit me këmbë. Të mbash 28 faqe për 8 muaj(vetëm me reklama dhe pa asnjë financim a sponsorizim tjetër),nuk është thjesht një aventurë e rëndomtë.
Fotoreporteri ynë nuk flet fare për çmimet e dekoratat e fituara nga meritokracia. Po u qaset të shtatëdhjetave. Ai është nga soji që e mat moshën me punë e jo me vite. Veçse ditët e fundit nuk e fshehu dot irritimin: Kishte gjetur e përkthyer 4 faqe nga interneti, të “Propagandaphotos”. Era e skajshme politizuese ia trazonte me të drejtë mendimet. Insinuatat e papërgjegjshme dhe shumë larg artit të vërtetë (për të mos thënë dashakeqësi e qëllimtë),synojnë të qëllojnë me “top” deri universitetet e Evropës Perëndimore dhe Amerikane të viteve ’60-’70 (?!). O tempora, o mores ! Dhe vërtiten e lëshojnë mbroçkulla mbi Albumin e parë “Ritme të jetës shqiptare”.
Nikua sapo ishte pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Dhe përpiqej të bënte art ndryshe, i heshtur e modest. Bile dikush shkruan i “shqetësuar” dhe i bie shkurt:”Informacion në lidhje me Xhufkën është e vështirë të gjendet”(?!) dhe gjoja na lutet të hedhim diçka në internet. Ndërsa për Albumin e mësipërm, lëshon pa teklif etiketat lehëse “anëtarët e mashtruar të grupeve e fraksioneve maoiste-staliniste”; “ti rrije përballë aparatit ishte një qëndrim i sigurt proletar”; “retorikë bombastike për përkushtim ndaj liderit të lavdishëm”(kur ai shfaqet vetëm një herë në libër, ndërsa sot liderët na kanë mbirë në çdo numër gazete e në çdo faqe ekrani e mikrofoni,vallë në emër të kujt sistemi “demokratik” e publicistik?). Përse nuk bëzajnë fare këta “analistë” interneti përballë kësaj dukurie të shëmtuar e neveritëse të ditës që nuk ka të shterur mbi 20 vjet me radhë ?…Niko Xhufka s’ka nevojë për hosanara e temenara nga militantët e tërbuar partiakë. Fotot artistike të tij i duan dhe i respektojnë të majtë e të djathtë. Atyre që janë politizuar kokë e këmbë, dëshiroj t’i pyes e të më përgjigjen publikisht: Vallë, ku janë sot ata punëtorë, saldatorë, shoferë, montatorë, minatorë, teknikë ndërtimi e shfrytëzimi, tornitorë, inxhinierë, projektues e shkencëtarë të hidrocentraleve, metalurgë, tezgjahiste të kombinateve, apo ish kënetat që u kthyen në toka pjellore dhe brezaret mbi kodrat e Bregdetit etj.?(Sepse foto të tilla i keni edhe te Albumi ku doni të kapeni pas një fije kashte, foto që udhëtojnë me dinjitet nëpër botën demokratike për 36 vjet me radhë !). Çuditërisht, të vetmen fjali që i ka shpëtuar çoroditjes analitike në internet, po e citojmë:”Xhufka është paraqitur më shumë si një artist në këtë libër(album) se sa një propagandist i thjeshtë i regjimit”. Më tej. Dikujt që thotë kodra pas bregut, nuk i ngjallka emocione “Vallja e Kalldrëmeve në Gjirokastër”(?!),foto që me siguri do të ruhet e mbahet mend gjatë.
Syri magjik i fotoreporterit profesionist u bë më i kthjellët. Mirëpo, në fototekën e tij të pasur personale, po dergjen edhe 6 Albume cilësorë për Turizmin; Skënderbeun; Beratin e një mbi një dritareve; për Kështjellat tona dhe për poetin e publicistin e madh Dritëro Agolli. Por mjaft zyrtarë të lartë e biznesmenë, presidentë fondacionesh e ojëqërash etj. tregohen hovardarë në krunde (antivlera) e derëkyçur në miell (vlera). Ministria përkatëse nuk lëviz qerpikun po nuk kërciti dhëmbët Kryeministri. Dhe as e fton fotoreporterin e mirënjohur që nuk gjunjëzohet e as bën sehir nën pushtetin e moshës e të kuletës ! Sepse muza shuhet bashkë me shpresën…

4 komente në “Niko Xhufka, një fototekë e gjallë e këtij gjysmë shekulli”

  1. Shqiptari/ Stokholm says:

    Te lumte dora i nderuar Kristo Mertiri!sigurisht qe zN.Xhufka per punen qe ka bere ne tere keto vite meriton akoma me shume,por ty te lumte qe u kujtove per Nikon.

  2. katarakti says:

    … Atyre që janë politizuar kokë e këmbë, dëshiroj t’i pyes e të më përgjigjen publikisht: Vallë, ku janë sot ata punëtorë, saldatorë, shoferë, montatorë, minatorë, teknikë ndërtimi e shfrytëzimi, tornitorë, inxhinierë, projektues e shkencëtarë të hidrocentraleve, metalurgë, tezgjahiste të kombinateve, apo ish kënetat që u kthyen në toka pjellore dhe brezaret mbi kodrat e Bregdetit etj?! …. Pergjigjen po ta jap une: Jane emigrante neper bote.

  3. Ujevara says:

    Po katarakti,edhe une i mednimit me ty jam,ku jane valle? sigurisht qe shumica jane emigrante ndersa pakica pa me dhimbje se si prisheshin te tera ato qe u ndertuan sic po thua ti nga dora ime e jotja e tyre e jona,e te gjithe popullit dhe nga leket e popullit,e po ky popull sigurisht nje pakice e udhehequr nga bastartet qe erdhen,ne emer te demokracise shkaterruan cdo gje qe ishte ndertuar per vete popullin dhe jo per interesat personale te Enver Hoxhes.Ky popull jemi,i meritojme bastartet….. Faleminderit zKristo per artikullin ne drejtim te foto reporterit te talentuar zNiko Xhufka.

  4. Piro says:

    Pac dite sa me te mira z.Kristo Mertiri.Le te kujtohemi per njerezit qe kane punuar e luftuar me shpirt, sikurse ben ti per njeriun e papertuar, artist si Niko Xhufka. Fotot e tij artistike mbeten te paharruara. Nikoja artist qe mori rruget e kurbetit, nuk e la menjane aparatin e tij. Mirenjohje ketyre njerezve e jo te mbetemi ne te shara. Per shkrime te tilla te gjithe kane nevoje, qofshin dhe te me te rinjte qe nuk i kane njohur me pare personazh si Xhufka.

    Piro Mite

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje